Fatmir Vata, i treti pas Rrakllit e Skelës në GjermaniMe 37 gola, Vata mbetet i treti shënues shqiptar në Gjermani pas rekordmenit Altin Rraklli që ka shënuar 58 gola në 282 ndeshje. Sulmuesi kavajas shënoi 16 gola në Bundesligë (111 ndeshje)

Bledar Kuka - Fatmir Vata u rikthye tek goli pas një periudhe të gjatë, duke shërbyer mirë në fitoren 2-0 të TuS-it të Koblencit në fushën e Augsburgut. Sulmuesi veteran shqiptar realizoi për 2-0 në minutën e 33-të, pasi goli i parë u shënua që në 60 sekondat e fillimit të takimit me anë të Sinkalës (autogol).
Me këtë gol, 37-vjeçari shqiptar arriti kuotën e 37 golave në Gjermani, në dy kategoritë e para. 8 gola janë shënuar në 88 ndeshje në Bundesligë dhe 29 të tjerë në 125 ndeshjet e kategorisë së dytë. Shtatshkurtër, vetëm 1.70 metra i gjatë, Fatmiri zotëron një shpirt të lartë gare që e ka bërë vazhdimisht favorit të tifozëve tek Manhajmi, Bilefeldi dhe tani tek Koblenci.
Me 37 gola, Vata mbetet i treti shënues shqiptar në Gjermani pas rekordmenit Altin Rraklli që ka shënuar 58 gola në 282 ndeshje. Sulmuesi kavajas shënoi 16 gola në Bundesligë (111 ndeshje). Ervin Skela që ka realizuar 52 gola në 285 ndeshje, nga të cilat 20 gola dhe 158 ndeshje i ka në Bundesligë.
Rraklli mbetet edhe rekordmen i golave në Bundesligën e dytë, me 42 të tillë në 171 ndeshje për ekipet Frajburg, Herta Berlin, Unterahing dhe Jan Regensburg. Skela është i dyti me 32 gola dhe Vata i treti me 29 të tillë.
E Hene, 02 Mars 2009