E Diel, 1 Nëntor 2026

Skela, heroi që i shpëtoi 8 milionë KotbusitEnergia i mban me xhelozi sekret rrogat e lojtarëve të saj, por besohet se mesfushori shqiptar paguhet me rreth 400 000 euro në sezon, shumë më tepër se kancelaria Angela Merkel që merr 20 000 euro në

Bledar KUKA- Në mars 2008, ndërsa Energia e Kotbusit luftonte për jetë a vdekje që të mbetej në Bundesligë, shqiptari Ervin Skela hyri në vallen e tij magjike duke u bërë aktori kryesor që i siguroi shpëtimin klubit gjerman nga Lindja. Sipas llogarive të bëra me laps të mprehur mirë, nëse Kotbusi do të binte në të dytën, buxheti do të zvogëlohej deri në 15 milionë euro, ndërsa po të qëndronte në Bundeslig (siç edhe ia arriti qëllimit), buxheti do të ishte 23 milionë.

Me 7 gola dhe 6 shërbime për gol, Skela ishte heroi më i parë i trajnerit Bojan Prashnikar dhe klubi vazhdon ta konsiderojë si lojtarin e tij më të rëndësishëm. “Ne jemi kampionia e Gjermanisë kur vjen puna për efektivitet, - thotë presidenti, Ulrih Lepsh për revistën “Fokus” (Focus.de), - me buxhetin më të vogël në kampionat, vjet ne grumbulluam 41 pikë. Këto suksese i arritëm edhe pa 5 milionë eurot e fituara nga transferimet e disa futbollistëve”.

Kotbusi besohet se i jep lojtarit të tij më të mirë edhe 400 000 euro në vit (jo zyrtare), kur një klub më i pasur se ai i lejon vetes që ish-kapitenit Lala t’i akordojë deri 600 000 euro, bashkë me shpërblimet.

Ky sezon duket se është më ndryshe. Ndërsa Bajerni ka 80 milionë euro buxhet (sipas llogarive të “rp-online.de” për këtë sezon), Kotbusi mbetet tek 23 milionët, por është më lart se Karlsruhe, Bohumi (17 milionë), Bilefeldi (15). “Ne duhet gjithnjë që të punojmë më shumë se të tjerë”, - thotë trajneri Bojan Prashnikar, ndërsa menaxheri i përgjithshëm i klubit, Shtefen Hajdrih, thekson se “për ne 5 milionë euro janë sikur për të tjerët janë 50 milionë euro”.

Kaka refuzoi kontratën me Man. Sitin që do t’i jepte 16 milionë euro rrogë në vit, ndërsa Hamburgu mori po nga sheikët e Man. Sitit, 18-19 milionë euro për holandezin, Nigel De Jong. Këto janë shifra të paimagjinueshme për Kotbusin. “Ne nuk mund t’i lejojmë vetes gabime të mëdha, - thotë Hajdrihu, - madje edhe gabimet e vogla mund të na fundosin”.

Skela dhe shokët e tij janë duke ecur, prej vitesh, mbi një litar që nuk të lejon ekuilibër. Energia varet nga e drejta televizive dhe nga pozicioni në tabelë më shumë se çdo klub tjetër në Bundesligë, sepse 60 deri në 65 për qind të të ardhurave vijnë nga ky burim. Veçse, Lepshi dhe Hajdrihu kanë një kënaqësi të veçantë që Bundesliga e ka të paktën një skuadër lindore.

Të varfrit e “Stadiumit të Miqësisë” nuk mund t’i lejojnë vetes shpenzime dhe rroga të larta. “90 për qind e lojtarëve tanë kanë rroga të kategorisë së dytë”, - pohon menaxheri (pra rreth 15 000 euro në muaj), por Skela nuk bën pjesë ndër ta. Klubet gjermanë, përgjithësisht, i mbajnë rrogat e lojtarëve në kasaforta tepër të sigurta. Buxhetet jepen, por jo rrogat dhe vetëm media spekulon për to.

Skela është nga ata që ka provuar edhe qiellin, edhe tokën. Kur ishte në prag të kontratës me Bajerin e Leverkuzenin më 2004, sipas menaxherit të tij të atëhershëm Fali Ramadani, rroga do të ishte 1.2 milionë euro në sezon. Kur kaloi tek Arminia e Bilefeldit, bëhej fjalë për shumë më pak, jo më tepër se 20 000 euro në muaj, por besohet pa shpërblimet për gola, asiste apo merita loje.

Gjermania nuk është një vend që e jep paranë lehtësisht, aq më pak të pakushtëzuar. Sipas “Bildit”, vetëm trajneri i Volfsburgut, Feliks Magat, mund të marrë pa frikë mbi 1 milion euro rrogë vjetore, apo ndoshta edhe 3 milionë. Një “ujk” i vjetër si menaxheri i Bajernit, Uli Hënes, nuk shkon më lart se 1 milion (pa shpërblime), kurse menaxheri i klubit të Skelës, Hajdrihu, vlerësohet se merr rrogë vjetore prej 200 000 eurosh (gjithashtu, pa shpërblime). Po ashtu, Bojan Prashnikari (sipas mediave gjermane) merr vetëm 300 000 euro në sezon, duke qenë më i varfëri trajner i Bundesligës.

E Hene, 02 Mars 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›