Fatmir Xhafaj: Negociatat sekrete PS-PD
Pas disa tentativave të dështuara, më së fundi, dy partitë e mëdha e shohin veten në një marrëveshje të re, atë për reformën në drejtësi që shpresohet të hapë derën e fundin për integrimin në NATO. Besoni se afrimi i palëve është logjik apo i stimuluar?
Ideja për të realizuar një marrëveshje të qëndrueshme mes palëve për probleme madhore të vendit, kryesisht ato që kanë të bëjnë me rrjedhat integruese të vendit në strukturat Euroatlantike dhe konceptimin e reformave të qenësishme në vend, është shumë më e hershme. Megjithatë dua të them se për opozitën vazhdon të jetë një linjë sjelljeje normale, kurse mazhoranca pranoi të ulet në tryezë kryesisht e shtyrë nga faktori ndërkombëtar dhe jo nga principe të shëndetshme. Paralajmërimet për domosdoshmërinë e kësaj reforme për pranimin në NATO, ishin shtysa që i detyroi ata të pranojnë se nuk kishin tjetër mundësi zgjedhjeje. Ata arritën në këtë përfundim jo nga logjika, jo nga detyrimi për të shërbyer qytetarin, por si një pjesë detyrimi.
Besoni se periudha tre-katër mujore deri në Samitin e Bukureshtit është e mjaftueshme për të mbyllur një cikël që premtohet të mbyllet në drejtësi, por që realisht qëndron ende i hapur?
Ka një keqkuptim të madh në Shqipëri. Për ta shpjeguar një gjë të tillë, po ju jap një shembull që vjen nga Holanda e viteve më parë. Vetëm për të ndryshuar ligjin për Këshillin e Drejtësisë, ekuivalentin shqiptar të KLD-së, në Holandë pati një diskutim dyvjeçar, një analizë të thelluar të praktikës vendase, thithje të përvojës dhe ekspertizës së huaj e kështu me radhë. Vetëm pas dy vjetësh, ata arritën të prodhojnë një model që sot konsiderohet standard evropian. Të pretendosh se për këtë periudhë që ka mbetur deri në prill, për Samitin e Bukureshtit, do të mbyllet reforma në drejtësi, do të thotë ta paraqesësh vendin në një dritë që është pak të konsiderohet qesharake. Është thjeshtë e pamundur. NATO, më shumë se ligjet e shkruara apo premtimet në mijëra faqe për ato çka do të bëjmë, kërkon nga Shqipëria se sa është e mundur që ajo do të përqafojë procesin, sa di të ndjekë procesin normal të reformimit në këtë fushë, sa do të dimë ne të gjithë, të implementojmë filozofinë e bashkëpunimit. Reforma në drejtësi është një nga ato sipërmarrje të jashtëzakonshme politike, që nuk mund të realizohet nga një mazhorancë e caktuar në pritje që mazhoranca e radhës që do ta pasojë, të premtojë sërishreformë.
Si i konsideroni rolin e Presidentit në reformën në drejtësi?
Fatkeqësisht, Presidenti ka humbur disa shanse në mënyrë të njëpasnjëshme. Në mënyrën se si u soll me dosjen e Prokurorit të Përgjithshëm, shkarkimin dhe emërimin e tij, ai doli nga roli i tij si një palë mbi palët dhe ai u dëshmua sërish si nënkryetar klasik i PD. Keqkuptimi tjetër i madh, është se roli i Presidentit të Republikës në çështje të tilla është ai i një “katalizatori”. Përkundrazi, sipas atributeve në Kushtetutë, ai ka një rol përcaktues në drejtësi. Edhe në KLD, ku pretendohet se ai është i pari mes të barabartëve, ky lloj gjykimi është shumë empirik dhe i pamjaftueshëm. Të marrim emërimet në vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. Nga vendimmarrja e Presidentit të Republikës, varet në mënyrë të qenësishme dhe vetë struktura dhe cilësia e këtyre institucioneve të shkallës më të lartë të drejtësisë. Çdo gabim i mundshëm apo çdo hile prej partiaku në këtë drejtim, dëmton çatinë dhe një çati që pikon në këtë rast, do të dëmtojë për shumë e shumë vite themelet e drejtësisë, dëmton gjithë piramidën. Për të qenë më i qartë, le të kujtojmë se në çfarë mënyrë u kërkua që të linçohej politikisht ish-presidenti Moisiu vetëm sepse tejkaloi tre ditë vendimin e tij, për një vend të ngjashëm vakant në Gjykatën Kushtetuese.
PS,ka shpallur motivimin e saj për inicimin e një politike të re. Në çfarë faze ndodhen zhvillimet e brendshme në këtë parti dhe si po përgatiteni ju për zgjedhjet e 2009?
Partia Socialiste ka hyrë këtë vit paraelektoral duke përpunuar dy linja, apo thënë më saktë, duke u mbështetur në dy shtylla kryesore. PS po kërkon të përsoset në komponentin e saj organizativ dhe elektoral, në funksion të objektivave të saj politike dhe në përpilimin e një programi të ri politik e elektoral, për ta çuar atë në qeverisje. Ne e ndjejmë se gjithçka që ndodh në PS është nën vëzhgimin e publikut edhe pse gjithçka tek ne prodhon lajm, nëse do të përdorim këtë term mediatik. Sot ne po kërkojmë të ndërtojmë ekipet e nesërme të qeverisjes deri në strukturat kapilare, të identifikojmë menaxherët e nesërme. Ne nuk afrojmë thjesht dhe vetëm një individ, ne tregojmë atë sintoni ekipesh që do të qeverisin Shqipërinë nesër. Krejt e kundërta ndodh te kundërshtarët tanë. Poezia e vjetër e Majakovskit me vargun tingëllues, “Kur themi partia nënkuptojmë Leninin”, ngjan të jetë shkruar për PD, e cila realisht nënkupton vetë Sali Berishën. Fatkeqësisht apo fatmirësisht, Berisha nuk është Lenini. Edhe KOP-i i famshëm, truku kozmetik që ata përdorën përpara zgjedhjeve të 2005, ishte një përqasje e përthithje mekanike emrash dhe jo vizion i ri apo ide e re, ishin xhaketa të reja, për trupa e mendësi të vjetra.
E megjithatë, ju jeni detyruar të kërkoni dhe të afroni bashkëpunimin me këtë parti. Në disa raste, madje, këto kërkesa janë bërë dhe në mënyra informale e me negociata jashtë vëmendjes së publikut. Si do ta komentonit këtë fakt?
Kjo është normale. Kjo është pjesë e rregullave të lojës. Ne nuk mund të zhvendosemi diku tjetër dhe të themi se meqenëse nuk na pëlqen mënyra se si drejtohet, konceptohet apo bën politikë PD, po kërkojmë një partner tjetër. Ajo është ulur përballë nesh në tavolinën e shahut dhe me të duhet të luajmë. Problemi qëndron tek rregullat që do të ndiqen. Në traditën e politikës sonë pluraliste, nuk ka një komponent të qartë e të qëndrueshëm të komunikimit mes palëve. Kujtoni se në Gjermani apo në Austri “kundërshtarët” politikë, aktualisht, qeverisin së bashku. Në Shqipëri është larg kjo frymë. Është larg, sepse konfliktualiteti në politikë është shfrytëzuar nga liderët tradicionalë si një mënyrë për të sunduar secili ngastrën e tij. Është larg, edhe sepse intoleranca politike është një veti jo pak e përhapur në Ballkan dhe në viset tona ballkanike të politikës. Palët nuk janë dhe nuk mund të konsiderohen si armiq. Edhe në luftë, palët komunikonin, përcaktonin rregullat dhe bënin paqe, kur u duhej të mblidhnin të plagosurit. Kjo është universale. Unë shpresoj se Edi Rama, lideri i PS-së është ndoshta i pari që e ka kuptuar nevojën për ndryshimin në këtë pikë. Dhe përballë murit të heshtur të PD, ka përdorur mënyra të ndryshme për të hapur një derë edhe aty ku nuk kishte fare të tillë.
Ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë mes tij dhe Berishës?
Në dijeninë time, nuk ka pasur komunikime të tilla të drejtpërdrejta.
Në çfarë mënyre është kërkuar që të komunikohet me PD-në atëherë?
Sërish në dijeninë time, ka pasur të paktën tre tentativa të tilla, në të cilat jam përfshirë në një mënyrë apo në një tjetër. E para, ka qenë në nëntor të 2006, kur PD-së, që nënkupton Berishën, iu afrua një plan i detajuar masash emergjente në fushën e reformave esenciale në vend, të cilat kishin të bënin me detyrimet e vendit të përcaktuara nga rrjedhat integruese të vendit. Është përfolur gjatë atëherë, po ajo që nuk na thuhej ishte se paralelisht me PS-në, Berisha po përgatiste një pazar politik me Fatos Nanon që përfundoi me takimin e tyre në Pallatin e Brigadave, siç e shpjegova edhe më parë. Berisha priste që Rama të humbiste garën për Tiranën, çka sipas tij do ta skualifikonte dhe nga vetë partia. Ajo që afronim ne ishte krejt tjetër. Pranonim garën e ndershme dhe afronim sakrificë dhe kosto politike, për hir të vendit. Mos harrojmë se në PS, betejat më të mëdha mes kundërshtarëve janë bërë nën të njëjtin flamur e me të njëjtin flamur: “Ti je me Berishën, ty të pëlqen Berisha”. Në këtë mënyrë, janë ndarë të “mirë” e të “këqijtë” edhe brenda vetë PS-së. Kapërcimi i këtij ngërçi të traditës, dhe jo vetëm ngërçi psikologjik të mosbesimit, është në vetvete një arritje. Do të kursehesha në detaje, edhe pse do ta ishte e udhës që të përmendja që, shpesh, heshtja është më elokuente se fjalët e zgjatura.
Vetë Kryeministri ju ka përmendur juve në Kuvend, publikisht, si një nga negociatorët kryesorë në procesin e zgjedhjes së Presidentit të vendit. Si do të përgjigjeshit?
Edhe këtu ai gabon dhe deformon. Negociata së cilës ai i referohet, është krejt tjetër gjë. Në një aspekt tjetër, problemi këtu qëndron se në kod moral, në traditë apo dhe në Kanun, nëse do ta përmendnim atë, lajmësi nuk ka faj, lajmësi nuk fajësohet. Ka një kod heshtjeje që duhet respektuar dhe Berisha nuk e bën një gjë të tillë. Në thelb, negociatat politike në një shtrat të rrezikshëm, siç është politika shqiptare, më shumë se pronë e kureshtjes, duhet të jenë pronë e historisë atëherë kur vetë liderët të shkruajnë kujtimet e tyre.
Mund të thoni se cilët janë këta negociatorë mes palëve?
Në të vërtetë janë shumë pak. Negociatorët duhet të jenë të mandatuar nga liderët, të kenë besimin e tyre dhe mbi të gjitha, të mos kenë interesa të drejtpërdrejta vetjake, biznesi a të çdo lloji tjetër. Ka dhe negociatorë të tjerë të stisur, të rremë, që qarkullojnë lart e poshtë fjalë, por kjo është një kategori tjetër që shpik për arsye nga më të ndryshmet histori fantastike, që në thelb i dëmtojnë të gjithë.
Dhe, në fund, ju keni qenë dikur pranë vendimmarrjes së Nanos kryeministër dhe kryetar partie dhe tani konsideroheni pranë Ramës. Cili është pozicioni yt mes tyre?Ndoshta kjo pyetje do të ishte tema e një bisede të ardhshme.