E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi, agjenci fantazmë, oferta për vende pune

Mashtrojnë duke premtuar vende pune jashtë vendit, por në fakt punëkërkuesit nuk përfitojnë asgjë përveçse para dhe kohë të shpenzuar. Bëhet fjalë për agjenci punësimi fantazmë pasi në Ministrinë e Punës nuk ekzistojnë të licencuara, çka do të thotë se janë të paligjshme. Kështu, burime zyrtare të Ministrisë së Punës bëjnë të ditur se nga ankesat e personave dhe kontrollet që kanë bërë, rezulton të ketë disa agjenci punësimi të paligjshme dhe ndaj tyre do të ketë ndjekje penale. Ndërkohë ky dikaster bën të ditur se agjencitë e punësimit, në bazë të ligjit, nuk duhet t’u kërkojnë para punëkërkuesve kundrejt vendit të punës së ofruar pasi këto shpenzime duhet t’i mbulojë punëdhënësi.
Mashtrimi
Agjenci të ndryshme punësimi, të cilat ndodhen në Tiranë, jo vetëm nuk kanë qenë të licencuara por ofronin vende pune me oferta mashtruese, duke iu zhvatur para personave të cilët janë të interesuar për një vend pune jashtë shtetit. Kështu, Ministra e Punës bën të ditur se pas verifikimit të disa agjencive të punësimit, rezulton se gjatë
aktivitetit këto subjekte aplikojnë ndaj personave të interesuar tarifa regjistrimi apo shërbimi, gjë që është e ndaluar. “Në bazë të Vendimit që përcakton kriteret për Licencimin e Subjekteve Private të Punësimit, “shërbimet e agjencisë për punëkërkuesit janë falas”, pohojnë burime zyrtare të Ministrisë së Punës, duke shtuar se agjencia nuk duhet ta ngarkojë punëkërkuesin me asnjë detyrim financiar, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, me përjashtim të pagesës së shpenzimeve të nevojshme për plotësimin e dosjes administrative të çdo punëkërkuesi. Ndërkohë ata pohojnë se shpenzimet për shërbimin e ndërmjetësimit, të kryer nga agjencia, përballohet nga pala punëdhënëse. Agjencia po sipas burimeve zyrtare gjithashtu ka detyrim që të njoftojë punëkërkuesin për kushtet e punës dhe të punësimit, përpara fillimit të marrëdhënieve të punës.
Ndëshkimet
Ndaj të gjitha agjencive të punësimit të cilët mashtrojnë personat dhe veprojnë në kundërshtim me ligjin do të ndëshkohen. Kështu shprehen burime zyrtare të Ministrisë së Punës, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë tolerim. “Për subjektet abuzive do të kërkohet verifikimi dhe hetimi nga ana e institucioneve përkatëse, nëse subjektet konsumojnë elementët e figurës së veprës penale “Mashtrim”, të parashikuar në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”,- pohojnë burime zyrtare të Ministrisë së Punës. Sipas këtij dikasteri, në bazë të legjislacionit në fuqi, “agjencitë private të punësimit, si dhe çdo subjekt, vendas apo i huaj, i interesuar për qëllime punësimi, formimi profesional nëpërmjet punës, punësimi stinor ose punësimi ndërkufitar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, duhet të marrë një miratim zyrtar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, përpara se t’i bëjë publike ofertat përkatëse. “Ministria e Punës, për çdo rast të verifikuar të subjekteve që ushtrojnë aktivitet të palicencuar, ose të licencuar, por që veprojnë në kundërshtim me legjislacionin, do të marrë menjëherë masat e duhura, duke filluar nga kontrolli që do të ushtrojë Inspektorati Shtetëror i Punës, heqja e licencës nëse ka, njoftimi i organeve të Tatim-Taksave”,- pohojnë burime zyrtare.
Ministra e Punës: Aksion për verifikimin e agjencive
Aksion për kontrollin e të gjitha agjencive të punësimit dhe sidomos ndaj atyre që pretendojnë se janë të tilla, por janë të jashtëligjshme. Kështu shprehen burime zyrtare të Ministrisë së Punës, duke theksuar se kjo nismë ka filluar duke marrë shkas nga informacione për ushtrim aktiviteti në fushën e ndërmjetësimit për punësim jashtë vendit në Tiranë, por jo vetëm të subjekteve private, të cilat pretendojnë se janë Agjenci Punësimi. Kështu ky dikaster deklaron se, mbështetur në kompetencat dhe përcaktimet që i ka njohur ligji, në bashkëpunim edhe me Inspektoratin Shtetëror të Punës ka filluar verifikimet përkatëse për të vlerësuar nëse veprimtaria e këtyre subjekteve është në përputhje me rregullimet ligjore dhe nënligjore në fuqi. “Subjektet e palicencuara nga Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në mbështetje të Ligjit “Për nxitjen e punësimit” (i ndryshuar), Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për mënyrën e licencimit dhe të funksionimit të agjencive private të punësimit, janë të jashtëligjshme”,- pohojnë burime zyrtare të ministrisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›