E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmira Hajdari: Basha, kompetenca jonë

Tiranë-Fatmira Hajdari është gjyqtarja që do të vendosë nëse do vazhdojnë apo jo hetimet për ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. Në seancën e sotme gjyqësore, është marrë në shqyrtim kërkesa-padia e ngritur nga avokati i Bashës, Zef Nikaj për shfuqizimin e fletë-thirrjes për cilësimin e Bashës si i pandehur. Mbrojtja ka kërkuar që të ndërpriten hetimet për klientin e tij pasi janë të paligjshme. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë vendosi sot të marrë në shqyrtim kërkesë -padinë e ngritur nga Nikaj. Në këtë mënyrë, gjyqtarja Hajdari vendosi të rrëzojë kërkesën e Prokurores së Përgjithshme për mos marrjen në gjykim të kësaj kerkese dhe kalimin e kompetencës tek Gjykata e Lartë. Dy ditë më parë Ina Rama i kërkonte Gjykatës së Tiranës të shpallte moskomptencë për këtë çështje dhe t’ia kalonte për gjykim, Gjykatës së Lartë, sepse Basha eshte deputet.

Gjyqtarja Hajdari, bashkëshorte e liderit të demokracisë, Azem Hajdari, në përfundim të seancës tha se “shqyrtimi i kësaj kërkesë- padie është kompetencë e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë”. Pra do të jetë ajo që do të vendosë se çfarë do të bëhet me dosjen “Basha” dhe jo Gjykata e Lartë. Keshtu ajo vendosi të rrëzojë  kërkesën e bërë nga Prokuroria së Përgjithshme për shqyrtim të kësaj çështjeje nga Gjykata e Lartë.

Zef Nikaj, mbrojtësi ligjor i ministrit Basha, që akuzohet për shpërdorim detyre në ndërtimin e rrugës “Durrës-Kukës”,  ngriti pak ditë më parë  kërkesë-padinë në Gjykatën e Tiranës, për një sërë shkeljesh të  kryera nga organi i akuzës lidhur me veprimet proceduriale ndaj klientit të tij. Sipas tij me vendim gjykate që më datë 18 nëntor janë ndërprerë hetimet për Bashën sepse ka përfunduar afati ligjor. Rihapja e hetimeve sipas tij është shkelje ligjore.

Kreu i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, akuzohet nga Prokuroria e Tiranës per shkelje gjatë kohës që kryente funskionin si ministër i Transporteve. Sipas Prokurorit, Arben Kraja, Basha i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 230 milion eurosh. Nën akuzë për shpërdorim detyre është edhe vartësi i tij, ish-drejtori i Rrugëve, Andi Toma. Për këtë të fundit, mbrojësi i tij, Genc Gjokutaj kërkoi sot që të ndërpriten hetimet pasi kanë përfunduar afatet. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›