Gazi italian, nuk zbardhet kontrata
TIRANË- Grupi italian, “Falcione”, prezantoi dje detajet e projektit të ndërtimit të impiantit të përpunimit të gazit, si dhe të ndërtimit të gazsjellësit, i cili do të transportojë këtë produkt përtej Adriatikut. Në konferencën e shtypit, ku të pranishëm ishin ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli dhe presidenti i grupit “Falcione”, Edmond Falcione, u prezantua investimi prej rreth 1 miliard eurosh, i cili pas firmosjes nga auoritetet përkatëse, pritet të zbatohet në terren. Në fjalën e tij, ministri Ruli e vlerësoi projektin, duke thënë se në këtë mënyrë mundësohet pjesëmarrja e Shqipërisë në tregun e gazit. “Ky projekt bën të mundur përshpejtimin e hapave për lidhjen e vendit tonë me sistemin europian të gazsjellësve”, - shtoi ministri. Sipas kontratës, parashikohet që ky impiant rigazifikimi të përpunojë 8 miliardë m³ gaz në vit, nga të cilat 500 milionë do t’i përfitojë Shqipëria. Referuar ministrit, 150 milionë m³ do të përdoren për TEC-in e Vlorës dhe pjesa tjetër parashikohet të shkojë për industritë e tjera dhe për përdorim familjar. Ruli deklaroi gjithashtu se, në kontratën e nënshkruar, shteti shqiptar ruan të drejtën për t’i kërkuar kompanisë rritjen e kapaciteteve, duke marrë parasysh kërkesën e tregut të brendshëm. Në dokumentin e lexuar nga presidenti i grupit italian, Edmond Falcione, thuhet se ndërmjet të tjerash, qeveria shqiptare ka të drejtën të përfitojë nga kompania sasi të caktuara gazi, deri në 500 milionë metër kub në vit, me një çmim konkurrues. Gjatë konferencës për shtyp, të pranishmit nuk bënë të ditur asnjë detaj në lidhje me çmimin që ky gaz do t’i ofrohet Shqipërisë. Përveç termit, “çmim konkurrues”, nuk u dha asnjë detaj më tepër, se në çfarë raporti me çmimet e tregut ndërkombëtar, shqiptarët do të përfitojnë nga ndërtimi i kësaj vepre madhore. Për sa u përket shqetësimeve në lidhje me ndotjen e ambientit, ministri Ruli siguroi se në kontratë është parashikuar që kompani të përdorë teknologjinë më të fundit në realizimin këtij projekti. Po në lidhje me këtë, z. Falcione përmendi edhe lejen që Ministria e Mjedisit ka lëshuar në qershor të vitit 2007 për këtë projekt. Pjesë e këtij projekti do të jenë edhe ndërtimi i një terminali për ankorimin e anijeve dhe të një gazsjellësi Levan-Brindisi. Si arsye të zgjedhjes së Shqipërisë për realizimin e këtij projekti, presidenti i grupit, Falcione, përmendi planet që kompanie tij ka për t’u përfshirë në tregun ballkanik të gazit. “Ky projekt pritet të realizohet për një periudhë 5-6 vjeçare dhe do t’i shërbejë jo vetëm vendeve si Shqipëria dhe Italia, por edhe pjesës tjetër të rajonit”.
Projekti
Projekti prej 1 miliard eurosh do të realizohet në Levan të Fierit, në një largësi 0.6 km nga deti dhe do të shtrihet në një sipërfaqe toke prej 30 hektarësh. Në këtë sipërfaqe do të ndërtohen, impianti i rigazifikimit, terminali i shkarkimit të gazit, dy depozita dhe sistemi i shkarkimit. Gazi do të vijë në formë të lëngshme, në një temperaturë -162 gradë Celsius, kryesisht nga vendet e Afrikës Veriore, me anë të tankerave. Pas shkarkimit të gazit në depozita, do të nisë procesi i kthimit të tij në gjendje të gaztë, për të bërë të mundur më pas pompimin e tij nëpërmjet gazsjellësit për në Itali. Ky projekt konsiderohet i filluar pas firmosjes së tij dhe parashikohet të hyjë në shfrytëzim në vitin 2014. Për sa i përket gazsjellësit, ai parashikohet të jetë 135 km, nga të cilat 120 do të jenë nën ujë. Ai do të ketë një diametër 28” në dalje nga Shqipëria dhe 42” në shkarkim. Po ashtu, parashikohet që të pompohet me presion 120 Bar nga Levani, duke zbritur në 75 Bar në Brindisi. Gjatë procesit të ndërtimit parashikohet të punësohen deri në 1000 persona dhe 130, pasi ai të hyjë në shfrytëzim.