E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Vendimi i Topit për Kodin, i bazuar në Kushtetutë

Deputeti Ngjela shprehet se ky është vendim mbi palët

TIRANË- Deputeti Spartak Ngjela, ka mbështetur dje qëndrimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për të mos dekretuar Kodin Zgjedhor. Ai e ka konsideruar si një çështje mjaft të rëndësishme, argumentin që Topi dha, për mos dekretimin e Kodit.

“Është krejt normale. Procedura është afat. Mos dëgjoni këta që thonë që janë gjëra teknike. Vetëm barbaria nuk e koncepton dot afatin procedural. Demokracinë e mbajnë afatet dhe procedurat, nuk e mbajnë fjalët”,- tha ai. Deputeti Ngjela nuk ka dashur ta interpretojë veprimin e Topit si përkrahje ndaj askujt, por si një mospërputhje afatesh midis atij që përcakton ligji dhe asaj që thuhet në Kushtetutë. “Problemi qëndron që ka një kontradiksion midis afatit që duhet të respektojë Presidenti, në funksion të ligjit, dhe afatit që ka vënë Kushtetuta. Nuk kanë konkordancë me njëri-tjetrin, njëri nga afatet do të ndryshojë, ose do të zvogëlohet ky i Presidentit, ose do ndryshojë ai tjetri. A e kanë bërë qëllimisht, a e kanë bërë nga padija, kjo pak rëndësi ka. E rëndësishme është që ky është kontradiksioni”,- tha Ngjela. Edhe Partia Socialiste, dy ditë më parë, ka shprehur gatishmërinë për të marrë në konsideratë ndryshimet e kërkuara nga Presidenti i Republikës, edhe pse ekspertët e PS-së e kanë pasur një përgjigje për dekretin e Topit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›