E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, qytetar nderi në Margegaj

Në prag të vizitës së tij në Tropojë, kryeministri Berisha shpallet “Qytetar Nderi” në komunën Margegaj. 

TROPOJE/ JONUZ HALLAÇI

Vendimi ka qenë unanim nga gjithë këshilltarët komunalë, të majtë dhe të djathtë, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Komunës. Propozimi është bërë nga pjesa më e madhe e banorëve të 10 fshatrave të komunës, e cila nuk është vendlindja e Berishës, pasi fshati i tij i lindjes, Viçidol ndodhet në komunën Tropojë e Vjetër. Në motivimin e nderit të komunës, këshilltarët dhe kryetari i komunës, Rexhë Biberaj thanë se ky titull i jepej kryeministrit për vëmendjen e tij dhe përkushtimin në dhënien e fondeve për përmirësimin e infrastrukturës në këtë komunë, ku turizmi malor, Valbona dhe parku kombëtar i japin impulse zhvillimi Margegajve. Në fakt, komuna falë dhe përkushtimit të kryetarit të saj, Rexhë Biberaj, përfaqësues i PD-së ka arritur të marrë financime për projekte madhore, që shkojnë deri në 10 milionë euro.
Kryetar, cili është motivacioni i dekorimit të kryeministrit?
Ka qenë një vendim unanim i gjithë këshilltarëve dhe propozim i banorëve të komunës, që kryeministri Sali Berisha në prag të vizitës së tij në Tropojë të shpallet qytetar nderi i komunës sonë. Ky vendim unanim u mor për kontributin që ka dhënë kreu i qeverisë në financimin e projekteve madhore të komunës, gjë që ka bërë të ndryshojë jetesa e 4 mijë banorëve dhe të hapen perspektiva të reja me financimet e dhëna duke e bërë këtë komunë, që është e bekuar nga Zoti, të jetë dhe në vëmendjen e qeverisë dhe të investimeve.
Konkretisht, cilat janë këto investime?
Kemi investime në të gjithë sektorët, në arsim, shëndetësi, ujësjellës, rrjetin elektrik etj., por projekti më madhor është ai i rrugës së Valbonës me 8 milionë euro, çka ka bërë që të rikthehet vëmendja e turistëve në këtë perlë të vendit tonë. Është dhe ujësjellësi që furnizon banorët, por dhe qytetin e Bajram Currit me ujë të pijshëm që pritet të inaugurohet këto ditë me vlerë 2 milionë euro dhe plot projekte të tjera që synojnë zhvillimin e infrastrukturës deri në kufi me Malin e Zi, ku do jetë dhe pika e kalimit të kufirit.
Sa turistë e kanë vizituar këtë vit komunën?
Sivjet, falë investimeve të dhëna ka pasur një bum të turistëve të huaja e vendas, që llogariten rreth 20 mijë. Natyrisht që investimet e tjera për rrugët, hotelerinë, dritat dhe ujin do të sjellin shumë më tepër turistë dhe të ardhura për vendin dhe banorët. Parku kombëtar me 25 mijë ha pyje të mrekullueshëm, lugina e Valbonës si dhe lidhja me Malin e Zi janë resurse të padiskutueshme, që komuna jonë me mbështetjen e qeverisë të jetë një komunë model.
Po rendi dhe qetësia?
Komuna e Margegajve njihet si zonë tradicionale për një rend e qetësi të garantuar jo vetëm tani, por dhe në gjithë vitet e tranzicionit. Turistët e huaj ecin dhe flenë jashtë përditë dhe nuk ka pasur asnjë incident. Ata janë të mirëpritur dhe kjo mikpritje ka bërë që t’i rikthehen vazhdimisht turistët nga Gjermania, Holanda, Çekia e vende të tjera të Evropës.

Vizita e Berishës në Tropojë

Kryeministri Sali Berisha pritet të vizitojë vendlindjen e tij, Tropojën pas 12 viteve. Vizita e fundit e tij ka qenë në vitin 1997, gjatë fushatës elektorale të 29 qershorit, kur Berisha ishte president i vendit, në atë kohë të përfshirë nga trazirat e fajdeve. Edhe në atë miting të fundit të Berishës në Tropojë pati incidente mes përkrahësve të tij dhe të opozitës. Madje një sherr mes Haklajve të majtë dhe Hoxhajve të djathtë, bëri që më pas kalvari i zënkave të vijojë për vite të tëra dhe me viktima të shumta. Në Tropojë ku pritet të mbërrijë kryeministri pas pak ditësh ndihet atmosfera e pritjes, pasi tashmë realiteti i rendit dhe qetësisë është krejt ndryshe. Agjentët civilë janë instaluar në qytetin verior dikur shumë problematik, ku nuk ka shkelur as lideri disavjeçar i PS-së, Fato Nano. Të vetmit liderë janë Meta dhe Majko.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›