E Diel, 1 Nëntor 2026

Besim Zekthi, ndez skenën me Shqipja më dha krahë

Recitali koreografik, me krijimtarinë 50 vjeçare të mjeshtërit të madh të valles shqiptare

Vallet e interpretuara prej tij janë plot mjeshtëri profesionale Dinamika e këtij valltari ka mahnitur mijëra e mijëra spektatorë si në skenën shqiptare ashtu dhe jashtë saj. Valltari i madh shqiptar, koreografi i njohur i valles shqiptare Besim Zekthi u rikthye në skenën e

TKOB me një koncert folklorik, ku i gjithë repertori ishte i përgatitur me koreografi nga ai. Ashtu si vite më parë, ai dhe në këtë koncert të titulluar Shqipja më dha krahë, që ishte i mbushur me folklorin e pasur shqiptar me koreografinë e ndërtuar nga mjeshtri Zekthi, ai mahniti publikun në sallë, i cili nuk i kurseu duartrokitjet për këtë mjeshtër të madh të valles. Një repertor i zgjedhur, me pjesët më të mira të krijimtarisë artistike të mjeshtrit të madh erdhën mbrëmë për gjithë admiruesit e këngës dhe valles popullore nën interpretimin e solistëve të grupit të valleve të AKKVP drejtuar nga Rexhep Çeliku. Ndërkohë që, kjo krijimtari e 50 viteve të karrierës artistike të Zekthit erdhi tek publiku nën tingujt e orkestrës së TKOB dhe grupit vokal drejtuar përkatësisht nga Vladimir Hasimi dhe Gramoz Burba. Të veçanta gjatë kësaj mbrëmjeje artistike ishin edhe interpretimet e solisteve Sabahet Vishnja dhe Irini Qirjako, e ndërkaq edhe të ftuarit ishin po aq të njohur. Emra të dashur për publikun si Myfarete Laze, Arif Vladi dhe Fatmira Breçani kënduan këngët më të bukura nga repertori i tyre ndër vite. Recitali koreografik Shqipja me krahë i mjeshtrit të valles Besim Zekthi, solli për disa orë mbrëmë një atmosferë ndryshe, ku folklori shqiptar rrodhi i pastër ashtu si ai është krijuar nga të parët tanë. Ky artist i njohur ka ardhur, duke u rritur nga vallja në valle, nga premiera në premierë. Kërcimtar plot temperament, energjik, i lehtë, me një mimike shumë të pasur dhe ekspresive, interpreton dhe kërcen me gjithë shpirt. Tek loja e tij shikohen fare qartë përsosmëritë teknike, eleganca e trupit, shkathtësia artistike, saktësia profesionale me të cilat si një të tërë ja komunikon e përçon më shumë art spektatorit. Në ekzekutimet e valleve ai dukej si shqiponjë e madhe, impozante e skalitur mes shqiponjave të tjera përreth. Nuk ka skenë të Shqipërisë, nuk ka qytet apo fshat ku këmbët e zhdërvjellëta të këtij artisti të mos kenë kërcyer. Çdo herë vallet i ka pasuruar me lëvizje të reja, me nuanca të reja, me figura të reja. Këto i ka zbuluar në folklorin e pafund të territorit shqiptar i ka mësuar, i ka përpunuar, pasuruar dhe shumë të freskëta i ka debutuar në skenë me art. Jeta e tij artistike është e lidhur fort me jetën koreografike të kësaj trupe. Këtë e kanë vërtetuar një seri vallesh të vena nga ai me sukses. Edhe jashtë kufijve të atdheut ky artist ka debutuar disa herë me shumë sukses.


Nga aktiviteti artistik i Besim Zekthit
Ka shkëlqyer në mjaft shtete të Ballkanit, Evropës, Azisë dhe Afrikës, duke e cilësuar si një shqipe me kthetra, shqipe me flatra të arta. Repertori i tij në Ansambël (1957-1990) përfshin 200 valle të interpretuara, ku ka qenë si solist kryesor, duke realizuar me qindra figura artistike të cilat janë të fotografuara në memorien artistike të gjithë shikuesve në mbarë brezat shqiptarë. Për talentin punën dhe virtuozitetin në interpretimin e valleve popullore është vlerësuar me dhjetëra çmime dhe trofe te ndryshme, deri tek ai i fundit që mban sot, Mjeshtër i Madh. Ndër vallet më të spikatura të tij rendisim, Vallja e Shqipeve; Festë të Madhe ka sot Shqipëria që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në Festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970 e plot të tjera me motive çame, mirditore, tiranase, dibrane, etj.

Nga Julia Vrapi

Last Updated on Wednesday, 12 May 2010 21:31

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›