Altin Basha: Teatri duhet të kthejë sistemin, shteti të krijojë struktura për iniciativa të lira
Është pa dyshim një prej emrave më të njohur artit shqiptar, i cili sot konsiderohet një emër i suksesshëm në jetën artistike shqiptare. Regjisori i njohur Altin Basha falë pasionit dhe talentit sot është njeriu, i cili vlerësohet dhe admirohet jo vetëm nga publiku,
por dhe nga miq, kolegë dhe studentë të tij. Me një jetë artistike të ngjeshur, ai ka sjellë para publikut shfaqja të ndryshme teatrore, duke ngjitur në skenë aktorë të njohur, ndërkohë që sot ai sot konsiderohet si një nga regjisorët, i cili më shumë s kushdo tjetër përkrah të rinjtë. Veç teatrit skenik, regjisorin Altin Basha e njohim dhe si njeriun që realizon spektaklin më të madh të humorit Portokalli. Regjisori Basha gjatë aktivitetit të tij artistik spikati para disa vitesh midis shumë regjisorëve të rinj dhe tashmë është konsoliduar në krye të trupës së madhe, që solli një erë të re në historinë e humorit shqiptar. Altin Basha, është regjisor dhe pedagog i mjeshtërisë së aktorit në Akademinë e Arteve. Ai është i njohur për publikun shqiptar dhe të huaj për frymën eksperimentale, kërkimet teatrore dhe estetikën alternative të shprehur jo vetëm në vënien në skenë të autorëve klasikë dhe veçanërisht Shekspirit me Shtrëngata, Ëndrra e një nate vere, Nata e dymbëdhjetë etj, por edhe në produksionet e dramaturgjisë moderne të autorëve të tillë si Majakovski Banja, Beket Keq e më keq, Kadare Nëpunësi i pallatit të ëndrrave etj. Si një prej njerëzve që e do dhe punon me pasion për profesionin e tij, njeriu i cili nuk lodhet kurrë për të bërë art, në këtë intervistë dhënë për gazetën SOT flet dhe mbi problemet që has sot arti shqiptar, duke vënë theksin tek arti skenik. Në këtë intervistë ai pohon se i qëndron idesë që të gjitha zgjidhjet mund të vijnë me anë të atij mekanizmi që quhet ndryshe edhe ligji i teatrit. Sipas tij, ky ligj presupozon që shteti i heq vetvetes atributet e fondacionit kulturor, ku të gjithë kërkojnë fonde për të bërë projektet e tyre, por fondi i madh i teatrit kthehet në fond publik, ku iniciativat e lira në bazë të disa rregullave të konkurrencës mund të ndërtojnë projektet tyre si artistike ku të punësohen njerëz të cilët në të vërtetë janë cilësorë në tregun e teatrit. Më tej në vijim të kësaj interviste ai na zbulon dhe diçka rreth projekteve të tij artistike.
-Si e shikoni idenë për krijimin e Teatrit Kombëtar të Komedisë?
Ne duhet të bëjmë një ndarje thelbësore si fillim,mes kompanisë teatrore dhe asaj që quhet institucion teatrore. Mua më duket një ide absurde mënyra e ndërtimit të teatrit të komedisë. Formula e ndërtimit të tij në thelb do të thotë që të krijojmë një institucion tjetër të varur nga fondet e shtetit, ku do të punësohen një numër i caktuar njerëzish, të cilët do ta kenë këtë status të përjetshëm, pavarësisht statusit të tyre artistik, i cili mund të ndërrojë nga viti në vit. Kur flas për statusin tyre unë nënkuptoj nivelin e tyre profesional. Në këtë kuptim do të kemi një institucion po aq të mbyllur sa çështë Teatri Kombëtar. Një institucion, i cili repertorin tij e ka të varur nga politikat shtetërore. Në këtë kuptim ajo që quhet pavarësi artistike do të jetë shumë e vështirë për tu realizuar, aq më tepër kur bëhet fjalë për një institucion të humorit. Ky teatër natyrshëm do të jetë një institucion që do ti shërbeje qeverisë për interesat e saj publicitare. Sigurisht që është e mirëpritur ideja e ndërtimit të këtij institucioni, por ama ai të jetë i ndërtuar mbi modelet e tregut të lirë, i cili në themel ka konkurrencën e vlerave dhe jo përcaktimin e tyre nga një grup pune, i cili sot është dhe nesër nuk është, apo të një grupi njerëzish, të cilët pas dy vitesh mund të jenë të papranueshëm profesionalisht dhe mund të ketë të tjerë të cilët mund të jenë profesionalisht të pranueshëm dhe mund të ketë të tjerë të cilët mund ta pranojnë atë status. Unë i qëndroj idesë që të gjitha zgjidhjet mund të vijnë me anë të atij mekanizmi që quhet ndryshe edhe ligji i teatrit. Ky ligj presupozon që shteti i heq vetvetes atributet e fondacionit kulturor, ku të gjithë kërkojnë fonde për të bërë projektet e tyre, por fondi i madh i teatrit kthehet në fond publik, ku iniciativat e lira në bazë të disa rregullave të konkurrencës mund të ndërtojnë projektet tyre si artistike ku te punësohen njerëz të cilët në të vërtetë janë cilësorë në tregun e teatrit.
-Sa i takon ligjit mbi teatrin ai ka ngjallur goxha debate në qarqet artistike?
Ky ligj ngjall debate, sepse ne akoma nuk mund të shkëputemi nga mentaliteti i punësimit të përjetshëm. Përgjithësisht komunitetet e artistëve kanë nevojë për garanci të gjata në jetën profesionale, mirëpo ajo që ndodh është se këto garanci të gjata mbeten vetëm punësime afatgjata, të cilat nuk mund të nxisin rritjen e cilësisë artistike, megjithatë disa institucione një ose dy sigurisht mund ta ruajnë statusin tyre siç është TK, një teatër i financuar nga shteti. Gjithsesi unë mendoj se ky institucion duhet ti nënshtrohet një reforme të thellë, sa i takon strukturës administrative dhe artistike. Ne kemi akoma 20 vjet që ne diskutojmë për faktin që është një trupë e mbyllur, e cila nuk pranon artistë të rinj në gjirin e saj me status të përjetshëm. Nuk ekziston asnjë mekanizëm vlerësues i punës se tyre. Ky diskutim ka qenë dhe para viteve 90. Është debati i përjetshëm midis talentit dhe mediokritetit. TK duhet ti nënshtrohet mekanizmave të cilët vlerësojnë cilësinë artistike të artistëve dhe të përcaktojnë ata që e meritojnë me të vërtetë të jenë pjesë e kësaj trupe artistike, që duhet të jetë kombëtare që për mua nuk është kombëtare, pasi kombëtare do të thotë të mbledhë vlerat e të gjithë Shqipërisë.
-Reformat gjithmonë janë shoqëruar me debate...?
Sigurisht që disa artiste kanë frikë ta humbasin statusin e tyre të përjetshëm, mirëpo ka një problem esencial :Shqipëria ka ndërruar sistemin. Iniciativa e lirë do të thotë një treg i ri i artit. Rezistenca dhe përdorimi politik i artisteve ka bërë që të gjitha qeveritë të tërhiqen pas. Një gabim tjetër që është bërë pas vitit 1994-95 ka qenë ai që quhet kooperativizim i institucioneve kulturore, që në teatrot e rretheve kanë ekzistuar 4-5 institucione kulturore si teatrot e rretheve, bibliotekat etj, të cilat janë përmbledhur në një qendër kulturore dhe janë institucione të cilat iu është hequr statusi i institucioneve te pavarura. Fjala vjen drejtor i teatrit të qytetit të Durrësit apo të Korçës është konsideruar përgjegjës. Ky grumbullim institucionesh u kalua në varësi të bashkive, ky ishte një gabim i madh pasi ne e dimë që të gjithë se bashkitë e qyteteve vuajnë për fonde. Në çdo reduktim fondesh i pari që preket është fondi kulturor, dhe sigurisht që në këto bashki jo gjithmonë kanë qëlluar njerëz, të cilët kanë qenë pro artit. Ne disa qytete që ka një indiferencë të vazhdueshme ndaj teatrit dhe sigurisht kjo ka sjellë edhe rrënimin e jetës kulturore në qytete. Teatrot nuk kanë me atë vlerë ose atë imazh që ata kanë pasur para se ata të kooperatizoheshin. Ky është një gabim shumë i madh i cili sëbashku me ligjin e teatrit duhet të rikthehet për tu diskutuar. Të vendoset mbi një formule te qarte çfarë do të bëhet me këto fonde dhe me këto institucione. Sipas mendimit tim duhet ndjekur strategjia e institucioneve të hapura dhe interesat e bashkive për produktin kulturor duhet të jenë opsione të hapura për të cilat duhet të konkurrojnë alternativat e reja artistike pavarësisht nga çqytet vijnë. Në këtë mënyrë do të krijojmë atë që quhet tregu i lirë i teatrit apo i artit. Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm i asaj që ne mund ta quajmë reforma e madhe në fushën e artit skenik, është edukimi i spektatorit. Fatkeqësisht për këtë flitet shumë pak. Për këtë nuk ekziston asnjë strategji. Brezi i ri e ka humbur refleksin për të ardhur në teatër. Pyetja është se si do ta kthejmë ne këtë brez në teatër, si do ta mbajmë që ai të jetë i interesuar ndaj këtij arti. Kanë ekzistuar forma para viteve 90, por ata i shërbenin shtetit dhe inter