Fatos Haxhiraj, regjisori per te cilin kishim mall
Pas 20 vitesh mungesë në skenën teatrore shqiptare, rikthehet legjenda e aktrimit dhe regjisurës, Fatos Haxhiraj. Ai mbahet mend për rolin e Aleksit te filmi “Fytyra e dytë”. Ka qenë një ndër aktorët që ka pasur fatin e madh të luajë përkrah ikonave të skenës shqiptare, si: Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Prokop Mima, Ndrek Shkjezi, Gjon Karma, Besa Imami, Drita Pelingu, Marie Logoreci e shumë artistë të tjerë. Në një intervistë për “Albania Weekend” ai tregon detajet e dramatizimit të veprës së Ismail Kadaresë dhe përzgjedhjen e aktorëve. Pasi i ka munguar për një kohë të gjatë publikut shqiptar, Fatos Haxhiraj rikthehet si një regjisor me një pjesë të dramatizuar kombëtare. Pasioni për artin dhe teatrin kanë bërë që Fatosi të jetë një aktor dhe një regjisor i njohur i Teatrit Kombëtar që në vitet ‘60-‘80. Ai e nisi rrugën drejt artit që në moshë të re, pasi kishte besim në vetvete se do të arrinte të bëhej një mjeshtër në fushën e aktrimit dhe të regjisurës. Fatos Haxhiraj është një prej aktorëve dhe regjisorëve më të talentuar të teatrit dhe kinemasë shqiptare, i cili ka një pafundësi veprash dhe personazhesh në galerinë e tij. Ai tashmë është bërë një prej emrave më të suksesshëm, i cili, për atë që ka sjellë me interpretimin e tij, ka marrë vlerësimin e publikut dhe të mjeshtërve të skenës.
ǒdo të thotë për ju të jesh një regjisor dhe të ndërtosh një jetë artistike mbi këtë profesion?
Njeriu ndonjëherë nuk flet dot për profesionin e tij, se çfarë do të thotë kjo gjë apo si është ndërtuar kjo gjë. Në art shpeshherë gjërat ndodhin edhe rastësisht, pasi unë personalisht jam diplomuar për aktor dhe orientimi drejt regjisurës në fillim është vënë re nga disa kolegë të mi. Gjithmonë më kanë orientuar të shkoja drejt regjisurës. Ta ndërtosh jetën tënde mbi regjisurën, e para e punës do të thotë se duhet të jesh shumë i vëmendshëm në kërkesat që kërkon një spektakël. Një aktor shikon vetëm rolin e tij. Ai mund ta shikojë rolin e tij, por duhet të shikojë dhe veten e tij se si qëndron në një dramë. Regjisori duhet t’i shikojë të gjithë komponentët që ka një spektakël. Duhet të shikojë se si qëndrojnë aktorët, kush aktor mund ta bëjë këtë rol, çfarë muzike do të hyjë këtu, të ndiejë frymëmarrjen, të ndiejë ritmin e shfaqjes, sidomos kur je duke vënë shfaqje. Jeta e një regjisori është e lidhur me spektaklin, me aktorët, me personazhet. Të gjithë regjisorët përshkohen nga një dhimbje artistike që nga momenti që marrin dramën dhe derisa ta shfaqin. Por edhe kur e shfaqin ai duhet të jetë edhe si kontrollor, të ndihmojë edhe aktorët që t’i qëndrojnë interpretimit të tyre. Ndonjëherë duket sikur është edhe baba, si të them babai i gjithë këtyre aktorëve. Për mendimin tim këtu është çelësi dhe vështirësia e regjisorit. Nëse je një babai i mirë, mund të dalë dhe familja e mirë, që në këtë rast janë trupa e aktorëve.
Pse pikërisht regjinë dhe jo ndonjë profesion tjetër? Çfarë keni gjetur te regjia?
Para 30-40 vitesh, kur rrija këtu në teatër, shikoja ca regjisorë dhe kolegë se si e ndërtonin një spektakël. Që këtu kanë qenë fillimet dhe dëshira për t’i hyrë rrugës së regjisurës, megjithëse shpesh më kanë thënë që kam bërë gabim që e kam lënë aktrimin. Në fakt, as vetë nuk e dija se ku isha më mirë: te regjisura, apo te aktrimi.
Shquheni për një disiplinë të rreptë në punën tuaj si regjisor. Si ka ardhur kjo disiplinë artistike te ju?
Në jetën e përditshme nuk jam shumë i disiplinuar dhe strikt. Këtë disiplinë që ndjek në punë ma kanë dhënë pedagogët e mi si Kujtim Spahivogli, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka. Ajo erdhi dhe u forcua më shumë me ardhjen time në teatër, ku në atë kohë kishte një disiplinë të hekurt. Qysh në momentin që fillova punë në teatër kjo disiplinë u rrit me kalimin e kohës. Në teatër nuk ka punë individuale, por ka punë ansambël. Pa disiplinë në punë nuk mund të kesh një situatë të këndshme. Puna për mua fillon me disiplinën artistike, që është germa “A” e këtij profesioni. Janë disa faktorë që realizojnë këtë disiplinë artistike: serioziteti, studimi, kultura individuale qoftë e regjisorit, qoftë e aktorit, talenti dhe bashkëpunimi i ngrohtë midis regjisorit dhe aktorit. Kam pasur fatin që kam luajtur dhe kam qenë regjisor i të madhit Kadri Roshi, Sul Pitarka, Prokop Mima, Ndrek Shkjezi, Gjon Karma, Besa Imami, Drita Pelingu, Marie Logoreci e shumë artistë të tjerë. Nga një shkollë që mbarova erdha në një shkollë tjetër, e cila dukej më e lehtë, por ishte shumë më e vështirë. Ka qenë kjo disiplinë artistike që e bëri skenën e teatrit tonë një tempull të artit. Edhe pse kanë kaluar 20 vjet që jam larguar nga skena shqiptare, unë kam mall për ata kolegë dhe aktorë që e kanë ngritur magjinë e teatrit në nivelet më të larta.
Jeni pjesë e një plejade të shquar të artit shqiptar. Keni qenë përkrah personaliteteve të shumta të teatrit. Si jeni ndjerë?
Kam bashkëpunuar në dy spektakle, “Prometeu” dhe “Unë dhe flamuri”, me regjisorin Pirro Manin. Profesioni i regjisurës kërkon shumë studim. Përfiton shumë kur je pjesë e një teatri ku ka regjisorë të mirë. Një teatër që ka në përbërjen e tij një plejadë të shquar artistësh, dalin dhe regjisorë të mirë. Një teatër që ka aktorë të mirë, në vazhdimësi dalin aktorë të mirë. Unë kam pasur fat që kam punuar përkrah pedagogëve të mi dhe mbi të gjitha ne kemi qenë edhe shokë. Kur ke bërë një gjë të mirë më përpara dëshiron që atë të mirë ta sjellësh dhe tani në skenë për publikun.
Jeni një familje e përkryer artistësh; me një bashkëshorte aktore dhe një bashkëshort regjisor. Çfarë mund të na thoni?
Çdo gjë që kam arritur ia dedikoj bashkëshortes time, Drita Haxhiraj, edhe pse ajo ka qejf t’i them Drita Bardhi. Ia dedikoj asaj sepse sa herë që jam ndodhur në vështirësi, më ka dhënë kurajë duke bërë që unë të reflektoja dhe të dal nga situata të ndryshme. Në fakt, nuk është se e kemi kaluar lehtë si familjarë, sepse arti ka vështirësitë e tij, por duke qenë çdo natë në shfaqje, kemi ndihmuar njëri-tjetrin. Unë e kam ndjerë shumë ndihmën e saj. Aty ku ka më shumë vështirësi, kalohet më mirë dhe duhesh më shumë.
Një mungesë prej 20 vitesh në Shqipëri dhe në teatër. Ky pushim kaq i gjatë ka qenë një reflektim për t’iu kthyer skenës shqiptare?
Njëzet vite larg skenës nuk janë pak. Kur jam larguar unë një fëmijë ka qenë një vjeç, ndërsa kur kam ardhur është bërë 20 vjeç. Si natyrë jam nostalgjik. Kur shkela teatrin, pas 20 vitesh, u emocionova tmerrësisht, sidomos kur pashë fotografitë e atyre aktorëve që nuk janë më. Këtë shfaqje që po vë në skenë ia dedikoj familjes time, por edhe atyre aktorëve që nuk janë më. Kam nostalgji për gjithçka që kam kaluar në teatër.
Keni qenë pedagog i jashtëm për 16 vjet me radhë në Akademinë e Arteve. Si jeni ndjerë përballë atij brezi që sot, në fakt, janë përkrah jush?
Kur kam qenë student në Institut në vitin e katërt, i kam dhënë mësim si pedagog vitit të parë. Pastaj jam shkëputur pasi shkova në teatër. Çdo gjë ia dedikova teatrit, pasi në atë kohë ishim shumë të rinj dhe duhej shumë punë për të ecur përpara dhe të bëheshe i pranueshëm nga kolosët si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka etj. Pas disa kohësh u bëra pjesë e stafit të Institutit për 16 vjet si pedagog i jashtëm. Aktori dhe regjisori kur ikën për të edukuar me punën e artit të rinjtë, gjen një frymë të re dhe rinohesh mes tyre sepse është një psikologji tjetër, kanë entuziazëm, iu lindin fantazira të shumta dhe të japin një rifreskim.
Një karrierë e gjatë artistike. Ka pasur periudha të bukura dhe të vështira. Cilat janë ato?
Unë të bukurën dhe të vështirën nuk e ndaj dot. Për mua e bukura dhe e vështira është në një vend. Kur doja të mbroja diplomën për regjisurë kam vënë në skenë një pjesë të titulluar “Karavidhet”. Në këtë pjesë, për fatin tim të madh, luajtën aktorët më të mirë të teatrit, Violeta Manushi, Prokop Mima, Marika Kallamata etj. Ishte e gjithë trupa e aktorëve. Kjo periudhë ka qenë periudha më e vështirë e imja sepse mendo tani të jesh regjisor i pedagogëve të tu. Ndërkohë ishte kënaqësia më e madhe sepse ajo shfaqje doli jashtëzakonisht e bukur me ndihmën e aktorëve të mëdhenj, por edhe unë mora vlerësimin maksimal. Unë them që atje ku është vështirësia më e madhe është dhe suksesi, dhe bukuria.
Jeni në ditët e fundit të provave për vënien në skenë të dramatizimit të Ismail Kadaresë. Pse pikërisht kjo vepër e Kadaresë?
Pikërisht se është një vepër e Kadaresë duhet të vihet në skenë. Të gjithë e njohin madhështinë e veprave të Kadaresë, por kjo vepër ka një gjë interesante, pasi është shumë filmik,e por është edhe një vepër shumë e mirë për teatër. Është një vepër ku aktorët kanë çfarë luajnë. Ka personazhe dhe karaktere. Është një vepër që aktorët dhe regjisura mund të bëjnë diçka të mirë.
Sa të vështirë e keni pasur përshtatjen e një vepre letrare, aq më tepër një roman të Kadaresë, për ta kthyer në pjesë teatrale?
Të dramatizosh një roman është jashtëzakonisht e vështirë. E para e punës, do një vullnet të jashtëzakonshëm për arsye se romani është shumë i gjerë. Ka hapësira shumë të mëdha ku shkrimtari, një personazh mund ta pasqyrojë në një kapitull të tërë. Teatri është koncentrat, pasi për një orë do të tregosh 50-60 faqe, kurse romanin duhet ta lexosh dhe t’i marrësh esencën.
Keni zgjedhur nja kastë aktorësh të talentuar, një brez me performanca artistike në skenën shqiptare. Si është mundësuar bashkëpunimi?
Kjo përzgjedhje është ndihmë për regjisorin, sidomos kur ta kuptojnë atë çfarë do të thotë me këtë vepër. Aktori i mirë e kupton se çfarë do të thotë regjisori me këtë apo atë personazh. Jam munduar që t’i jap përshtatjen dhe karakterin çdo aktori që të kryejnë rolet e tyre. Trupa e aktorëve është shumë entuziaste. Të gjithë kanë arritur të përcaktojnë karakteret dhe të formojnë karakterin e personazheve. Kjo kastë aktorësh ka shumë dëshirë për punë. Jam shumë i kënaqur nga puna që kanë bërë të gjithë.
Rolet dhe veprat e Fatos Haxhirajt
Fatos Haxhiraj lindi në Tiranë më 3 janar të vitit 1943. Ka kryer liceun artistik “Jordan Misja”. Diplomohet në ILA në degën e Dramës, në vitin 1966. U emërua aktor në Teatrin Popullor në vitin 1967. Ka punuar 16 vjet si pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve të Bukura. Më 1 tetor 1981, pasi kreu studimet për regjisor, u emërua regjisor në Teatrin Kombëtar. Në vitin 1991 ka bërë specializimin në Itali për regjisurë. Ka interpretuar mbi 40 role, ku është shquar si interpretues i një zhanri të gjerë rolesh të karaktereve të ndryshme në pjesët teatrale, si: Aleksi te “Fytyra e dytë”; Ted Regu te “Arturo Ui”; Cori te “Diell mbi kastër”; Tirka te “Zonja nga qyteti”; Dhimitri te “Doktori pacient”; Adem Zenga te “Mbas dy vjetësh” etj. Krahas aktrimit në skenë është shfaqur si regjisor duke vënë në skenë me shumë sukses një sërë veprash nga dramaturgjia jonë dhe ajo botërore, si p.sh., “Njerëz të thellësive”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Gryka e nëmur”, “Pas provimit të fundit”, “Shtëpia me dy porta”, “Zbutja e kryeneçes”, “Prometeu”, “Vdekja e një komisioneri”, “Pas vdekjes”, “Kush e solli Doruntinën” etj. Ka interpretuar edhe 3 role në film. Si një artist dhe regjisor i talentuar, Fatosi është vlerësuar me shumë medalje dhe çmime të para nëpër festivale dhe mban titullin “Artist i merituar”.
8 Maj 2010