Vetëvritet me granatë në oborrin e banesës babai i dy fëmijëve
Artan CENA
KORÇË - I heq siguresën granatës dhe i jep fund jetës duke plagosur dhe bashkëshorten e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në një familje në Vidohovë të Korçës. Kastriot Mici, 32 vjeç, ka shkuar në shtëpi në gjendje të dehur, pasi ka qenë në një lokal të fshatit për një kohë të gjatë me disa bashkëfshatarë të tij. Kur ka shkuar në banesë ai kishte vendosur që t’i jepte fund jetës. Ka marrë një granatë dhe me të në dorë ka dalë në oborrin e banesës së tij dhe i ka hequr siguresën duke u vetëhedhur në erë. Policia tha se është njoftuar me anë të një telefonate për ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin kufitar me Greqinë. Por, si pasojë e shpërthimit, është plagosur dhe bashkëshortja e tij, Aurora Mici, e cila ndodhet në Spitalin e Korçës jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja
Kastriot Mici, pasi kishte konsumuar sasi të mëdha alkooli, është kthyer rreth orës 22:30 në banesën e tij, ndërsa kishte vendosur t’i jepte fund jetës. Me një granatë në dorë viktima ka dalë jashtë banesës dhe është hedhur në erë, pa shpjeguar vendimin për këtë vetëflijim. Pak para se të ndërmerrte veprimin fatal, ai kishte përqafuar bashkëshorten, por pa i thënë gjë për veprimin që do të kryente. I përlotur është larguar drejt oborrit të shtëpisë për të shpërthyer granatën e dorës. Kaq ka mjaftuar që Mici të përfundojë i përgjakur në tokë, ndërsa dëmtime ka marrë dhe gruaja e tij. Sipas të dhënave të policisë, 32-vjeçari ka vdekur në vend. Shpërthimi që i ka marrë jetën ka lënë të plagosur edhe bashkëshorten 23-vjeçare Aurora Mici, e cila është dërguar me urgjencë në Spitalin rajonal të Korçës dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën, pasi nuk ka pësuar dëmtime të mëdha. Mici, baba i dy fëmijëve, njihej si përdorues i alkoolit, ndërkohë që jetonte në fshat pas dëbimit nga shteti grek për të mos hyrë për 5 vjet në të pasi ishte kapur pa leje qëndrimi.
Hetimet
Një telefonatë ka njoftuar uniformat blu, të cilat kanë mbërritur në fshatin Vidohovë. Ata kanë gjetur trupin e pajetë të 32-vjeçarit Mici në oborrin e banesës, ndërkohë që kanë shoqëruar me të shpejtë të plagosurën në drejtim të spitalit. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk janë rrezikuar fëmijët e çiftit, të cilët në momentin e shpërthimit kanë qenë duke fjetur gjumë në një nga dhomat ku nuk i ka kapur rrezja e shpërthimit. “Nga veprimet e para hetimore rezulton se Kastriot Mici, në oborrin e banesës së tij, ka shpërthyer me dëshirë granatën, të cilën e kishte pasur në banesë”, - thanë ditën e djeshme burime zyrtare nga Policia e Korçës. Si shkak i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë bërë përdorimi i alkoolit. Gjithashtu dhe gjendja ekonomike e familjes Mici nuk ishte e mirë. Policia ka marrë dëshmitë e të afërmve dhe personave të tjerë, por ende nuk ka nxjerrë arsyen e vërtetë se pse 32-vjeçari i ka dhënë fund jetës duke u vetëflijuar me një granatë.
8 Maj 2010