E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitnin udhëtarët me armë, arrestohen tre të rinj



DIBËR - Tre të rinj, që ishin bërë tmerri i udhëtarëve nga Kukësi në Dibër, janë vënë në pranga për grabitje me maska dhe armë. Ishin burimet zyrtare nga Policia e Dibrës që e kanë bërë të ditur këtë gjë. Ata, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, kanë organizuar operacionin e koduar “Shumbat”, duke bërë të mundur ndalimin e shtetasve Mirian dhe Ndriçim Laçi, 20 dhe 22 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Brest i Poshtëm të rrethit Dibër, si dhe të Lamir Shehit, 24 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Limjan të rrethit Dibër. Burime zyrtare nga Policia thanë se arrestimi i tyre është bërë pas hetimeve të bëra për disa raste grabitjesh që u janë bërë udhëtarëve të rrugës Kukës-Peshkopi. “Ndalimi i tyre është bërë pas një hetimi profesional të strukturave të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, ku këta shtetas kanë rezultuar të jenë autorët e dyshuar të tre vjedhjeve me armë në bashkëpunim, të ndodhura më datë 16 prill 2010 në rrethin e Dibrës”, - thanë burimet zyrtare nga Policia e Shtetit. Ngjarjet kanë ndodhur në fshatin Shumbat të rrethit Dibër. Tre të arrestuarit, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, i kanë vjedhur një sasi prej 13 mijë lekësh të rinj dhe një aparat celular një udhëtari. Gjithashtu, në vendin e quajtur Përroi i Kapshit, në afërsi të fshatit Rrenx të rrethit Dibër, po nën kërcënimin e armëve të zjarrit, i kanë vjedhur një tjetër qytetari një sasi prej 2500 lekësh. Në të njëjtin vend, nën kërcënimin e armëve të zjarrit kanë tentuar të vjedhin pasurinë e shtetasit Laim Muça, por nuk kanë mundur. Të tria ngjarjet janë denoncuar dhe kanë filluar hetimet e policisë. Gjatë arrestimit, si prova materiale janë sekuestruar materiale të ndryshme. Kështu, janë bllokuar maskat, 5 aparate celularë, një sasi e konsiderueshme municioni luftarak, si dhe një çiklomotor. Policia tha se materialet e sekuestruara janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprës penale. Është duke u punuar dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera për të cilat dyshohen se janë autorë këta persona. Hetimet janë duke u bërë nga Prokuroria Dibrës për veprën penale të “vjedhjes me armë e kryer në bashkëpunim”.

Arrestimet
Kalonin njerëz drejt Greqisë për 1500 euro
ELBASAN - Trafiku i njerëzve në drejtim të Greqisë ka çuar në pranga katër persona. Aksioni është organizuar nga Policia e Elbasanit në bashkëpunim me kolegët e Durrësit, gjatë mëngjesit të djeshëm. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se rreth orës 03:00, nga ana e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme, pas mbajtjes nën vëzhgim disaditor, është organizuar dhe ka përfunduar me sukses operacioni i koduar “Ndalesa”. Gjatë këtij aksioni është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i Florian Berberajt, 30 vjeç, banues në lagjen “1 Maji” të Fierit; Gerald Rucit, 23 vjeç, banues në lagjen “Donika Kastrioti”, Berat; Ardjan Berberajt, 35 vjeç, banues në fshatin Rërëz të Patosit dhe Leonard Binjakut, 31 vjeç, banues në Patos, Fier. Burimet zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se arrestimi i të lartpërmendurve është bërë në vendin e quajtur rrethrrotullim i plepave në Durrës. Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, realizonin trafikimin e qenieve njerëzore në drejtim të Greqisë në formën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shumës 1500 euro për person. Hetimet ndaj tyre kishin nisur pas informacioneve të marra në rrugë operative. Policia tha se është duke u punuar për dokumentimin e plotë të veprës penale, “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë”.

8 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›