Shpërthim në qendrën e gazit, një i vdekur
Fier - Një punonjës i repartit të avari-shpëtimit të Albpetrol humbi jetën paraditen e djeshme pas një shpërthimi në një qendër të grumbullimit të gazit në fshatin Bubullime të Fierit. Viktima është inxhinieri Dhimo Gjeçi, 50 vjeç, ndërsa mësohet se edhe disa kolegë të tij kanë marrë plagë nga shpërthimi. Sipas të dhënave, reparti i avari-shpëtimit ishte duke punuar në pusin e gazit me emrin Bubullima 14. Ky pus është në listën e burimeve të gazit të ndaluar dhe nuk shfrytëzohej, por një javë më parë pusi ka nisur të ketë rrjedhje gazi dhe reparti i avari-shpëtimit ishte në zonë duke punuar. Rrjedhja e gazit është aktivizuar në formën e një shpërthimi duke e asfiksuar inxhinierin Gjeçi dhe plagosur kolegët e tij. Punonjësit kanë qenë të pajisur me maska antigaz, të cilat, mesa duket, nuk e kanë kryer tërësisht detyrën e tyre për shpëtimin e jetës së punonjësve. Zona është rrethuar për shkak të sasisë së madhe të gazit në ajër që vazhdoi të shkarkohet. Personat e dëmtuar nga rrjedhja e gazit janë dërguar në spital dhe prej andej kanë dalë në gjendje të mire. Ndërsa kolegu i tyre u asfiksua dhe ndërroi jetë nga gazi që u përhap në ajër.
Shkrumbohet banesa, familja mbetet në qiell të hapur
PUKË - Një zjarr i papritur ka shkrumbuar tërësisht një banesë në fshatin Qerret të Pukës, duke lënë në qiell të hapur 6 anëtarët e familjes Qarri. Për fatin e tyre të mirë ata kishin dalë të punonin tokën kur janë njoftuar se shtëpia e tyre po digjej. Këtë e tregon edhe vetë kryefamiljari, të cilit, tashmë, veç mërzitjes për dëmin e shkaktuar, i duhet të mendojë për një strehë tjetër për familjen e tij. Flakët janë përhapur me shpejtësi brenda pak çastesh në të gjithë shtëpinë, aq sa edhe ndërhyrja e zjarrfikësve nuk ka shmangur dot djegien e plotë të saj. Ndërkaq, grupi hetimor ka vijuar hetimet për shkakun e rënies së flakëve, por paraprakisht mendohet se shkëndija ka ardhur si pasojë e luhatjes së energjisë elektrike.
8 Maj 2010