E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatos Klosi kandidat në Mallakastër

14/03/2005  Meta: LSI do të dalë forcë e parë në Ballsh

Drejtuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka vazhduar dje turin e takimeve me elektoratin e partisë së tij në bazë, i shoqëruar dhe nga Fatos Klosi, si një nga kandidaturat për deputet në këtë zonë. Meta ka zhvilluar takime në Ballsh dhe Mallakastër, i shoqëruar nga anëtari i Komitetit Drejtues Kombëtar, Fatos Klosi. Kreu i LSI-së tha se, "LSI-ja ku krijuar për t’i dhënë fund varfërisë, e cila ka pushtuar vendin. Për t’i dhënë fund monopoleve të pushtetarëve. Për t’i dhënë fund korrupsionit të madh në Armo dhe në industrinë e naftës, e cila po shpërdorohet çdo ditë, me qëllim privatizimin jo transparent të saj. Për t’i dhënë fund të gjitha shpërdorimeve të fondeve buxhetore në tendera për ujësjellësa e rrugë". Ndërsa Fatos Klosi, tha se "LSI-ja është alternativë e vërtetë e së majtës, e krijuar si një distancim ndaj uzurpimit të pushtetit, ndaj monopoleve dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë për shqiptarët". Të njohur tashmë me varfërinë që ka pllakosur zonën e Mallakastrës, përfaqësuesit e LSI-së kanë shprehur bindjen se, "populli i kësaj zone do të mbështesë alternativën e LSI-së, si shpresë për përmirësimin e jetës së vet dhe për t’u ndarë përgjithmonë me varfërinë". Ndërkohë që kjo parti paralelisht me turin e takimeve me elektoratin po zhvillon dhe zgjedhjen e strukturave të saj në bazë të parimit "një anëtar një votë", për ta finalizuar si procedurë në datën 26 mars duke zgjedhur kryetarin e saj. Në këtë proces po punohet edhe për përzgjedhjen e kandidaturave më të spikatura për të përfaqësuar LSI-në, në zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›