PSD, tru në rrethe për zgjedhjet
14/03/2005 Partia Socialdemokrate po përgatit strukturat e saj nëpër rrethe, për të bërë një administrim sa më të mirë të votës, në zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere. Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, ka sqaruar për elektoratin e forcës së tij në degën e Kurbinit, alternativat që shtrohen në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Sipas tij, "për PSD-në ka vetëm dy alternativa ku populli shqiptar mund të shprehë vullnetin e tij. E para: e djathta me Saliun që dihet si e mori Shqipërinë e si e katandisi dhe së dyti, e majta që e mori në gjendje të mjerueshme duke e sjellë në gjendjen që është aktualisht, por që ka shumë për të korigjuar". Gjatë këtij takimi, Gjinushi, ka evidentuar punën e mirë që është bërë nga e majta për periudhën 1997-2001, ndërkohë që theksoi se, "pas kësaj periudhe, u vu re një arrogancë e PS-së ndaj aleatëve të saj, kryesisht ndaj PSD-së. Kjo gjë, tregoi se Shqipëria u vonua në reforma, në asocimin në Bashkimin Evropian në stabilitetin qeverisës". Gjinushi, theksoi se PSD-ja ka qenë gjithmonë faktor stabiliteti në politikën shqiptare.