Kryeministria: Shkarkohet Prendi, Prokuroria palë me organizatorët e 21 janarit
Menjëherë pas masës së Gjykatës së Tiranës dhe ndërkohë që vazhon dëshmia e tij në Prokurori Këshilli i Ministrave ka pezulluar nga detyra Komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi ndërsa ka emëruar në vend të tij Artan Hoxhën. Në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e Kryeministrisë Erla Mëhilli theksoi se Kryeministria është e vendosur t`u shkojë deri në fund zbardhjes së ngjarjeve të 21 janarit.
Më tej ajo ka lëshuar akuza të ashpra në drejtim të prokurores së përgjithshme Ina Rama, duke e konsideruar si palë të opozitës dhe një prej dirigjuesve të ngjarjeve të 21 janarit. Në këtë kontekst Mëhilli në emër të Kryeministrisë tha se Prokuroria jo vetëm që nuk ka hedhur dritë mbi ngjarjet por ka eleminuar dhe zhdukur prova të rëndësishme.
Ndonëse ka kaluar një vit, shtoi ajo,” fajtorët , organizatorët, dhunuesit që mbajtën në këmbë për pesë orë rresht Kryeministrinë vazhdojnë të enden të lirë. Kryeministria shpreh dhe njëherë vendosmërinë për ti shkuar deri në fund hedhjes dritë mbi këtë ngjarje”-përfundoi Mëhilli.