Topi vizitë në Bosnje Hercegovinë

Bamir Topi / Foto arkiv
Presidenti i Republikës, Bamir Topi me ftesë të Kryesuesit të radhës së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, do të marrë pjesë në punimet e Samitit të 10-të të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore, që do të mbahet në datat 2-3 qershor 2012, në Mostar.
Nën drejtimin e Drejtores së Përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, Topi do të marrë pjesë në panelin Trashëgimia fetare dhe kulturoro-historike, si bazë e bashkëpunimit intensiv ndërmjet shteteve.
Topi do të mbajë një fjalim seancës plenare të Samitit, mbi vlerat e çmuara të trashëgimisë fetare dhe kulturore të Shqipërisë, vendeve fqinje e të rajonit.
Gjatë qëndrimit në Bosnje-Hercegovinë, Presidenti i Shqipërisë pritet të zhvillojë bisedime me Kryetarin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç dhe me Drejtoren e Përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova. /F.S/