E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatos Nano rrëfehet "Qëndroj aq lart sa e keqja nuk më arrin as thembrat" Të nderuar anëtarë të familjes, Kur kthej kokën pas dhe shoh të kaluarën time politike, ndjenja të forta mÃ

Fatos Nano rrëfehet "Qëndroj aq lart sa e keqja nuk më arrin as thembrat"

Të nderuar anëtarë të familjes,

Kur kthej kokën pas dhe shoh të kaluarën time politike, ndjenja të forta më pushtojnë dhe ashtu në heshtje dhe me përulje lutem që zoti të më japë forcë dhe vullnet për të vazhduar pa u lodhur të jap kontributin tim për ditë më të mira për të gjithë ne, për fëijët tanë, për familjen tonë të madhe. Lutem gjithashtu, që zoti të më japë kthjelltësinë dhe mundësinë për të korrigjuar dhe reflektuar ndaj gjërave që mund të kisha bërë më mirë dhe më shumë. Dhe në këtë lutje timen ka pasion dhe shpresë, ka mirënjohje dhe motivim maksimal, idealizëm dhe patriotizëm. Dhe përsëri ashtu në heshtje dhe me përulje kuptoj më mirë rrugën e gjatë që kam bërë bashkë me ju. Shoh stuhitë dhe ditët me diell që kemi kaluar, shoh rritjen e mundimshme, përpjekjen vigane për të larguar të shkuarën dhe afruar të ardhmen, shoh pengesat dhe arritjet. Shoh flakën e qiriut të digjet brenda meje, ashtu ngadalë dhe konstante, duke m'u bërë dhimbje dhe shok, dritë dhe udhërrëfyes, zgjatim i rrugës së gjatë prej nga vijmë dhe si në një film pa zë shoh ngjarje, data, emra, personazhe, shoh familjen tonë të mrekullueshme të rritet dhe forcohet për të ardhur deri këtu ku jemi sot, së bashku sot e mot, sepse kemi ende edhe aq shumë për të bërë.

Kërkuan të më quajnë "zog të vetmuar" dhe harruan atë ç'ka zogu çmon më shumë – ajrin e lirë dhe hapësirat pa fund. Harruan se familja jonë e madhe i ngjan vetë asaj, tufës së pafund të zogjve që nuk lodhet së kërkuari dhe fluturuari drejt majave të reja e fushave plot begati.

Kërkuan të më mbyllnin gojën dhe të më burgosin dhe harruan se as katër vjet dhe as dyzet e katër vjet nuk mund të më ndalonin të kryeja me vullnet të hekurt dhe me përulje të thellë detyrimet dhe përgjegjësitë e mija ndaj familjes sonë të mrekullueshme.

Kërkuan të më bëjnë "djalin plangprishës" dhe harruan se në dashurinë e madhe që kam marrë nga kjo familje kam burimin e dashurisë që kam dhënë për të dhe gjithë anëtarët e saj, dhe nëpërmjet saj për gjithë Shqipërinë, dhe kurrë, kurrë nuk kam harruar se kujt i përkas dhe nga vij.

Kërkuan të më quajnë "të humbur" dhe të "dobët" dhe harruan se si i zgjedhuri i familjes për ta drejtuar mbrojtur dhe forcuar atë, kam trashëguar kodet, doket, zakonet dhe virtytet tuaja më të mira për të shërbyer për të qenë më mirë të gjithë ne, të gjithë shqiptarët.

Kërkuan të më bëjnë "diktator" dhe nuk deshën, nuk mundën, dhe nuk duruan të prekin dhe shijojnë hapësirat e reja të lirisë dhe majat e reja ku familja jonë ka arritur dhe bashkë me të e gjithë Shqipëria.

Kërkuan kaq shumë gjëra dhe ende prapë kërkojnë, dhe mirë bëjnë që kërkojnë. Por, le të bëjnë durim të shohin, të prekin, të shijojnë, të zhvillojnë dhe së bashku më pas të cojmë përpara të gjitha ato vlera që e bëjnë familjen tonë, më të dashurën, më të madhen, më modernen dhe më liberalen në Shqipëri.

Fatos Nano nuk ofron dhunë, diktaturë apo përjashtim. Përkundrazi, garanton, mbështet dhe nxit fjalën dhe mendimin e lirë, sfidën demokratike dhe alternativën e zhvillimit.

Fatos Nano nuk ofron anarki dhe kaos. Përkundrazi, siguron dhe kërkon rregull dhe disiplinë. Fatos Nano nuk përfaqëson në asnjë sekondë të jetës dhe aktivitetit të tij politik para të pista, trafiqe apo klane mafioze. Në të kundërt, me sakrificë shpesh edhe personale apo edhe familjare, ka ndërtuar dhe kontribuar për shtet të fortë dhe ligj të drejtë.

Fatos Nano nuk bën revolucione apo shkakton kriza, sepse si prijës i familjes më moderne politike që ka sot Shqipëria, ai ka për detyrë dhe ofron stabilitet, përfaqëson mazhorancën absolute të familjes që aspiron për kaq shumë progres dhe mirëqënie. Fatos Nano nuk e nxjerr Partinë Socialiste në opozitë, as e mpak apo nxjerr atë shesheve me klithma e panik. Përkundrazi, e udhëheq atë të përmbushë misionin e vet fisnik të drejtimit dhe përparimit të vendit, e përfaqëson atë drejt më të madhes dhe më modernes familje politike sot në botë, Internacionales Socialiste.

Mua me quajnë Fatos Nano dhe dëshmitare kemi historinë tonë të përbashkët. Ne vijmë së bashku nga kohë të vështira dhe shkojmë drejt të ardhmes më të mirë, por plot sfida dhe të panjohura. Rruga që kemi për të bërë është e gjatë, por ne shohim dritën në fund të tunelit dhe drejt saj vrapojmë. Ne kemi energji, ne jemi atletë, vitalë, të thjeshtë e plot pasion. Ne jemi zogjtë e lirë të hapësirës shqiptare, ne jemi e ardhmja plot diell e begati, ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë dhe unë jam kaq i nderuar dhe i privilegjuar të jem prijësi i saj.
Ktheni kokën pas dhe shihni rrugën që kemi bërë, shihni nga kemi ardhur dhe do kuptojmë më mirë të gjithë se kalvari ynë është me kaq shumë ngjarje, data, ndodhi, me kaq shumë sfida e halle – por në çdo moment me besimin e patundur se ia vlen, me vullnetin se vetëm kjo është rruga më e mirë për t'i ofruar shoqërisë sonë, vendit tonë dritë dhe shpresë për të nesërmen.

Kjo është Partia Socialiste e Shqipërise – moderne dhe sfidante, e madhe dhe e fuqishme, demokratike dhe besnike e palëkundur ndaj besimit se "ditë edhe më të mira paskëtaj vijnë".

Më lejoni t'i garantoj të gjithë të pranishmit e kësaj salle, të gjithë anëtarët e familjes sonë, në gjithë Shqipërinë se misioni ynë tashmë ka hyrë në fazën e tij të maturisë, në fazën e tij më energjike – atë të zbatimit dhe përsosjes së sistemeve që ne kemi filluar të ndërtojmë dhe vendosim qysh në vitin 1997 kur erdhëm në detyrë.

Nuk po numëroj këtu ato ç'ka ne kemi realizuar, por po përmend ato çka kemi për të bërë. Sepse e tillë është koha që jetojmë, të tilla janë kërkesat e shoqërisë sonë që me bindje dhe besim vazhdon të na zgjedhë e votojë ne, për të qënë lajmëtarët e së nesërmes më të mirë. Kjo, të nderuar anëtarë të familjes, është edhe mrekullia e demokracisë si sistem dhe si vlerë. Besimi dhe përgjegjësia shkojnë dorë më dorë, kur jemi të pandashëm dhe syçelët. Të votohesh dhe të drejtosh, do të thotë të marrësh dhe të japësh, gjithmonë dy duar, dy anë, dy kahët e së njëjtës rrugë, rrugës së vështirë por shpërblyese të demokracisë.

Dhe në këtë rrugë, nuk jemi vetëm. Sepse me mençuri dhe vullnet zgjodhëm më të vështirën rrugë, por me miq e partnerë nga më të arrirët në vlera dhe sisteme. Shihni sot Shqipërinë dhe do të kuptoni më mirë se ku qëndron ajo, mes aleatësh e miqsh të fuqishëm, mbështetës dhe plot virtyte, moderne dhe rezultative. Të tillë e duam edhe ne Shqipërinë dhe të tillë do ta bëjmë sepse kjo është zgjidhja jonë, rruga jonë, besimi ynë.

Jepmëni sërish forcën dhe kurajon, mbështetjen dhe energjinë, vullnetin dhe idealizmin, si deri tani dhe në këmbim ju premtoj mirënjohje dhe përulësi, inteligjencë dhe krijimtari, shërbim dhe ndershmëri, pushtet dhe mirëqënie, dhe këto të fundit jo për ne, por për Shqipëri. Jepmëni krahët tuaj dhe lë të fluturojmë së bashku drejt fatit më të mirë, drejt destinacionit tonë – Europë.

Familja jonë ka të ardhme, familja jonë ka anëtarë të mrekullueshëm, familja jonë është e re. Dhe me privilegjin e madh të kësaj rinie të përhershme le të bëjmë realitet më të bukurat ëndërra të të parëve tanë të cilët "më shumë se gjithçka deshën mëmëdhenë". Le të bëjmë realitet më të bukurat ëndërra të fëmijëve tanë, të cilët më shumë se gjithçka duan Shqipërinë si një nënë të bukur e plot hire, plot jetë dhe shpresë, të pastër e të dlirët si vete malet e fushat e saj.

Ky është tempi ynë, ky është zhvillimi që në ofrojmë. Ndaj më lejoni që më solemnisht se kurrë t'ju premtoj juve, anëtarë të familjes sonë të pastër dhe nëpërmjet jush gjithë partnerëve tanë perëndimorë se Shqipëria do të bëhet, se të keqen do ta luftojmë pa pushim dhe me dorë të hekurt, se kurrë nuk do të kriminalizojmë pushtetin, se kurrë nuk do të bëhemi palë me krimin, korrupsionin, babëzinë dhe ndyrësinë që të gjitha këto sjellin me vete. Nuk mund kërkush sot të njollosë Partinë Socialiste të Shqipërisë për interesa personale, për dështimet vetjake apo mungesën e vizionit për të nesërmen, për punët e pista dhe paratë e zeza. Ky është vullneti ynë dhe nga kjo tribunë unë ju premtoj se në këtë luftë ka vetëm një shans – të fitojmë, të fitojmë dhe prapë të fitojmë, sepse me këtë energji që çliron familja jonë moderne, me këtë vitalitet dhe etje për zhvillim dhe demokraci që ajo kërkon dhe prodhon, askush më mirë se ne nuk mund të marrë në dorë fatet e vendit dhe të përmirësojë jetën e gjithë shqiptarëve, të nxjerrë vendin në dritë dhe të sigurojë të ardhmen e sigurt të fëmijëve shqiptarë.

Të dashur anëtarë të familjes,

Partia Socialiste nuk është në krizë. Sepse nuk mund të jemi në krizë pasi kemi provuar rrishtazi dhe në mënyrë të përsëritur se ngelemi forca politike më e votuar në vend. Më thjesht se kaq nuk mund të jetë. Dhe nëse këtu dhe aty shifrat ulen apo ndryshojnë, kjo nuk tregon krizë, përkundrazi kjo tregon ndershmërinë e sistemeve që kemi ndërtuar për të njohur dhe pranuar votën ndryshe, kjo tregon sakrificën tonë për të dhuruar pushtet politik vetëm e vetëm që Shqipëria të bëhet. Fatos Nano nuk ka saraje, nuk ka vila me lejë apo pa lejë, nuk ka dhe as zotëron apo influencon media, televizione, gazeta e çfarë nuk tjetër. Ndaj dhe "furtuna" e dëshpëruar kundër meje, e paparë ndonjëherë në këtë vend ndaj ndonjë lideri politik përmban në vetvete paradoksin e saj më të arrirë se kurrë. "Të gjithë" kundër zogut vetmitar sepse ka bërë krimin që e çoi tufën e lirë të zogjve drejt qiejve dhe hapësirave të lira dhe pambarim.

Nëse ky është krimi, po, unë Fatos Nano jam mëkatari. Nëse krim është të krijosh vlera kaq të arrira demokracie brenda familjes, ku secili shprehet dhe flet si të dojë dhe prapë të qëndrojë brenda familjes, po, unë Fatos Nano jam mëkatari. Shihni opozitën tonë politike dhe kuptoni më mirë këtë që ju them. Nëse krim është të drejtosh familjen tënde që nga prapa hekurave e deri tek tribuna e Internacionales Socialiste me kaq shumë vullnet e përkushtim, po, unë jam mëkatari. Dhe nëse është krim që të dish të zgjedhësh aleatët tanë ndërkombëtarë dhe luftërat që vendosim të bëjmë bashkë me ta, po, unë jam prapë mëkatari. Dhe prapë ju ftoj të bëni krahasimin me opozitën tonë politike. E pra, të bësh shtet duhet të dish, të kesh vullnet, pasion, dashuri dhe vizion për t'u ngritur mbi baltën që kaq pa u lodhur një sërë njerëzish vazhdojnë të hedhin mbi Fatos Nanon dhe familjen e tij të mrekullueshme politike. E ndaj më vjen ndër mend ajo fjalë e mençur dhe e arrirë e të madhit filozof anglez, Francis Bacon – "qëndroj aq lart sa e keqja nuk më arrin as thembrat".

Shihni të nesërmen tonë, të dashur anëtarë të familjes. Mos harroni nga vijmë, por shihni drejt të nesërmes, drejt ëndrrës për një jetë shumë më të mirë për të gjithë. Premton kaq shumë dhe ne do ta bëjmë atë ëndërr pjesë të përpjekjes, ambicies, dëshirës dhe vullnetit tonë. Asnjë më mirë se ne nuk mund ta bëjë këtë gjë, ndaj së bashku, unë, ju, e gjithë familja jonë le të kryejmë punët që kemi marrë përsipër të bëjmë.

Jetë dhe dashuri, shëndet dhe besim Partisë Socialiste të Shqipërisë. Të rrojë dhe të shtohet familja jonë me të tjerë anëtarë edhe më të mirë, edhe më punëtorë, edhe më të dashur.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›