Të dashur delegatë, Përfaqësues të partive që na keni nderuar, Përfaqësues të trupit diplomatik, Të nderuar miq e të ftuar, Kam privilegjin dhe kënaqësinë të hap diskutimin polit
Të dashur delegatë,
Përfaqësues të partive që na keni nderuar,
Përfaqësues të trupit diplomatik,
Të nderuar miq e të ftuar,
Kam privilegjin dhe kënaqësinë të hap diskutimin politik të Kongresit tonë të gjashtë dhe të përcjell para jush, anëtarësisë, shoqërisë shqiptare dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë bilancin politik dhe qeverisës të punës dhe angazhimit tonë katër vjecar. Kam kënaqësinë gjithashtu të shpall në emër të socialistëve dhe progresistëve ambicjet dhe objektivat tona për Shqipërinë moderne dhe evropiane që po ndërtojmë dhe integrojmë.
Në 13 vjet të ekzistencës dhe veprimtarisë sonë ne mbetemi forca kryesore politike në vend.
Së bashku kemi 13 vjet që konkurojmë dhe fitojmë në garat elektorale të ndershme dhe të pranueshme si për përfaqësimin parlamentar dhe në atë vendor.
Në historinë e re të Evropës pas shembjes së murit të Berlinit, ne socialistët shqiptarë rezultojmë ndër forcat politike më të votuara.
Pra ne kemi arsye të jemi krenarë për rrugën tonë.
Ne kemi arsye të jemi optimistë dhe të bindur se do vazhdojmë të gëzojmë besimin dhe mandatin përfaqësues të maxhorancës së zgjedhësve shqiptarë.
Natyrisht që nuk është e thjeshtë të mos kërrusesh nga mbipesha e pushtetit për një kohë kaq të gjatë. Por ne ja kemi arritur të mbetemi të parët sepse në themel të programit dhe veprimit tonë politik e qeverisës kemi vënë vlerat më progresiste të trashëguara dhe asimiluara nga shoqëria shqiptare, si dhe vlerat e së majtës moderne për lirinë, barazinë e shanseve, kohezionin social etj.
Katër vitet e fundit ishin në mënyrë të vecantë një eksperiencë e re dhe e shkëlqyer e socialistëve shqiptarë në drejtim të zgjerimit sipas standarteve të socialdemokracisë moderne të hapësirave tona të lirisë, të respektit ndaj individit, të thithjes së mendimit progresist dhe profesionist, të konkurimit, të kontributeve konverguese etj.
Në periudhën midis dy Kongreseve zgjedhore (i tretë dhe i gjashtë) Partia Socialiste ka përballuar dhe fituar 3 gara elektorale sepse ka ditur të mbledhë rreth vetes konsensusin e gjerë të shoqërisë shqiptare për t'ë qeverisur në rrugën dhe ambicjet e përbashkëta për reforma, transformime, modernizim dhe integrim.
Ky progres i socialistëve shqiptarë në funksionimin e brendëshëm dhe atë përfaqësues u certifikua edhe nga Internacionalja Socialiste e cila rreth dy muaj më parë na pranoi si anëtare me të drejta të plota.
T'a gëzojmë të gjithë së bashku këtë gradim të merituar!
Tashmë nuk jemi thjeshtë nxënës, por kontribues dhe konkurues me të drejtë vote dhe zgjedhje në realitetet globale ku është përfshirë edhe e majta moderne e mbledhur rreth Internacionales socialiste.
Vlerësimet e merituara brenda dhe jashtë vendit vijnë për faktin se ne vazhdojmë të mbetemi një Parti në ndryshim.
Ne mbetemi një Parti në progres, një Parti gjithnjë e më e hapur ndaj vlerave dhe kontributeve që rrisin kredibilitetin tonë tek zgjedhësit apo partnerët ndërkombëtarë.
Ashtu si ju, unë e di që ka sensibilitete se Partia Socialiste po dobësohet, se besimi ndaj nesh po lëkundet.
Deklaroj me bindje dhe përgjegjësi se socialistët shqiptarë do mbeten edhe për shumë kohë të "dënuar" të qeverisin Shqipërinë, të vazhdojnë dhe përfundojnë procesin e reformave transformuese dhe integruese në botën euro-atlantike, që kemi nisur dhe po i realizojmë me sukses.
Bindja jonë buron nga fakti se ne jemi e vetmja forcë politike në vend që dijmë të kthejmë kokën pas për të përvetësuar dhe konsoliduar përvojat më pozitive, ashtu dhe për të korrigjuar vetveten në procese të disiplinuara dhe transparente.
Besoj se të gjithë po bindemi përfundimisht se për Kongreset e socialistëve interesi ka kaluar kufijtë e organizatave dhe forumeve tona. Eshtë bërë objekt dhe pronë e gjithë shoqërisë shqiptare. Kjo mbetet një ndër arritjet themelore që dëshmon se politikat tona,si brenda Partisë edhe në përfaqësim qeverisës nuk janë instrumenta që i shërbejnë një pakice, aq më pak një lidershipi të caktuar. Ato janë bërë përfundimisht objekt debati dhe kontributi të të gjithë spektrit progresist të shoqërisë shqiptare që është në maxhorancë. Si të tillë, inciatorë dhe konkurrues, kemi fituar peshë dhe zë të respektuar në rajon, edhe në mardhëniet ndërkombëtare.
Kongresi i Tretë ka një rol krejtësisht të vecantë në demokratizimin tonë të brendëshëm.
Prej katër vjetësh ne po adaptojmë me shumë sukses një skemë statutore të decentralizimit të vendimmarrjes që e ka shndërruar anëtarësinë tonë nga votuese në kontribuese të përcaktimit të politikave dhe strategjive tona të zhvillimit si dhe në përzgjedhëse të autoriteteve më të spikatura që garantojnë një qeverisje të sukseshme në institucionet përfaqësuese të shtetit.
Prej katër vjetësh të zgjedhurit në forumet dhe institucionet e Partisë janë realisht nën kontrollin e drejtpërdrejtë dhe permanent të zgjedhësve të tyre. Ky progres u arrit duke barazuar kohëzgjatjen e mandatit të të zgjedhurve me zgjedhësit e tyre.
Prej katër vjetësh në Partinë tonë është garantuar barazia e cdo anëtari përballë rregullave tona të funksionimit, pavarësisht pozicionit ku ndodhen në hierarkinë organizative. Tashmë në të gjitha nivelet e organizimit tonë politik funksionojnë gjykatat e së drejtës, ose sic i kemi quajtur Komisionet e Garancive Statutore. Për 4 vjet vetëm në KQGS janë shqyrtuar dhe dhënë mbi 200 ankesa e vendime, tregues kuptimplotë i një kulture dhe përvoje krejtësisht të re dhe moderne që po përdoret nga anëtarësia jonë progresiste.
Prej katër vjetësh veprimtaria ekonomiko – financiare e Partisë është krejtësisht e ndarë nga veprimtaria politike e përfaësuese nëpërmjet krijimit të institucionit të Kryefinancierit dhe të revizorëve që kontrollojnë këta të fundit.
Duke analizuar në tërësi periudhën 4 vjecare si dhe efektet e zbatimit të Librit tonë të rregullave mund të deklaroj me solemnitet se Partia Socialiste ka zgjeruar në maksimum hapësirat e lirisë, të debatit, të shprehjes dhe konkurimit të alternativave. Prandaj sot jemi edhe Internacionalistë të së majtës moderne.
Nga ana tjetër, përvoja e katër viteve të fundit ka bërë të nevojshme që këto vlera të krijuara apo të konsoliduara të vihen më mirë në dobi të përmirësimit të programeve tona politike e qeverisëse;
në dobi të integrimit tonë të mëtejshëm me shoqërinë shqiptare dhe partnerët euroatlantikë;
në dobi të përshpejtimit të ritmeve të zhvillimit dhe transformimeve bashkëkohore;
në dobi të konsolidimit të maxhorancës sonë qeverisëse dhe garantimit të fitores edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005.
Vetë procesi i analizave dhe vendimmarrjes që parapriu këtë kongres dëshmoi qartë vlerat tona, por po kaq qartë nxorri në pah nevojën për ndryshim dhe modernizim të mëtejshëm.
Kjo do të thotë se ne së bashku në këtë Kongres duhet të marrim disa vendime të rëndësishme që do ndalojnë shndërrimin e vlerave në antivlera, të lirisë në kaos, apo të demokracisë në diktat. Nëpërmjet vendimmarrjes sonë ne do mundësojmë që të drejtat e anëtarëve, të zgjedhurve dhe përfaqësuesve tanë në qeverisje të marrin vlerë vetëm kur shfaqen edhe përgjegjësi e rezultate.
Me vendimmarrjen tonë solemne ne do vazhdojmë të zgjerojmë hapësirat e lirisë, por do ndalojmë në mënyrë të qartë dhe të vendosur fraksionimin e Partisë.
Ne nuk do heqim dorë nga vlerat e patjetërsueshme të tolerancës dhe gjithëpërfshirjes. Por do të ndalojmë abuzimin me to në emër të interesave të individëve që kërkojnë të shpërfillin sistemin tonë të meritokracisë.
Me vendimmarrjen tonë në këtë Kongres ne nuk presim asnjë kokë, por po përpiqemi që kokat me vlera të vihen në shërbim të interesit tonë të përgjithshëm, të realizimit të aspiratave tona dhe të maxhorancës së shoqërisë shqiptare. Ne nuk po kërkojmë të përjashtojmë. Ne po përpiqemi, edhe më të organizuar, edhe më të disiplinuar të integrojmë cdo individ dhe kontribut progresist. Me vendimmarrjen tuaj të nderuar delegatë ne do arrijmë të zgjerojmë dhe konsolidojmë ekipet tona politike dhe qeverisëse si dhe do krijojmë një lidhje më organike midis anëtarësisë dhe forumeve të zgjedhura prej saj; midis anëtarësisë, zgjedhësve tanë dhe shoqërisë shqiptare në tërësi; midis Partisë dhe përfaqësuesve tanë në Kuvend; midis të zgjedhurve në institucionet qëndrore me ata në qeverisjen vendore. Dhe më në fund midis të gjithëve dhe Qeverisë sonë. Ky zinxhir funksionimi dhe përfaqësimi ka nevojë të përmirësohet, ndaj dhe vendimmarrja juaj ka një rëndësi të vecantë.
Këto janë arsyet pse unë jam i bindur se socialistët do të mbeten të suksesshëm në cdo konkurim elektoral, duke fituar dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2005!
Të dashur shoqe dhe shokë,
Modernizimi i Partisë Socialiste, mbështetja e funksionimit tonë politik dhe përfaqësues në vlerat fondamentale të lirisë, të barazisë së shanseve, të respektit ndaj ligjit dhe rregullit, të tolerancës, gjithëpërfshirjes, meritokracisë etj, ishin, janë dhe do të mbeten themelet e patjetërsueshme të ndërtimit të shtetit modern dhe të qeverisjes që na kanë besuar shqiptarët.
Në sajë të kësaj filozofie ne shndërruam modelin e Partisë – shtet të Berishës në Parti qeverisëse të të gjithë shtetasve pa diskriminim. Ne u angazhuam me të gjitha instrumentat, energjitë dhe ekipet tona përfaqësuese që si Parti qeverisëse të ndërtojmë një realitet dhe një shpresë më të mirë për të gjithë shtetasit pa përjashtim.
Me qeverisjen tonë ne nuk sollëm thjeshtë një dritë në fund të tunelit. Ne e nxorrëm Shqipërinë nga tunelet dhe labirinthet e errëta të rregjimit të Berishës për ta futur përfundimisht në proceset e pakthyeshme të zhvillimit dhe integrimit euroatlantik. Ne përdorëm pushtetin dhe mandatin e zgjedhësve në maxhorancë për t'i shërbyer gjithë popullit, pavarësisht nga përkatësitë politike, fetare, krahinore apo gjinore. Ne e vumë funksionimin e shtetit mbi baza kushtetuese dhe ligjore duke braktisur përfundimisht praktikat kanunore që trashëguam. Ne po punojmë edhe sot e gjithë ditën për të ndërtuar një sistem drejtësie të organizuar që garanton barazinë para ligjit për të gjithë shtetasit dhe lufton gjithnjë e më me efikasitet krimin e organizuar, trafiqet, kontrabandën dhe korrupsionin.
Ne vumë përballë krimit të organizuar dhe trafiqeve, një Polici dhe një sistem drejtësie më të organizuar. Prej më shumë se një viti nga territori i Shqipërisë nuk trafikohet apo tranzitohet asnjë qenie njerëzore. Industria e skafeve dhe gomoneve u shpartallua.
Treguesit e krimit janë në minimumin e tyre historik në 13 vjet tranzicion.
Janë rritur treguesit e efektivitetit të bashkëpunimit institucional në luftë kundër krimit mes Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe sistemit të pavarur gjyqësor.
Më lejoni t'ju bëj me dije se në vlerësimet e Qendrës Ndërkombëtare Antitrafik (SEECI) para disa ditësh, Shqipëria u klasifikua në vendin e parë në rajon përsa i përket arritjeve në këto fusha.
Ne ndërtuam një ekonomi të shëndoshë të tregut të hapur në vend të kapitalizmit të kioskave dhe piramidave duke garantuar ritme të larta dhe të qëndrueshme të rritjes.
Nën qeverisjen tonë fëmijët po i rikthehen gjithnjë e më me dëshirë shkollave dhe dijes.
Ne e hoqëm Shqipërinë nga hartat e krizave dhe problemeve për ta futur në hartat e vendeve që zhvillohen dhe integrohen madje me ritme më të larta se fqinjët tanë dhe duke kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global.
Si Kryetar i Partisë dhe si Kryeministër më lejoni të deklaroj para jush se Prodhimi i Brendshëm Bruto vazhdon të rritet me ritme të larta dhe të qëndrueshme me një mesatare prej 6% edhe për vitin e shtatë të qeverisjes sonë.
Po kështu të ardhurat e shtetasve nga puna dhe sipërmarrja e tyre janë dy herë më të larta se viti '97. Rritja e pagave vazhdon të jetë më e lartë se ajo e çmimeve në një ekonomi të hapur dhe konkuruese tregu.
Ka zëra dhe percepsione, (bile dhe brenda nesh), që ngulin këmbë se kjo rritje nuk duket, nuk ndihet. Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se të ardhurat kombëtare përdoren në tre mënyra: Konsum, Investime dhe Kursime.
Le t'u kthehemi fakteve për të qartësuar së bashku realitetet e rritjes sonë të qëndrueshme përkundër këtyre zërave zhurmues, viktima të interesave informale mbi doganat dhe abuzimit me fondet publike: Konsumi i popullatës në vitin '96 llogaritej në 241 miliard lekë. Në vitin 2003 ky konsum pritet të arrijë në 460 miliard lekë, ose gati 2 herë më shumë.
Eshtë bërë e modës që disa spekullantë profesionistë të politikës të merren me përqindjen e realizimit të planit të doganave. E dhëna më e qenësishme që vlen për një politikëbërës nga doganat janë importet reale, të cilat janë vazhdimisht në rritje. Pa i hyrë analizës së deficitit tregtar, rritja e importeve e parë në vetvete do të thotë më shumë konsum, më shumë investime të sipërmarrjes private vendase e të huaj, pra dhe më shumë të ardhura në duart e konsumatorëve dhe të prodhuesve të mallrave e shërbimeve për t'i konsumuar këto importe. Për më shumë, struktura e importeve në dy vitet e fundit ka pësuar një ndryshim thelbësor në favor të teknologjive të prodhimit dhe shërbimeve, duke ulur peshën e produkteve të konsumit.
Kjo do të thotë se sistemi ekonomik i tregut të lirë që ngritëm dhe konsoliduam në këto shtatë vjet qeverisje ka filluar të krijojë të gjitha kushtet për një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme mbështetur në sipërmarrje me cikël të integruar. Në një vlerësim të thjeshtuar kjo është shprehja më e mirë e rezultateve të qeverisjes sonë të përgjegjëshme. Kjo është edhe arsyeja pse lëkundjet e shkaktuara apo të tentuara nga politika, gjithnjë e më pak po ndihen në treg dhe në ciklet e zhvillimit ekonomik e social të vendit.
Duke iu rikthyer realitetit në fakte, investimet publike dhe private të marra së bashku në vitin '96 llogariteshin në 150 milion dollarë. Ndërsa në vitin 2003 do të arrijnë në mbi 1 miliard dollarë. Kursimet e depozituara në sistemin bankar në vitin '96 ishin 1.3 miliard dollarë. Ndërsa në vitin 2003 pritet të jenë më shumë se 2.5 miliard dollarë. Përballë këtij realiteti të prekshëm, opozitarët dhe oponentët tanë dëshmojnë çdo ditë se kanë një optikë krejt të ndryshme nga koncepti dhe përvoja jonë mbi funksionimin e shtetit dhe rolin e tij në shoqëri apo ekonomi.
Ata vazhdojnë të mbeten etatistë empirikë.
Në regjimin e Berishës, por dhe në disa periudha të përkohëshme të qeverisjes sonë u tentua që shteti të shndërrohej në pronar dhe komandues të gjithshkaje, deri në konsumin dhe kursimet e qytetarëve. Mos harroni epokën e piramidave!
Ndërsa në konceptin dhe përvojën e socialistëve dhe progresistëve, shteti është vetëm një rregullator institucional i tregjeve të hapura e të integruara duke krijuar kushte dhe hapësira zhvillimi për të gjithë.
Ka që na kritikojnë me analiza të stisura shifrash buxhetore, ndërkohë kur promotor dhe mbajtës i peshës kryesore në krijimin e Produktit Kombëtar, të të ardhurave publike, të investimeve në tërësi apo të konsumit janë individët dhe sipërmarrësit privatë. Suksesi i qeverisjes sonë qëndron në faktin se vendimmarrjen ne nuk e lamë të jetë pronë e disa njerëzve me pushtet politik apo ekonomik, qofshin dhe të mandatuar, por e bëmë objekt dhe subjekt të diskutimeve me të gjithë faktorët dhe grupet e interesit, me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe rezultat të vendimeve të mbështetura mbi një bazë gjithnjë e më të gjerë.
Në Kongresin tonë të 5-të ne u deklaruam si një Parti e sipërmarrjes për progres, por disa nga shokët tanë të zgjuar papritur nga nuk e di se çfarë ëndrre, po na akuzojnë se po rrëshkasim djathtas.
Nuk kam ndërmend të shpjegohem për ta se nuk ia vlen të ngadalësojmë zhvillimin.
Por ka nevojë që të kuptojmë të gjithë së bashku se Parti e sipërmarrjes do të thotë Parti që mbron interesat e mbi 1 milion fermerëve të organizuar në 310 mijë ferma individuale apo të grupit.
Parti e sipërmarrjes do të thotë Parti e 48 mijë sipërmarrjeve të vogla jo bujqësore, por pa dyshim dhe e 10 mijë sipërmarrjeve të mesme dhe të mëdha konkurruese dhe përfaqësuese të Shqipërisë moderne.
Parti e sipërmarrjes do të thotë Parti që në qeverisje garanton një të ardhme më të mirë për të gjithë, sepse buxheti i shtetit mbushet pikërisht mbi këtë aktivitet dhe nga ky buxhet i administruar mbarë përfitojnë pensionistët dhe punëtorët, shtresat në nevojë dhe të varfërit. Dhe këtë mision ne e kemi kryer dhe do e thellojmë në vijim sipas strategjisë sonë kombëtare të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të reduktimit të varfërisë. Në këtë mënyrë, sipërmarrësit, sipas një klasifikimi naiv dhe primitiv, nuk janë fantazmat që hanë të majtën, por partnerët që ndihmojnë në zhvillimin dhe integrimin e vendit, në rritjen ekonomike në përgjithësi dhe të mirëqenies së individit në veçanti, në punësim dhe formim profesional, në fuqizimin institucional dhe financiar të shtetit social etj.
Të nderuar delegatë,
Mes nesh ka individë që mendojnë se progresi mund të jetë më i shpejtë, se infrastrukturat mund të ndërtohen më shpejt, se papunësia mund të reduktohet më me shpejtësi etj. Unë e mirëkuptoj dëshirën e tyre dhe nuk kam asnjë ndrojtje të deklaroj se kësaj kategorie që kërkon më shumë ritëm dhe progres i përkas edhe vetë. Por si Kryeministër i vendit minimalisht këta individë do i klasifikoja si të paduruar apo si empiristë. Ata, para se të shprehin padurimin e tyre, duhet të provojnë të përgjigjen para jush nëse Qeveria nevojitet të nxisë investimet që punësojnë sa më shumë njerëz, apo investimet e teknologjive të larta që kanë nevojë për pak punonjës? Ata le të na ndihmojnë për të zgjedhur mes nevojës për rritje të shpejtë të Prodhimit Kombëtar dhe nevojës për një shpërndarje sa më të drejtë të këtij Produkti. Le të argumentojnë nëse është më e drejtë të mbajmë nën kontroll rritjen e çmimeve, apo të rrisim Prodhimin Kombëtar duke e stimuluar nëpërmjet inflacionit siç propozojnë disa. Le të na bindin nëse na leverdis më mirë të kemi papunësi 3% dhe inflacion 30% apo papunësi 13% dhe inflacion 3%?
I kam vlerësuar propozimet e oponentëve dhe konkurentëve të mi dhe të Qeverisë që unë drejtoj dhe kam mbajtur shënim mbi to. Në linja të përafërta ato janë propozime që bazohen në shkollën Kejnsianiste të ekonomisë, e cila pretendonte se e Ardhura Kombëtare dhe Punësimi arrijnë pikën optimale nëpërmjet investimeve publike të Qeverisë. Por kjo teori ka dalë nga moda prej shumë dekadash, sepse përkrahësit e "akseleratorit" vërtetuan që të Ardhurat Kombëtare mund të rriten edhe nëpërmjet rritjes së konsumit, i cili përshpejton nevojën dhe zgjeron tregun për më shumë prodhim dhe punësim.
Unë vazhdoj të mos i konsideroj armiq kundërshtarët e mi, por kur trajtojnë çështje që nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë reale dhe sfidat e saj për reforma standarte të integrimit, nuk mund t'i konsideroj as si miq, aq më pak si partnerë apo si kolegë. Kjo nuk ka asnjë lidhje me vitin kur jemi diplomuar, por me detyrimin politik dhe qeverisës për të qënë konkurues sipas parimit "Mendo në shkallë globale, vepro në shkallë lokale!".
Gjithsesi dua t'u them se padurimi për shkak të të kuptuarit empirik të problemeve të zhvillimit dhe integrimit, apo për shkak të interesave të ngushta për përfitime dhe karrierë personale, dëmton përpjekjet e përbashkëta për të ndërtuar një sistem që prodhon të mira materiale apo shpirtërore për të gjithë duke ruajtur dhe konsoliduar aftësitë konkuruese kombëtare në tregjet globale ku po integrohemi.
Të gjithë duam më shumë!
Të gjithë duam më shpejt!
Por jo të gjithë e dijnë se si!
Prandaj ata që nuk e dinë "se si", nuk meritojnë veçse të konkurojnë për demagogji apo populizëm empirik.
Demokracia, zhvillimi i gjithanshëm dhe i mbarë e harmonik si dhe integrimi i Shqipërisë nuk fillon dhe mbaron tek karriera apo kolltuku i cilitdo politikani, përfshi këtu edhe Fatos Nanon.
Motra e vëllezër,
Viti '97 do të mbetet unik në historinë e Shqipërisë për ato që përjetuam dhe trashëguam prej regjimit të mbrapshtë të Berishës, e mbi të gjitha për shpresën që depozituan bujarisht shqiptarët tek qeverisja socialiste dhe progresiste.
Ishte një shpresë që shkonte përtej imagjinatës së zakonshme, e shprehur në një votë plebishitare për ne.
Të gjithë mendonim se mjafton të kesh programet dhe financimet e duhura dhe gjithshka zgjidhet shumë shpejt. Madje pati edhe mes nesh që mendonin se arritja e rezultateve qeverisëse ishte thjesht çështje dëshire e Qeverisë.
Eksperienca po tregon se puna nuk mbaron asnjëherë këtu.
Unë e di se para 12 tetorit 2003 kishte një eufori të madhe për fitoren e zgjedhjeve vendore. Unë e di se sot një pjesë e Partisë nuk mendon si më parë për lidershipin e saj. Disa akuzojnë drejtuesit e Partisë dhe Qeverisë për tradhëti ndaj së majtës. Të tjerë po artikulojnë se Kryetari, Kryesia, Qeveria apo maxhoranca po gërryhen nga mosmirënjohësit. Ka edhe disa që mendojnë se ne bëmë shumë kohë në qeverisje dhe se duhet të kalojmë në opozitë. Ndërkohë opozita aktuale u është kthyer, e tkurrur, rrugëve dhe shesheve populiste.
Në këtë situatë unë si kryetar i Partisë dhe Kryeministër deklaroj se socialistët dhe progresistët, edhe pse kanë probleme, nuk kanë asnjë krizë. Ne do të përshpejtojmë reformat nëse do të rikthejmë mes nesh kohezionin politik dhe human, kurajon për të vlerësuar së bashku njëlloj atë që kemi arritur në këto shtatë vjet qeverisje si dhe kontributet konvergjuese në dobi të reformave të zhvillimit dhe integrimit euroatlantik të vendit.
Por ju nuk do të lejonit që të adaptohen praktika qeverisëse që cënojnë rritjen e shpejtë dhe të qëndrueshme të ekonomisë dhe mirëqenies së shtetasve. Ju nuk do të lejonit që për disa financime apo kilometra rrugë më shumë në zona deputetësh a kryetarë bashkish që kanë mësuar të bërtasin apo votojnë kundër maxhorancës sonë, ne të braktisim financimin e rritjes së pensioneve, të pagave të sektorit publik, të fondeve të asistencës sociale, të financimeve për formimin profesional të të papunëve dhe nxitjen e projekteve të punësimit, shkurt të zhvillimit të qëndrueshëm dhe harmonik të vendit. Ju nuk do të lejonit të shkurtohen shpenzimet për arsimimin e fëmijëve tanë në shkollat publike të gjithë Shqipërisë për të përfituar individë që politikën e konsiderojnë vetëm sfidë personale dhe jo përkushtim e shërbim ndaj të gjithëve. Ju nuk do të lejonit të shkurtohen fondet për subvencionet e ilaceve apo të sistemit të shëndetit publik. Dhe ne kemi bërë shumë për të realizuar këto prioritete në vitin e shtatë të qeverisjes sonë të suksesshme.
Mbroçkullat populiste dhe të pastudiuara që kanë filluar të vetëshpallen si "alternativa" nuk janë gjë tjetër veçse një tentativë për t'i veshur Tony Blair pantallonat e shkurtra të xhuxhit Kim Ir Sen.
Të dashur miq,
Unë mund t'ju jepja shumë fakte të tjera zyrtare për t'ju bindur të gjithë së bashku se Shqipëria është në rrugë të mbarë si në drejtim të konsolidimit të shtetit ligjor dhe arritjes së standarteve euroatlantike, ashtu dhe në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social. Por për politikën tonë qeverisëse më shumë rëndësi kanë sistemet institucionale, ekonomike, sociale etj, që kemi ndërtuar dhe mbi të gjitha përdorimi i tyre në dobi të progresit dhe mirëqenies së përgjithshme, drejt integrimit global të Shqipërisë.
Për këtë shkak sot ekonomia shqiptare është në prag të një boom-i investimesh publike dhe private, vendase e të huaja që për 3 vitet e ardhëshme parashikohen në rendin e mbi 4 miliardë dollarëve. "Demagogji!" bërtet opozita e Berishës, "Mashtrim!", thonë konkurentët apo kundërshtarët mëtonjës brenda Partisë.
Më lejoni t'i marr me rradhë projektet e mëdha kombëtare, të nderuar delegatë.
Qeveria shqiptare është në negociata me një konsorcium amerikano – zviceran për të ndërtuar në Vlorë një TEC dhe një sistem interkonjeksioni të energjisë mes Shqipërisë, Kosovës, Italisë, Greqisë dhe Malit të Zi për një vlerë prej 1.3 miliard dollarë.
Ne sapo miratuam projektin inxhinierik të naftë dhe gaz sjellësit AMBO i cili është në procedurat e fillimit të investimit që vetëm për territorin shqiptar është përllogaritur në masën 300 milion dollarë me 2 mijë të punësuar direkt.
Vitin e ardhshëm fillojnë punimet për terminalin modern të aeroportit të ri të Shqipërisë. Së bashku me hekurudhën e shpejtësisë së lartë Tiranë – Durrës – Rinas, me ndërtimin e rrjetit të kontrollit të trafikut ajror si dhe me ndërtimin e autostradës së dhënë me koncension që do lidhë Rrogozhinën me Tiranën dhe Thumanën që së bashku kapin një vlerë totale investimesh të huaja direkte prej rreth 500 milion dollarë.
Ka nisur tashmë studimi teknik i ujësjellësit që do të lidhë Shqipërinë me Italinë e Jugut. Realizimi i këtij projekti në territorin e vendit tonë kap shifrën prej 300 milion dollarësh, me sigurimin e ujit të pijshëm dhe ujitjes me impiante për zonën e Rivierës sonë turistike.
Dhe të gjitha këto janë bërë të mundura si pasojë e një politike të brendëshme e të jashtme nxitëse, të qartë e të orientuar mirë të qeverisë shqiptare, janë pasojë e reformave dhe partneritetit të qëndrueshëm të qeverisë me sipërmarrjen e ndershme e të ligjshme, vendase dhe të huaj dhe në bankat e mëdha dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Këto janë arritje, të nderuar delegate, dhe jo përqindja pesë më shumë apo pesë më pak e "planit" të doganave apo tatimeve.
Investimet si dhe qarkullimi i kapitaleve, mallrave dhe shërbimeve në tregun e brendshëm, mbështetur nga sistemi bankar privat për këtë vit pritet të arrijnë në 600 milion dollarë. Në bazë të ligjeve dhe ligjësive të ekonomisë, po kaq janë kapitalet e qarkulluara nga burimet e vetë sipërmarrësve. Pra në total pritet një xhiro sipërmarrjeje private prej më shumë se 1 miliard dollarësh. Vetëm importi i makinerive dhe pajisjeve për këtë vit pritet të jetë mbi 50% më i lartë se vitin e kaluar. Kjo do të thotë se vitin e ardhshëm do të kemi më shumë prodhim vendas, më pak importe për konsum, edhe më shumë vende pune se viti 2003, më shumë të ardhura fiskale dhe padyshim më shumë likuiditete për të zgjeruar ekonominë formale private dhe për të shtuar ritmet e rritjes së qëndrueshme.
Kjo do të thotë se deri në fund të vitit ne do të kemi 20 mijë të punësuar më shumë. Ja si i ndihmon shteti në një shoqëri të hapur njerëzit në nevojë, jo duke i punësuar nëpër kafene e lulishte. Ndryshe kjo do të thotë se vetëm sivjet 20 mijë prindër ndihen të qetë dhe krenarë përkrah fëmijëve të tyre. Jo vetëm se do kenë më shumë mundësi financiare t'u plotësojnë nevojat. Ata janë shndërruar tashmë përkrah familjeve të tyre në një model shprese që u kishte munguar. Këtë mundësi ua dha sistemi i ekonomisë funksionuese të tregut të hapur dhe shtetit social që qeverisja jonë e përgjegjëshme ka ngritur dhe konsoliduar.
A e dini sa individë janë ndihmuar nga shteti i qeverisur prej nesh mesatarisht në një vit? Rreth 900 mijë pensionistë, invalidë, të papunë etj. Dhe kjo bëhet me një fond prej 450 milion dollarësh që dalin nga buxheti i shtetit. E thënë ndryshe, sot në sistemin publik të Punësimit dhe projekteve Sociale kryhen çdo vit 22 milionë veprime në dobi dhe ndihmë të shtetasve. Kjo do të thotë të vesh shtetin në shërbim të qytetarëve.
Unë e di se asfalti i derdhur mbi rrugë apo boja që mbulon muret duken më shumë se fondet që ne shpërndajmë tek mijëra familje në çdo qytet dhe fshat të Shqipërisë për t'u garantuar atyre mbijetesën, për t'u përmirësuar mirëqënien, për t'u shëndoshur moralin, shpresën dhe motivimin për jetën. Por ne mbetemi Partia dhe qeverisja e njerëzve në nevojë. Ne nuk do i braktisim kurrë ata, sepse ne jemi kundër anarkisë së shoqërisë së tregut!
Ne e dimë se kemi ende shumë për të bërë. Ne jemi të gatshëm për të bërë më shumë sepse jemi të vendosur të përballojmë më mirë së bashku sfidat e progresit dhe reformat e integrimit.
Ne së bashku duhet të gjejmë në këtë realitet të transformuar një vend ku të vendosim zemrën.
Shqipëria nuk bëhet me inatet e Berishës, por me dashurinë e socialistëve dhe progresistëve, sepse ky vend është i lodhur nga inatet primitive të së kaluarës ballkanike.
Shoqe dhe shokë,
Sot Shqipëria për herë të parë në vitet e pluralizmit gjendet plotësisht e hapur dhe e balancuar në marrëdhëniet e saj me botën moderne. Marrëdhëniet tona integruese e ndërvepruese me dy qendrat e mëdha të politikës globale dhe që përfshijnë bashkërisht harkun gjeopolitik të botës euroatlantike, Uashingtonin dhe Brukselin, janë në nivelin më të mirë të të gjitha kohrave. Sot Shqipëria është e vlerësuar lart nga aleatët e mëdhenj perëndimorë për rolin e saj të spikatur europianizues dhe integrues në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe në qëndrimet e qarta që ka mbajtur në dobi të paqes dhe sigurisë rajonale e globale, raste kulmore për të cilat janë Pakti i Stabilitetit dhe "Koalicioni i Vullnetit" të vendeve demokratike kundër terrorizmit. Ne kemi qënë shpesh dhe mbetemi promotorë të ideve dhe projekteve të rëndësishëm integrues në rajonin tonë. Si Kryetar i PSSH dhe Kryeministër i vendit kam mbështetur dhe vënë në lëvizje iniciativa dhe ide të rëndësishme siç janë "Shengeni ballkanik", Asambleja Parlamentare rajonale, "Karta e Adriatikut", apo përfshirja në procesin e Stabilizim Asociimit edhe për Kosovën krahas vendeve të tjera të rajonit. Tashmë shumë nga këto projekte janë pjesë e axhendave të institucioneve të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe e vetë Internacionales Socialiste që përgatitet të vërë në funksionim Komitetin e posaçëm politik për Europën Juglindore. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të japim po këtë kontribut të spikatur në këto procese, sepse jemi thellësisht të bindur tek aftësitë tona politike konkurruese dhe integruese. Pa e ulur aspak vëmendjen ndaj respektimit të të drejtave të shqiptarëve dhe emigrantëve në rajon dhe më gjerë, ne asnjëherë nuk e shpërdoruam potencialin etnik dhe kemi dhënë kontribut të vlerësuar lart në mbarëvajtjen e shoqërive multikulturore të modelit europian dhe të orientuara nga integrimi në rajonin tone që sa vjen e qetësohet.
Proceset integruese në të cilët jemi tërësisht të angazhuar kanë kostot e veta që ne i kemi llogaritur me saktësi. Kosto ka zbatimi i Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë apo i Marrëveshjeve të Ripranimit me vendet e rajonit por edhe me BE-në, kosto ka reformimi i institucioneve dhe përafrimi i tyre me standartet perëndimore, kosto ka lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe informalitetit, por të gjitha këto janë sfida të cilat ne, politika progresiste, shoqëria dhe sipërmarrja shqiptare po i marrin përsipër t'i përballojmë në emër të së ardhmes europiane të Shqipërisë.
Duke qënë pjesë e një procesi të pandalshëm integrues ne na duhet që edhe veprimet dhe iniciativat politike të Partisë sonë për të ardhmen t'i ndërtojmë mbi kritere globale që kanë në themel standartet euroatlantike. Ne na duhet të orientohemi globalisht dhe të veprojmë në vendin dhe rajonin tonë në përputhje me prirjet e integrimeve globale. Kjo është një filozofi e tërë e cila po bëhet çdo ditë e më shumë pjesë e programeve tona politike qeverisëse. Në kushtet kur ne jemi përfshirë në këtë proces integrues, shumë reforma që do të ndërmarrin janë standarte, por realizimi i tyre në realitetin shqiptar do të kërkojë formimin dhe forcimin e kapaciteteve funksionuese, të institucioneve dhe administratorëve publikë në qeverisjen qendrore dhe vendore. Më lejoni që në mënyrë të përmbledhur të deklaroj me përgjegjësi para jush disa prej pikësynimeve që do të na duhet të realizojmë së bashku:
• Arritja brenda vitit 2015 e një Prodhimi të Brendëshëm Bruto prej 1.5 mijë miliard lekë, nga 744 miliard lekë që pritet sivjet, ose dyfishin.
• Brenda vitit 2015 do të arrijmë të ulim nivelin e ekonomisë informale nga rreth 35% që është sot në 27% që afron me nivelin e shumë vendeve anëtare të BE;
• Brenda vitit 2007 papunësia do të përgjysmohet deri në 7% nga 13 që është sot, duke arritur të parametra që cilësohen të shkëlqyer edhe për Bashkimin Evropian;
• Brenda vitit 2009 tarifat doganore do të bëhen zero për shumicën e mallrave që importojmë nga rajoni, nga BE dhe vendet anëtare të OBT. Kjo do të thotë jo vetëm eleminim i përdorimit të doganave për kontrabandë, por dhe forcim i sistemit tatimor.
• Arritja e këtij objektivi do të thotë se brenda vitit 2009 Shqipëria është e gatshme për bashkim doganor me BE;
• Brenda dhjetë vitëve të ardhshme, për shkak të politikave tona të zhvillimit dhe zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Urbanizimit dhe të Zhvillimit të Zonave Rurale, struktura e popullsisë do të jetë 54% urbane dhe 46% rurale, ose e kundërta e raportit të sotëm;
• Në vitin 2008 do të arrijmë që nga shërbimet të sigurohet rreth 60% % e GDP-së, ose në standarte të pranueshme të Bashkimit Evropian nga 40% që shfaqet sot.;
• Përmes reformave të standarteve europiane do të arrijmë që në vitin 2005 biznesi shqiptar të kuotohet në bursën shqiptare dhe nëpërmjet saj në tregjet ndërkombëtare të kapitaleve;
• Do të arrijmë që Brenda dhjetvjeçarit sistemi ynë gjyqësor të jetë i standarteve europiane;
• Zgjedhjet e tjera vendore të vitit 2006 të mbahen pa vëzhgues të huaj, si pasojë e përmirësimit të standarteve që do të dëshmojmë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005;
Dhe të gjitha këto e të tjera reforma që po realizojmë do të kenë dy objektiva madhore: Antarësimin e Shqipërisë në NATO në vitin 2006 dhe - më lejoni të mbështes këtu edhe objektivin e deklaruar në Samitin e Tiranës nga Presidenti i Internacionales Socialiste Antonio Gutieres, që në 25 vjetorin e rënies së murit të Berlinit, të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë antarë të Komunitetit Europian.
Ne do ta bëjmë këtë së bashku me forcat progresiste të politikës, shoqërisë civile dhe sipërmarrjes kombëtare për integrim euroatlantik!
Ne e kemi marrë përsipër këtë mision historik dhe do ta përmbushim atë! Koalicioni ynë me progresin është garanci për këtë!
Të nderuar miq e të ftuar,
Në përfundim më lejoni të ritheksoj se PSSH si antare e IS është një Parti e reformuar dhe reformatore që do të vazhdojë të modernizohet duke u paraprirë transformimeve europianizuese të politikës, tregut, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.
Zgjerimi i hapësirave demokratike direkte, i decentralizimit të vendimmarrjes, i njehsimit të kohëzgjatjes së mandateve të zgjedhësve dhe të zgjedhurve në Parti, ndërtimi dhe funksionimi i Komisionit të Garancive Statutore etj, që adaptuam në Kongresin e Tretë, kanë sjellë natyrshëm nevojën e forcimit të standarteve socialdemokratike të PSSH. Besoj se ndaj me ju të njejtin vlerësim se konsolidimi i institucioneve demokratike dhe i rregullave të përfaqësimit dhe komunikimit midis antarësisë dhe forumeve drejtuese e titullarëve në çdo nivel duhet të garantojë plotësisht disiplinën politike dhe kohezionin parimor për vendimmarrjet dhe reformat e mëdha qeverisëse.
Unë besoj se vetëm nëpërmjet një solidariteti politik të organizuar dhe të qëndrueshëm ne do të mund të konsolidojmë dhe çojmë në fitore të tjera elektorale të PSSH dhe aleancën e saj me forcat e progresit europian të vendit.
Ne kemi dhënë prova se nëpërmjet bashkëveprimit parimor politik e programor mund të garantojmë reformimin e pandërprerë të politikës në një shoqëri të hapur ku bashkimi i forcave kompenson mangësitë e individëve.
Pas gjashtë vjet e gjysëm në qeverisje, për shkak të rezultatit të zgjedhjeve vendore të 12 tetorit 2003 dhe të emocioneve të disa pretendentëve për t'u bërë pjesë e lidershipit tonë, shtrohen para nesh dy pyetje: do fitojmë sërish apo do tërhiqemi në favor të opozitës? Jemi pra në një moment prove, jo vetëm për aftësitë tona konkuruese dhe fituese, por dhe për karakterin dhe moralin tonë politik dhe atdhetar.
Dhe kjo provë nuk pranon më diskutime boshe, por duhet të na angazhojë të gjithëve në një aksion për ringjalljen e besimit plebishitar të shoqërisë shqiptare tek socialistët dhe progresistët.
Prandaj më lejoni t'ju ftoj solemnisht që menjëherë pas Kongresit Partia Socialiste e Shqipërisë të fillojë aksionin më të madh politik në historinë pluraliste të Shqipërisë, duke bashkëbiseduar me të gjithë shtetasit që qeverisim, për të ndarë më mirë me ta arritjet tona dhe për të kuptuar më mirë prioritetet e përmirësimit të politikave dhe vendimmarrjes sonë.
Ne nuk duhet të humbasim më kohë dhe energji me diskutimin e doktrinave partiake apo në konflikte përfaqësimi. Ne nuk na lejohet të shpikim zgjidhje specifike nacionale për reformat standarte të integrimit në BE dhe NATO. Ne duhet të përballojmë dhe menazhojmë me forca të bashkuara kostot e reformave dhe përgjegjësitë e tyre dhe jo të lejojmë coptimin e fraksionimin e Partisë në grupe të vogla interesash informale dhe konfliktuale.
Vetëm nëpërmjet këtij aksioni ne do të arrijmë të kemi një Qeveri efikase në solidaritet veprimi politik të lidhur ngushtë me Partinë dhe një Parti të lidhur në solidaritet për reforma me shoqërinë shqiptare dhe me grupet përfaqësuse të interesave legjitime të saj.
Prandaj kemi nevojë për këtë aksion të madh politik!
Prandaj do të vazhdojmë të fitojmë së bashku!
Vetëm kështu ne do të mund të largohemi nga menytë bajate që servirin intrigat politike dhe sensacionet mediatike të ditës për opinionin publik!
Vetëm kështu ne do të mund të shpëtojmë politikat dhe vendimmarrjen serioze nga demagogjitë dhe interesat meskine të individëve apo grupeve regresive të interesit!
Vetëm kështu ne do të mund të pasurojmë përvojën tonë politike e qeverisëse, për të mos degraduar në debate private dhe sherrnaja boshe!
Vetëm kështu ne do të mund të konsolidojmë një politikë realiste dhe të vërtetë për njerëzit e vërtetë të progresit!
Më lejoni ta mbyll duke cituar një deklarim të Tony Blair në Kongresin e Laburistëve të mbajtur vetëm pak javë më parë:
"Nuk ka ndryshime pa konflikte, nuk ka progres pa ndryshime, nuk ka shprese per drejtesi sociale pa reforma".
Rroftë Partia Socialiste!
Rroftë Shqipëria Europiane!
Rroftë Internacionalja Socialiste!