Fatosit i bëhet qejfi

Për sulmuesin e Dinamo Zagrebit, Fatos Beqiraj kjo javë ishte shumë e veçantë. Përveç që siguroi kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, sulmuesit kosovar iu plotësua edhe një dëshirë – të luajë kundër Real Madridit.
Shorti i tërhequr të premten pasdite në Monaco, kundërshtar të ekipit kroat në Grupin D, ka përcaktuar tri skuadra të mëdha evropiane: Real Madridin, Olmpique Lyonin dhe Ajaxin.
Ish-sulmuesi i ekipit malazez, Buduçnost, tregon se gjiganti spanjoll e ka ekip të zemrës derisa qysh kur ishte fëmijë kishte ëndërruar që një ditë të luajë kundër tyre. Ai thotë se e kishte parandier se do të përballen me klubin mbretëror.
“Dje e kam përcjellë shortin dhe e kam pasur një ndjenjë që do të na bjerë kundër Real Madridit, këtë ua kam thënë edhe shokëve të mi”, rrëfen për Express reprezentuesi i Malit të Zi.
“Gjithmonë kamë qenë tifoz i Realit dhe qysh si fëmijë kam ëndërruar të luaj kundër tyre. Tash do të luaj kundër tyre dhe është një ndeshje shumë e madhe për ne pasi do të përballemi me yje”, shtoi 23-vjeçari.
Ish-futbollisti i Shqiponjës dhe Besës nga Peja vlerëson se Grupi D është shumë i vështirë pasi përballë do të kenë klube të mëdha. Megjithëkëtë pejani synon që së paku ta zërë vendin e tretë në grup.
“Grupi ynë është shumë i vështirë. Real Madrid dhe Lyon kanë treguar formë të mirë si në garat ndërkombëtare, ashtu edhe në ligën e tyre. Po ashtu edhe Ajaxi është ekipi i fortë”, thotë Beqiraj.
“Ne do të përgatitemi dhe do të mundohemi që ta zëmë vendin e tretë në grup, i cili vend do të na mundësojë që garat t’i vazhdojmë në Europa League. Ne do të mundohemi të marrim pikë kundër Lyonit dhe Ajaxit, kundër Realit e kemi vështirë të marrim pikë, pasi dihet se çfarë ekipi janë”, përfundoi kosovari me pasaportë malazeze.
Beqiraj është futbollisti i parë që nga Superliga e Kosovës që pritet luajë në garën më prestigjioze evropiane, Ligën e Kampionëve. Karriera e pejanit filloi të shënojë rritje pas transferimit tek ekipi malazez, Buduçnost, në vitin 2008 nga Besa e Pejës.
Pas lojërave të shkëlqyeshme në Kampionatin malazez, 23-vjeçari në gusht të vitit të kaluar u transferua te gjiganti kroat, Dinamo Zagreb, ku menjëherë është bërë pjesë e rëndësishme e ekipit.