Ligji, shpëtim për sportin
Miratimi i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sport nga ana e Qeverisë së Kosovës është mirëpritur në komunitetin sportiv të vendit.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani është i bindur se tani Kuvendi i Kosovës nuk do ta vonojë procesin e miratimit të tij, përkatësisht futjes në fuqi të Ligjit për sport.
Në fakt, ky ligj është miratuar në vitin 2003. Por, prej asaj kohe secilën herë janë krijuar rrethana të reja në vendin tonë, të cilat e kanë detyruar komunitetin sportiv të Kosovës të kërkojë ndryshim-plotësimin e tij.
“Unë kam pasur rast të bisedoj me ministrin Memli Krasniqi, por edhe me deputetë të Republikës së Kosovë dhe të gjithë kanë premtuar se këto ndryshime në Ligjin për sport do të miratohen dhe Ligji i sportit do të jetë në fuqi në këtë vit”, tha Hasani për Express, i cili ishte pjesë e grupit punues në këtë projektligj.
“Shpresoj që mos të kenë bërë ndryshime në propozimet e grupit punues, posaçërisht te statusi i sportistit dhe trajtimi adekuat i tyre. Ato kanë ndikime buxhetore, por janë të domosdoshme dhe në funksion të ngritjes sasiore dhe cilësore të sportit në Kosovë”, theksoi shefi i institucionit më lartë sportiv në vend.
Ai shpreson që Ligji për sport mos të hyjë në fuqi vetëm sa për ‘sy e faqe’, por të implementohet plotësisht.
“Pjesa më e rëndësishme mbetet zbatimi i tij. Ne më parë kemi pasur një ligj, i cili ka dalë jofunksional e jopraktik, pra ligj i keq, por e keqja me e madhe ka qenë se edhe si i tillë, nuk është zbatuar fare në praktikë...”, vazhdoi Hasani.
Sipas tij, projektligji i miratuar nga ekzekutivi pritet të ndërpresë shumë anomali që e përcollën sportin kosovar me vite.
“Komisioni ka punuar në ndryshimet e Ligjit për sport, i përqendruar në eliminimin e mangësive që kanë dërguar në shuarjen e interesimit te të rinjtë që të marren me sport. Madje, edhe sportistët aktivë dhe trajnerët e tyre ‘çuan duart’ nga të merrnit me sport”, shtoi ai.
Por, Hasani thotë se futja në fuqi e këtij ligji të përmirësuar nuk do të thotë se infrastruktura ligjore rreth sportit është rregulluar plotësisht në Kosovë.
Ai rikujtoi se institucionet shtetërore tani duhet ta përshpejtojnë procesin e miratimit të Ligjit për sponsorë, i cili nga shumëkush konsiderohet si shpëtim për sportin kosovar, i cili po vuan shumë nga kriza financiare.
“Besoj fuqishëm se këto ndryshime në Ligjin për sport, miratimi i Ligjit për sponsorë dhe miratimi i Strategjisë së sportit për periudhën 4 apo 8-vjeçare, pra 2012-2020, do të ndikojë që Kosova të ketë shumë sportistë e sportiste që do të fitojnë medalje në olimpiada, në kampionate botërore dhe evropiane”, përfundoi Hasani.
Ligji i përmirësuar për sport pritet t’i sjellë shumë të mira sportit kosovar. Pos të tjerash, me këtë ligj fuqizohet KOK-u, sikurse Komiteti Paraolimpik, etj. Njëherësh, sipas këtij ligji, në Kosovë do të formohet Agjencia Anti-doping, e po ashtu duhet të bëhet fuqizimi dhe definimi i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv dhe Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.
Me këtë ligj, do të ketë përmirësim të statusit të sportistëve dhe akterëve të tjerë në sport. Për shpresat olimpike të Kosovës do të ndahen edhe bursa. Ky ligj, mbështetje të përhershme financiare u jep sportistëve të kategorizuar si sportistë të dalluar të nivelit vendor dhe veçanërisht për ata me të arritura nëpër gara ndërkombëtare. Me këtë ligj luftohet edhe huliganizmi në sportin kosovar, etj.