E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatos Nano më në fund erdhi në “Apartamentin 2XL”

“Fatos Nano ne po të presim” u bë një refren i pandashëm i puntatave të dy sezoneve të spektaklit të humorit “Apartamenti 2XL”. Ermal Mamaqi e ktheu në një slogan të pandashëm të emisionit që shoqëron çdo të dielë mbrëmjet e publikut në sallë dhe telespektatorëve që ndjekin këtë spektakël të veçantë në Shqipëri. Por tashmë lutja e Ermal Mamaqit ndaj ish-kryeministrit të vendit, Fatos Nano ka marrë fund. Fatos Nano ka qenë të dielën në mbrëmje në spektaklin “Apartamenti 2XL”. Show që u regjistrua do të transmetohet ekskluzivisht në natën e ndërrimit të vitit, në televizionin Vizion Plus. Kështu ajo çka nisi si një shaka, me këngën e shkruar nga Turi Hyska, regjisori i spektaklit dhe u bë refren nga aktori Ermal Mamaqi, në çdo natë të spektaklit. Historia e vizitës së Nanos në emisionin “Apartamenti 2XL”, mori dhenë, e madje aktorët ishin gati të shkonin deri në Vienë për të marrë mikun special. Me gjithë pritjen, këngën himn, Nano nuk vajti e nuk vajti në “Apartamentin e tyre”. Në fakt kur u mbyll sezoni i parë i “Apartamentit 2XL”, në një lidhje telefonike në një emision ku ishin të ftuar katër aktorët, Fatos Nano u tha se “sezonin tjetër jam gati ta nisim bashkë”. Kur nuk u pa në emisionin e parë të këtij sezoni, sigurisht që të gjithë u zhgënjyen. Gjithsesi edhe e mirëkuptuan mungesën e Fatos Nanos në spektakël dhe shumë i inkurajuan djemtë të mos dorëzoheshin se “ndodh ndonjëherë që edhe Nano nuk I mban premtimet”… Por ja që edhe pse me vonesë, më në fund ai erdhi… po po. Erdhi. E jo vetëm, por i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Xhoana, Nano u ka bërë surpriza dhe dhurata djemve simpatik në spektaklin e fundit të “Apartamentit 2XL”. Siç na ka rrëfyer një spektator që ka ndjekur në sallë spektaklin, Fatosi ka mbërritur në shfaqje dhe entuziazmi, euforia e aktorëve dhe publikut, ka qenë e madhe. Si një njeri karizmatik, Fatosi nuk ka lënë pa shpotitur djemtë e humorit, e madje është shprehur se i kishte mbetur hatri nga Ermali që nuk e kishte ftuar në dasmë. Megjithatë, ai i ka bërë dhuratë Ermalit dhe Amit, dy zogj të kristaltë për dasmë. Më tej, ai ka shkëmbyer disa batuta me aktorët dhe është larguar nga salla mes shumë duartrokitjesh. Kështu, më në fund ëndrra e Ermalit u bë realitet! Por nuk dimë se kujt do t’i këndojë tani e tutje ai…

Fatos Nano ne po të presim

Sot është ftohtë/ u trashëm/ pritëm gjatë që ti të vish/ unë dhe këta gjithë ditën qajmë/ se na mori malli shumë/ mirë e dimë se ty s’të plas a do vish ti o Fatos/ marrim mish e pimë raki/ fatkeqësisht nuk kemi xhin/ Fatos Nano ti je pse nuk vjen/ Fatos Nano në Vjenë s’ke pse të rrish/ Fatos Nano/ ti lekët mos i prish/ Fatos Nano (mos ha bukë e mish)/ Fatos Nano të presim që të vish/ ike larg more rrugët/ mall i madh digjet për ty/ edhe gjyshes një dëshirë i thashë/ të më çojë mua tek ty/ s’është e lehtë/ më vjen të qaj/ sepse unë e di ti do vish/ kam besim se do ti do të vish/ Fatos Nano të presim që të vish/ Fatos Nano ti eja, pse të mos vish/ Fatos Nano ti lekët mos i prish/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›