E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimet informale, 110 pronarët që do të kompensohen

SHKRUAN: Jonida Tashi 24-02-2011 21:13

Zbardhet masa e shpronësimit në lekë. Vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë të disponueshme në llogaritë bankare, duke filluar që sot

Përfundon raundi i tretë i procesit të shqyrtimit të kërkesave të subjekteve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë këstin e parë të kompensimit apo shpërblimit, në masën prej 21,89% të shumës së miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë, e cila njofton se në datën 21.02.2011 ka përfunduar raundi i tretë i procesit të shqyrtimit të kërkesave të subjekteve. Ky proces, ashtu sikurse edhe raundi i parë dhe i dytë, është bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale” të ndryshuar dhe në vendimet përkatës të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar. Në përfundim të këtij procesi janë miratuar 52 kërkesa të tjera për tërheqjen e kompensimit/shpronësimit në të gjithë vendin. Nga ky proces do të përfitojnë një numër prej rreth 110 pronarësh/bashkëpronarësh, në shumën e përgjithshme prej 89 939 668,10 (tetëdhjetë e nëntë milion e nëntëqind e tridhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tetë presje dhjetë) lekë. Vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë bankare, duke filluar nga data 24 shkurt 2011. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, fton të gjithë subjektet e interesuara, emrat e të cilëve rezultojnë në listat përfituese të shpronësimit, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, të vijojnë të paraqiten në çdo kohë pranë zyrave tona, për dorëzimin e kërkesës, për tërheqjen e vlerës së kompensimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›