E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatura e përmbytjes, 4,2 milionë euro

Këshilli i Qarkut të Shkodrës bën llogaritë pas verifikimit të dëmeve në terren

Përmbytjet në zonën e Nënshkodrës kanë një faturë financiare prej 4 milionë e 213 mijë eurosh. Ka përfunduar kështu verifikimi dhe përllogaritja e dëmeve të shkaktuara nga përmbytja e fillimit të këtij vitit. Në një komunikim me mediat, kryetari i Qarkut Shkodër, Gjovalin Kolombi, ka bërë të ditur se nga përmbytja janë dëmtuar 4213 familje dhe dëmi për çdo familje është mesatarisht rreth 1 mijë euro. Ndërkohë, sipas të dhënave që jepen nga Qarku i Shkodrës kanë mbetur ende pa u verifikuar disa toka bujqësore në zonën e Luarzit dhe Pentarit, ku banojnë rreth 718 familje, për të cilat ende nuk ka mbaruar plotësisht dokumentacioni dhe përllogaritja e dëmeve. Gjatë publikimit të të dhënave ishte i pranishëm dhe ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, i cili theksoi faktin se duhen marrë në konsideratë banorët e dëmtuar dhe nëse në ndonjë rast ka pakënaqësi në lidhje me verifikimin.

Ndërsa duke folur për mediat, kryetari i qarkut është shprehur se: “Fatura financiare që kanë nxjerrë grupet e verifikimit dhe listat e familjeve do i dërgohen qeverisë dhe me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave do të bëhet dhe dëmshpërblimi për çdo familje. Në të njëjtën kohë, Qarku i Shkodrës është i hapur për banorët e dëmtuar për të pritur çdo ankesë apo paqartësi në lidhje me mënyrën e përllogaritjes apo dëmshpërblimit. Ne përllogaritëm dëmin, tani është radha e qeverisë për të mbajtur premtimin ku me mijëra familje presin të marrin lekët për dëmet që u janë bërë nga fatkeqësia natyrore”, ka thënë prefekti.

Kujtojmë se zona e Nënshkodrës u përmbyt ditët e para të janarit të këtij viti. Për pasojë rreth 11400 ha tokë, mbi 2500 shtëpi u përmbytën, ndërkohë që mbi pesëmijë persona u detyruan të evakuohen dhe të largohen nga shtëpitë e tyre për t’u vendosur në qendrat e ngritura nga pushteti lokal. Në Qarkun e Shkodrës u prekën tetë komuna dhe Bashkia e Shkodrës, por zonat më të dëmtuara kanë qenë Komuna e Dajçit dhe Gurit të Zi. Tri javë më parë grupet e ekspertëve nisën punën në terren për verifikimin e dëmeve të shkaktuara në tetë komunat dhe lagjet periferike të qytetit të Shkodrës. Ekspertët regjistruan çdo dëm të deklaruar nga familjet e prekura nga përmbytjet dhe më pas bënë verifikimet e tyre në terren. Pas përfundimit të kësaj faze që zgjati për gati 2 javë, u bë përllogaritja e dëmit financiar të shkaktuara nga dalja nga shtrati i lumenjve Bunë dhe Drini i Zi dhe hapja e detyruar e portave të hidrocentraleve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›