PS-PD anashkalojnë dialogun, nisin replikat
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste replikuan dje në distancë për sa u përket qëllimeve të këtyre forcave politike në kohën kur vendi është në krizë. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, deklaroi se është kryetari i PS-së, Edi Rama, ai që po kërcënon dialogun mes mazhorancës dhe opozitës. Sipas Mëhillit, në kohën kur palët janë ulur për dialog, Rama zgjedh të kërcënojë qeverinë dhe vendin me protesta dhe madje me skenarë famëzinj të vitit 1997. “Edvin Kristaq Rama dhe pinjollët e Bllokut zgjodhën për shpalljen e platformës së rebelimit komunist të vitit ‘97 ndrikullën e organizatës terroriste ‘Hakmarrja për Drejtësi’, për të cilën u publikuan para 2 javësh dokumente që provojnë anëtarësinë familjare të saj në këtë organizatë”, theksoi Mëhilli. Sipas saj, Partia Demokratike rikonfirmon edhe një herë garancinë se do të jenë ata dhe lidhjet e tyre kriminale që do të përballen me vendosmërinë dhe forcën e ligjit për çdo dhunim të tij. E menjëhershme ishte edhe përgjigjja e ardhur nga Partia Socialiste në lidhje me këtë deklaratë. Deputeti i PS-së, Artan Gaçi, theksoi se kërkesa e socialistëve është e thjeshtë dhe plotësisht legjitime. “Kërkesa jonë është e thjeshtë: Hetim dhe transparencë e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Askush nuk ka pse të habitet nga kjo kërkesë që është e drejtë dhe parimore, në respekt të ligjit dhe të Kushtetutës”, deklaroi Gaçi. Sipas tij, Sali Berisha bën mirë të hapë kutitë, duke respektuar kështu të drejtën legjitime të popullit opozitar për transparencë. Deputeti i PS-së theksoi se frikës së Saliut nga transparenca i qëndron kërkesa e një populli të tërë për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit.
#