E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioneri Fule: Anëtarësimi në BE. Nuk do tu tolerojmë!

Paralajmërimi

Zyrtari i parë shqiptar që do të takohet me komisionerin e ri europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, është Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Kriza politike në vend dhe ndikimi i saj në procesin integrues do të jenë temë diskutimi në këtë takim, në momentin kur kreu i shtetit ka marrë përsipër rolin e negociatorit mes dy forcave kryesore. Pjesëmarrja e Komisionerit Fule dhe Presidentit Topi në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri kroat, është bërë shkak për këtë takim.

Një ditë përpara vizitës së tij në Kroaci, komisioneri Fule theksoi se plotësimi i kritereve të Kopenhagës janë rruga e vetme drejt Bashkimit Europian. “Do të bëj çfarë është e mundur për t’ua bërë të qartë bashkëbiseduesve të mi se çfarë është e rëndësishme për mua. Së pari janë kriteret e Kopenhagës. Këto kritere janë ekstremisht të rëndësishme dhe të panegociueshme. Ato përbëjnë të vetmen rrugë që një vend të përparojë drejt anëtarësimit të plotë në BE. Nuk ekziston as shkurtimi i rrugës dhe as ndonjë shmangie e mundshme e saj. Duhen përmbushur të gjitha kriteret dhe detyrimet e përcaktuara për anëtarësimin”, theksoi ai.

Takimi me Presidentin Topi në Zagreb, i cili zhvillohet në orën 09:00 të datës 18 shkurt, në axhendën e komisionerit Fule është renditur përpara takimit të tij me Kryeministren e vendit pritës, kroaten Jadranka Kosor. “Nevojitet që procesi integrues të jetë i besueshëm dhe besimi duhet të jetë një princip udhëheqës për të dyja palët, si për Bashkimin Europian, ashtu dhe nga ana e vendeve kandidate apo që aspirojnë këtë kandidaturë”, ka shtuar Fule. Bisedimet Fule-Topi në Zagreb, mbi krizën politike në vend, vijnë pas deklaratës së komisionerit për Zgjerimin, se zgjatja e mëtejshme e kësaj krize do të kishte ndikim negativ për kandidaturën e Shqipërisë, por edhe pas tryezës së të shtunës, kur kabineti i tij shprehu qëndrimin se komisioneri dëshiron shumë të shohë progres nga negociatat PD-PS, të drejtuara nga Presidenti Bamir Topi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›