E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pendohet Aldo Bare, kërkon gjykim të shkurtuar

Kreu i Bandës së Lushnjës tenton t’i shpëtojë dënimit të përjetshëm, pranon aktet në dosje, por jo akuzat

Aldo Bare mund t’i shpëtojë dënimit me burgim të përjetshëm. Gjatë seancës së djeshme avokati i tij, Vladimir Meçi, i ka kërkuar trupit gjykues i drejtuar nga Fatmira Hajdari që klienti i tij të ketë një gjykim të shkurtuar, duke pranuar aktet e dosjes, por jo akuzat. Nëse gjykata pranon këtë kërkesë të tij Bare mund t’i shpëtojë burgimit të përjetshëm. Sipas ligjeve të shtetit shqiptar në qoftë se një i pandehur kërkon një gjykim të shkurtuar, atëherë ai pranon automatikisht të gjitha akuzat, por dhe përfiton uljen e një të tretës së dënimit. Në këtë mënyrë Aldo Bare i shpëton “masës burgim të përjetshëm”. Ndërkaq, organi i akuzës i kërkoi kohë gjykatës për të shqyrtuar kërkesën e të pandehurit dhe ligjet e tjera që kanë lidhje me të. Vendimi për kërkesën e të pandehurit pritet të jepet në seancën e radhës. Ndërkaq, vetë Bare nuk ishte prezent në seancën e djeshme, mungesë e cila solli dhe ndërprerjen e saj. Seanca e radhës sipas trupit gjykues do të zhvillohet më datë 24 shkurt ora 10:00. Aldo Bare ose i njohur ndryshe si Alfred Shkurti njihet si ish-drejtuesi i Bandës së Lushnjës. Ai akuzohet nga drejtësia shqiptare për “organizim të grupeve kriminale”, ”vrasjeve”, ”dhunimit të varreve dhe armbajtës pa leje. Prej disa kohësh ai ishte arratisur nga Shqipëria dhe u kap nga Interpoli në Turqi. Pas kërkesave të vazhdueshme të shtetit shqiptar u bë i mundur dhe ekstradimi i tij për t’u gjykuar nga gjykatat shqiptare. Me të gjithë këto akuza të cilat rëndojnë mbi të Aldo Bare rrezikon masën burg të përjetshëm. Para dy seancash, me anë të avokatit të tij, ai kërkoi ndërprerje të procesit për shkak të kalimit të afateve procedurale. Kërkesa e tij u hodh poshtë nga Gjykata e Krimeve të Rënda e Rrethit Tiranë, ndërkohë që sot ai i drejtoi kërkesën për gjykim të shkurtuar për të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›