E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatura financiare e tërmetit të 6 shtatorit: 129 milionë lekë

Qeveria ka harruar dje të miratojë vendimin për vlerësimin e dëmeve të tërmetit të 6 shtatorit me epiqendër në Gjoricë të Bulqizës. Vendimi në fjalë është diskutuar vetëm pas mbledhjes së qeverisë, në Komitetin Ndërministror për Integrimin, anëtarë të të cilit janë edhe Kryeministri dhe zëvendëskryeministri. Në mbledhjen e këtij komiteti, veprimtaria e të cilit nuk ka lidhje me emergjencat civile, u hodh në diskutim vendimi për njohjen e dëmeve me një vlerë prej 129 milionë lekësh për 1437 banesa të prekura nga tërmeti i datës 6 shtator në fshatrat e Dibrës.

Fatura

Ministria e Brendshme që ka përgatitur materialin, ka përcaktuar edhe listën e emrave me vlerat përfituese që do të përfitojnë nga rreth 129 milionë lekë të përcaktuar për banorët që u prekën nga fatkeqësia natyrore. Në dokumentin ku data e tërmetit është shënuar gabim, është sqaruar se vlerësim i dëmeve është bërë në bazë të çmimeve të miratuara për këtë qark, nga Enti Kombëtar i Banesave. Nga verifikimet e bëra rezulton të jenë 1437 banesa të dëmtuara, me një vlerë dëmesh të llogaritura në mbi 129.359.122 lekë. Në këtë vendim është parashikuar që një pjesë e fondit të përballohet nga Ministria e Brendshme në zërin "Emergjencat Civile", ndërsa pjesa tjetër do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2009. Pas paraqitjes në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit projektvendimi dhe pritet të marrë zyrtarisht konfirmimin në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave.

Situata

Tashmë pas 25 ditëve nga rënia e tërmetit shkatërrues të 6 shtatorit, banorët e Gjoricës, ku dhe ishte epiqendra e këtij tërmeti me intensitet prej 7.2 ballësh, kanë humbur shpresat për të ardhmen e tyre. Kjo, për faktin se pasojat e këtij tërmeti që shkaktoi dëme të mëdha, edhe pse po mbushet muaji nga rënia e tij, ende vazhdojnë të rëndojnë mbi supet e banorëve të Gjoricës dhe komunave fqinje me të, Shupenzë, Zerqan, Ostren, si dhe Bashkinë Bulqizë. Numri i banesave të dëmtuara në çdo njërën nga këto njësi vendore, është me mijëra. Kështu, sipas autoriteteve lokale, vetëm në Komunën Gjoricë numërohen 2000 banesa me dëmtime të lehta, të mesme dhe të rënda. Banorët në vazhdimësi janë ankuar për mungesë ndihmash nga ana e shtetit për të përballuar këtë fatkeqësi natyrore, përjashtuar një çadre për të futur kokën familjarisht, për të shmangur ndonjë fatkeqësi të mundshme, pasi ndiheshin të pasigurt nën vijimin e rënies së tërmeteve të tjerë që bien për çdo ditë. Ende edhe pse po mbushet muaji nga rënia e tërmetit, frika dhe mungesa e të ardhurave për rindërtimin e shtëpive i ka detyruar këta banorë që t‘i mbajnë sytë të kthyer nga shteti. Por, ndihmat aq shumë të pritura nuk kanë ardhur dhe as dihet se kur mund të vijnë edhe përkundrejt premtimeve qeveritare. Vetëm para disa ditëve në një vizitë të bërë në Shupenzë, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, premtoi edhe një herë ardhjen e shpejtë të ndihmave nga qeveria, për ndërtimin e shtëpive të dëmtuara për këta banorë. U tha se dëmshpërblimi në vlerë monetare për të dëmtuarit do nisë të lëvrohet menjëherë sapo komisionet qeveritare të vlerësimit të dëmeve të përfundojnë punën. Por, edhe pse puna e këtyre komisioneve tashmë ka përfunduar, ndihmat ende nuk duken gjëkundi të vijnë.

Ankesat

Kryetari i Komunës Gjoricë, Xhelal Mera, thotë për "Shqip" se "ka përfunduar vlerësimi i shtëpive të dëmtuara nga komisionet qeveritare, por ne si pushtet lokal nuk kemi asnjë të dhënë për bilancin e këtij vlerësimi, aq më tepër për nisjen e dëmshpërblimeve për të dëmtuarit. Na është thënë se lista e vlerësimeve është dërguar në Këshillin e Qarkut Dibër, prej ku pritet të dërgohet në Tiranë për konfirmim". Kjo zvarritje ka shkaktuar humbjen e shpresës te banorët për të ardhmen e tyre. Aktualisht, ata vazhdojnë të shtyjnë ditët jashtë banesave të tyre. "Durimi na është sosur, pasi netët janë ftohur dhe dimri po afron. Qëndrimi me fëmijë jashtë në të ftohtë, sa vjen dhe po bëhet i pamundur", thonë banorët. Duket se ai interesim i ditëve të para pas rënies së tërmetit është zvenitur, gjë që ka shkaktuar pesimizëm dhe mosbesim te banorët për të ardhmen e tyre.

E.Ajazi/H.Likdisha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›