E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbarimi kërkon të shembë 17 shtëpi në proces legalizimi

Konflikti institucione-gjyqësor, 17 familje rrezikojnë të mbeten pa shtëpi. Shtëpitë e tyre janë përfshirë në procesin e legalizimit, ndërsa Përmbarimi kërkon të bëjë lirimin dhe dorëzimin e truallit te një pronar, që është kompensuar në atë zonë disa vite më parë. Ekzekutimi i një vendimi gjyqësor pritet të nxjerrë në qiell të hapur 17 familje të ardhura në lagjen periferike të Durrësit gjatë viteve ‘90. Ndonëse janë në proces legalizimi dhe kanë shlyer pagesat e para për banesat e tyre, ndërkohë që në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit patën marrë edhe miratimin e deputetit të zonës, një vendim gjyqësor i vitit 2004 do të ekzekutohet në dy ditët në vazhdim nga Zyra e Përmbarimit me mbështetjen e policisë së rendit. Kreu i ALUIZNI-t në Durrës, Andi Lila, thotë se nuk mund të bëhet një ndërhyrje e këtij lloji, përderisa familjeve u është pranuar aplikimi dhe kanë nisur të shlyejnë vlerën 1% të objektit që zotërojnë duke i hapur rrugë legalizimit të godinave të tyre, si shumë objekte të tjera informale të përfshira në proces. Gishti i akuzës është ngritur nga familjarët e rrezikuar edhe ndaj deputetit të zonës Ferdinand Xhaferri, i cili këtë verë gjatë takimeve elektorale, duke u kërkuar votën, ndërsa ka përcjellë shqetësimin e tyre u ka thënë: "I gëzofshi shtëpitë. Janë të tuajat". Kjo i ka qetësuar përfundimisht familjet që sot përballen me presionin e fadromës dhe të kreut të Përmbarimit, i cili dje, së bashku me forcat e rendit publik i takoi për t‘u thënë se asgjë nuk do të zhbëhet nga vendimi i marrë. Një vit më parë, fadroma ka qenë sërish te këta banorë, por është sprapsur me ndërhyrjen e politikës dhe konkretisht të deputetit Xhaferri. Ata u shpërngulën nga Librazhdi, Korça dhe rrethet verilindore për t‘u vendosur në Spitallë të Durrësit, pranë varrezave të vjetra. Pavarësisht përfshirjes dhe miratimit paraprak të legalizimit të objekteve të tyre, Përmbarimi ka vendosur të ekzekutojë një vendim gjyqësor për lirim trualli, ndërsa familjet ndodhen ende në proces gjyqësor për anulimin e këtij vendimi dhe 4 prej tyre kanë mundur ta anulojnë atë. Familjarët deklarojnë se do të përshkallëzojnë protestat e tyre deri në grevë urie, ndërsa akuzojnë shtetin dhe organet e tij që i përdorin për qëllime politike, fitim votash dhe më pas u kthen krahët. Para se të niste procesi i legalizimit ata kanë nisur një marrëveshje me pronarin Mustafa Kalavrezi për t‘i shlyer me këste vlerën e truallit. Madje nën zë pohojnë se janë bërë pjesë e aferave korruptive për të mos rrezikuar zhvendosjen nga shtëpitë e tyre. Për truallin, pronari u ka kërkuar të shlyejnë menjëherë në dorë, jo me këste, vlerën e 3 mijë lekëve të reja për çdo metër katror. Ndërkohë, ata kërkojnë pezullim të ekzekutimit të vendimit, të paktën derisa të shprehet gjykata me një vendim për pavlefshmëri titulli ekzekutiv edhe për familjet e tjera që janë ende në proces. Ditën e djeshme ata i janë drejtuar me një kërkesë për të ndërhyrë dhe zgjidhur problemin e tyre edhe Presidentit të Republikës, Bamir Topit, ministrit të Drejtësisë, Bujari Nishani, kreut të përgjithshëm të Përmbarimit Pal Metaj dhe të gjithë pushtetarëve qendrorë dhe lokalë në Durrës, përfshirë dhe deputetët. Në një vend ku institucionet dalin mbi gjyqësorin dhe anasjelltas, banorët e 17 shtëpive 1-4 katëshe, që kanë hedhur mundin e djersën e shumë viteve për ndërtimin e tyre me të drejtë protestojnë dhe kërkojnë që pronari të kompensohet gjetkë për ato 9 dynym e 700 metra që kërkon të lirohen dhe ata të vazhdojnë normalisht, ashtu siç u është premtuar nga politika në pushtet dhe Agjencia e Legalizimeve, procesin ligjor për t‘u bërë pronarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›