E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet 12-vjeçari, "tmerri" i vjedhjeve

Rikthehet i mituri "i tmerrshëm" i vjedhjeve, duke kryer edhe tre të tjera brenda pak ditësh. Këtë radhë, ai është kapur bashkë me kolegun e tij 14-vjeçar, i cili është dy vjet më i madh, ndërkohë që janë lënë sërish të lirë për shkak të moshës së mitur. Policia e Tiranës deklaroi se specialistët e hetimit të krimeve respektivisht pranë Komisariateve të Policisë Nr. 3 dhe Nr. 4 Tiranë, në sajë të hetimit, mundësuan dokumentimin ligjor të një sërë vjedhjesh, si edhe realizuan identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët janë të mitur, e do të ndiqen në hetim të lirë. Njëri prej tyre është Markelian C., 12 vjeç, të cilit i numërohen më shumë se njëmijë vjedhje dhe bashkëpunëtori i tij, I. N., 14 vjeç. Të dy të miturit dyshohen se në periudha të ndryshme në Tiranë kanë realizuar disa vjedhje. Sipas policisë, gjatë hetimit u mundësua dokumentimi ligjor për tri vjedhje. "Më datë 09 shtator 2009 në rrugën "Sadik Petrela" dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar vjedhjen e dy banesave dhe me datë 18 shtator 2009, në rrugën "Isa Buletini" dyshohet se kanë vjedhur 10 mijë lekë dhe dy unaza floriri në ambientet e një tjetër banese", detajoi policia. Të gjitha materialet hetimore u përpiluan dhe i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për të bashkëlidhur të gjitha procedimet në ngarkim të tyre, por pas konsultimit me prokurorin u vendos që ata të ndiqen në hetim të lirë, për shkak të moshës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›