E Diel, 1 Nëntor 2026

Vodhën 3.5 mln lekë, në pranga dy të rinj

Operacioni i koduar "Levani 2009" ka vënë në pranga dy të rinj, nën akuzën e "vjedhjes me pasoja të rënda të ndodhur në bashkëpunim". Sipas burimeve zyrtare të Policisë Fier, mësohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin të rinjtë nga fshati Levan kanë vjedhur në shtëpinë e një banori të fshatit Zhupan shumën e 3.5 milionë lekëve. Mësohet se të ndaluarit janë Orges Resuli 22 vjeç dhe Shpëtim Lilo 19 vjeç. Identifikimi i dy të rinjve është bërë pas një pune intensive të strukturave të hetimit të krimit në Drejtorinë e Policisë së Fierit në bashkëpunim me prokurorinë. Sipas burimeve policore mësohet se 22-vjeçari Resuli dhe 19-vjeçari Lilo kanë udhëtuar ditën e martë nga Levani për në Zhupan. Ata kanë qëndruar deri në orët e vona të mbrëmjes në këtë fshat dhe pasi kanë ruajtur për disa orë banesën e shtetasit A. Zoto kanë thyer xhamat e dritares së katit të parë dhe kanë hyrë në brendësi të saj. Pasi kanë kontrolluar në të gjithë shtëpinë ata kanë gjetur paratë në një dollap. Të rinjtë janë larguar ndërkohë që i zoti i banesës së bastisur e ka pikasur vjedhjen në orët e vona të mbrëmjes, pasi ka përfunduar punën në një lokal që administron. Mesditën e së mërkurës policia ka shoqëruar dy të rinjtë dhe pas përballjes me provat dhe gjurmët e vendit të ngjarjes i ka njohur ata me akuzën.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›