Misioni në Kabul, nisen nga Vau i Dejës 22 ushtarakë shqiptarë
Në Batalionin e Parë të Reagimit të Shpejtë në Vaun e Dejës, Shkodër është organizuar paraditen e djeshme ceremonia e përcjelljes së kontingjentit të 15-të paqeruajtës që do të kryejë misionin e radhës në Kabul. Ndryshe nga vitet e tjera, ushtarët tanë shkojnë me statusin e anëtares me të drejta të plota e NATO-s. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Hasan Ashan, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Maksim Malaj, ushtarakë të tjerë të lartë të Forcave të Armatosura, si edhe familjarë e të afërm të paqeruajtësve. Kontingjenti i 15-të i Paqeruajtësve është pjesë e efektivit të Batalionit të Vaut të Dejës, e cila është njësi prioritare e Forcave të Armatosura. Kontingjenti që u nis dje për në Kabul përbëhej nga 22 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë. Ky kontingjent, i cili do të zëvendësojë atë të 14-të të paqeruajtësve shqiptarë, do të vazhdojë të kryejë misionin e tij për sigurinë e aeroportit të Kabulit, si edhe detyra të tjera specifike si ajo e operacioneve siguruese dhe stabilizuese në Afganistan. Ambasadori i Turqisë ka përshëndetur dhe uruar suksese trupave paqeruajtës shqiptarë, të cilët do të jenë nën komandën e trupës operacionale turke, që ndodhet në Kabul. Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i sapoemëruar, Arben Imami, u shpreh se "ne jemi krenarë për profesionalizmin, kapacitetin dhe kontributin e kësaj force. Ju përfaqësoni atë që është më e mira e shoqërisë shqiptare. Ndaj duhet që ju, ashtu si edhe kolegët tuaj që do të kthehen, të përfaqësoni vendin me dinjitetin e duhur. Ne sot jemi partnerë me të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe në këtë kuadër shumë prej strukturave tona duhet të përshtaten me kërkesat e Aleancës".
Pas dorëzimit të flamurit shqiptar nga ministri Imami, kontingjenti paqeruajtës ka marrë lejen zyrtarisht për t‘u bashkuar në misionin e trupave të NATO-s në Kabul. Ndërkohë, oficerët dhe ushtarët u shprehën optimistë për realizimin me sukses të misionit në Afganistan. Një nga oficerët e trupës paqeruajtëse, Astrit Haxhia, në momentet e përqafimit me familjarët është shprehur për "Shqip" se: "E ndiejmë veten krenarë që po përfaqësojmë Shqipërinë si anëtare të Aleancës Ushtarake më të fuqishme në botë, NATO. Emocionet janë të mëdha, pasi mbaj në krahë tim bir, të cilin nuk do të mund ta shoh për disa muaj. Sigurisht që do ta ndiej mungesën e familjes, por unë dhe shokët jemi optimistë se misioni ynë do të dalë me sukses, ashtu siç e kryen shokët tanë para nesh. Nga njëra anë ndihem krenar, ndërkohë që ndiejmë përgjegjësinë për ta kryer sa më mirë detyrën për të nderuar Shqipërinë".