E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria çon edhe 215 komando të tjerë në Irak

 

Shqipëria dërgon edhe 215 trupa paqeruajtës të tjerë në Irak, duke e çuar kështu në total në 1120 numrin e komandove, që kanë udhëtuar drejt këtij vendi pas rënies së regjimit të Sadam Hyseinit. Në ceremoninë e djeshme të zhvilluar në mjediset e Regjimentit Komando në Zall-Herr, kreu i qeverisë garantoi se Shqipëria do të jetë gjithmonë përkrah SHBA-së në përpjekjet e saj për konsolidimin e lirisë në vendet që kanë nevojë. "Dua të siguroj Presidentin Bush dhe qeverinë amerikane se, Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë me ta në të gjitha përpjekjet e tyre për zhvillimin dhe konsolidimin e lirisë dhe sa herë që ta kërkojë nevoja. Ne e bëjmë këtë me vetëdije të thellë, të bindur se njerëzit e lirë duhet të kontribuojnë për lirinë dhe vlerat universale, që ato të shndërrohen në realitet për qytetarët kudo në botë", u shpreh Kryeministri Berisha. Ndërsa sipas ministrit të Mbrojtjes, Shqipëria tashmë është vetëm një hap larg aleancës ushtarake. "Kontingjenti i 11-të është nisur për në Irak vetëm një muaj para Samitit të Bukureshtit, ndërsa ju ktheheni në atdhe vetëm një muaj para Samitit të ardhshëm të NATO-s. Tashmë vetëm një hap na ndan nga ëndrra, dëshira dhe përpjekjet shumëvjeçare për të qenë anëtarë të aleancës së lirisë, anëtarë të aleancës së demokracisë", theksoi Oketa. Ndërsa Zëvendës ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Stive Kristina, vlerësoi se forcat e shqiptare kanë treguar se, dinë të shërbejnë me trimëri dhe profesionalizëm përgjatë gjithë misioneve të nisura drejt Irakut. 120 trupat komando, të cilët përbëhen nga oficerë, nënoficerë dhe ushtarë do të vendosen në Mosul, qyteti i dytë më i madh i Irakut dhe do të jenë nën komandën e SHBA-së. Në të njëjtën kohë, po dje u nis edhe një kontingjent shtesë prej 95 trupash me mision në Bagdad.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›