E Diel, 1 Nëntor 2026

Faturat e energjisë, më shtrenjtë se në Kanada

Analiza Megjithëse me të ardhura të ulëta, shqiptarët paguajnë çmim të lartë

Fatura e energjisë elektrike për një familje në Maqedoni, e cila ka harxhuar në total për gjithë muajin 913 kilovat/orë shkon 6,970 lekë, që do të thotë se çmimi mestar i energjisë elektrike është 6.7 lekë për kilovat/orë. Në Shqipëri, për të njëjtën sasi energjie të konsumuar, një familje do të paguante 11430 lekë, pra një faturë 64 për qind më të shtrenjtë.

Por shqiptarët nuk e paguajnë energjinë më shtrenjtë se vetëm fqinjët e tyre me ekonomi të ngjashme. Në një faturë kanadeze, çmimi i një kilovati energjie varion nga 0.058 deri në 0.067 dollarë. E konvertuar në lekë është 5.8 deri në 6.7 lekë, kur në Shqipëri çmimi minimal i energjisë elektrike për konsumin deri në 300 kilovat/orë është dukshëm më i lartë se çmimi maksimal i paguar nga një familje në Kanada.

çmimi i energjisë elektrike që paguhet nga familjet shqiptare është jo vetëm më i lartë se këto dy shembuj, por edhe shpenzimet për energjinë në Shqipëri zënë peshë më të madhe në krahasim me të ardhurat mujore.

Një faturë tjetër i përket një familjeje zvicerane nga Gjeneva, e cila ka konsumuar 450 kilovat/orë dhe për këtë ka paguar 98 franga, ose me kursin aktual 9450 lekë. Në fakt, për të njëjtën sasi, në Shqipëri një familje do kish paguar më pak, 5040 lekë, por pa llogaritur një detaj. Paga mesatare dhe zyrtare e Zvicrës është 12.7 herë më e lartë se sa paga mesatare në Shqipëri.

Edhe nëse do të krahasohet me Maqedoninë, paga mesatare neto për një punonjës maqedonas është 20240 dinarë dhe fatura e energjisë për konsumin sipas një fature është sa 15 për qind e pagës mesatare të një punonjësi. Ndërkohë që e njëjta sasi konsumi për një familje shqiptare zë 27 për qind të pagës bruto. Nëse do të llogariteshin edhe taksat e pagës që në Shqipëri janë ndër më të lartat në rajon, fatura e energjisë do zinte mbi 30 për qind të pagës. Përveç këtyre tre krahasimeve, në të treja rastet e faturave mujore për familjen nga Maqedonia, Kanadaja apo Zvicra, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për energjinë është më i ulët se në Shqipëri. Pa papërmendur se në kontratat e konsumit qytetarëve u garantohet jo vetëm furnizim pa ndërprerje, por edhe cilësi dhe akses për të gjitha shërbimet.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›