Faturat e larta të rrymës, shkarkojnë ministrin bullgar

Protestat kundër faturave të larta të energjisë elektrike kanë detyruar që ministri i Financave të Bullgarisë të largohet nga pozita e tij.
Zyra për informim e qeverisë ka konfirmuar shkarkimin e Ministrit të Financave Simeon Gjankov. Ky shkarkim ka ndodhur pasi që dhjetëra mijëra qytetar, kanë protestuar të dielën kundër faturave të larta të energjisë elektrike dhe të hyrave të vogla në të gjithë Bullgarinë.
Demostratat janë organizuar në 20 qytete, ku është kërkuar dorëheqja e kabinetit qeveritar dhe të distribucionit të energjisë. Demonstruesit kanë hedhur gurë, fishekzjarrë, shishe, vezë dhe domate. Ata kanë djegur faturat e energjisë dhe kanë sulmuar zyrtar të kompanive përkatëse në 5 qytete, transmeton REL.
Protestuesit kanë kërkuar edhe nga kryeministri Boyko Borisov të jap dorëheqje nga posti aktual.
Çmimet e energjisë elektrike janë politikisht të ndjeshme në anëtarin më të varfër të Bashkimit Evropian.
Në këtë shtet paga mesatare është 400 euro, ndërsa mesatarja e pensioneve është 176 dollarë./Indeksonline/