Faulli, Mauro Kamoranezi, gjobë pas 16 vjetësh
Mauro German Kamoranezi ka bërë gati valixhet për t’u larguar nga Juventusi. Por përpara se t’i japë lamtumirën Torinos, duhet fillimisht të paguajë një gjobë prej 38 mijë eurosh. Këtë shumë ai ia ka “borxh” Roberto Picos, një lojtari të cilit 16 vjet më parë i shkaktoi një dëmtim të rëndë, kur Kamoranezi luante për Aldosivi. Pico në atë kohë ishte një lojtar i Mar del Plata dhe pas faullit të rëndë të Kamoranezit mbeti jashtë fushave për shumë kohë. Pikërisht, për këtë arsye, dje, lojtari i Juves është lajmëruar nga gjykata e Mar del Plata, ku Pico kishte bërë padinë. Gjykata e ka quajtur të qëllimshëm faullin e Kamoranezit dhe ka vendosur që ai duhet t’i paguajë 38 mijë euro Picos.