Favorit për superyll
Ardian Bujupi është një superyll në Gjermani. Këngëtari tashmë është bërë një idhull në këtë shtet, jo vetëm nga kosovarët që jetojnë në të, por edhe nga shumë adhurues të ndryshëm.
Madje, për dallim nga netët e tjera, javën e kaluar Dieter Bohlen e ka lavdëruar më të madhe këngëtarin nga Kosova, duke thënë se ai është liruar në skenë dhe këndon më bukur se nga fillimi i këtij emisioni. Ndërkaq, faqja e MTV e konsideron si njërin prej favoritëve kosovarin.
Por, adhuruesit nuk kanë të ndalur. Kjo e vërteton edhe numri i telefonatave që i bëhen këngëtarit nga të gjitha anët, përderisa tani ai konsiderohet konkurrent i drejtpërdrejtë i këngëtarit tjetër simpatik, po ashtu favorit, Sebastian Wurth.
“Nga java tjetër ne kemi pasur një numër të madh të telefonatave, të cilat kanë qenë në dobi të tij dhe kundër Sebastien Wurth”, tha një burim i RTL për MTV.
Ndërkohë, Ardiani pushimin njëjavor, të dhënë nga organizatorët javën e kaluar, ka kaluar me familjen e tij. Ai i ka bërë një vizitë të shkurtër nënës se tij, të cilën e do shumë. Edhe pse një “maço” i vërtetë, Ardiani ka thënë se ende nuk është i dashuruar.
Për të, momentalisht gruaja me e rëndësishme është nëna e tij, të cilën e vlerëson shumë lart.
Por, duket se pushimi i tij nuk ka kaluar ashtu si e ka parashikuar ai. Shumë të rinj në qytetin ku jeton, Heidelberg, adhurues, kanë pritur në radhë për të marrë një autograf nga ai.
Nga ana tjetër, vlerësimet për Ardianin janë të ndryshëm nga juria. Përderisa një javë ai lëvdohet nga Dieter Bohlen, në javën tjetër ai lëvdohet nga Fernanda Brandao dhe Patrick Nuo, i cili edhe pse ka prejardhje nga Kosova, dy javët e fundit ka qenë shumë kritik ndaj Ardianit.
Sido që të jetë, Bujupi është tashmë në mesin e më të mirëve, ndërkaq këtë javë kanë pasur pushim. Por, ishte caktuar që ata të mblidhen të dielën në prova për të vazhduar gjatë javës, në mënyrë që të shtunën e ardhshme të japin më të mirën për të kaluar në mesin e tre më të mirëve.
Por, gjërat kanë shkuar “llugë” në qytetin Oberhausen gjatë ditës së djeshme (e diel), ku ishin mbledhur rreth 15 000 adhurues për të marrë autografe nga super-yjet e rinj.
Sipas policisë, 3000 – 4000 të rinj, kryesisht tinejxherë, janë ofruar shumë afër vendit ku kanë qenë të pranishëm gjashtë finalistët, përderisa janë lënduar rreth 60 adhurues të tyre, të cilët janë trajtuar në vendin e ngjarjes. Por, 29 të tjerë janë dërguar në spital për shkak se kanë pësuar fraktura të ndryshme.
“Pas kësaj, personeli i RTL ka shkuar në spital bashkë me gjashtë super-yjet që të vizitojnë adhuruesit në spital, duke bërë edhe fotografi më ta”, ka publikuar RTL në faqen e tyre zyrtare, duke thënë se ata do të jenë gjithmonë afër shikuesve, ndërkaq këngëtarët po ashtu do të vlerësojnë adhuruesit e tyre.