E Shtunë, 31 Tetor 2026

Favoritë, Prishtina e Peja

Të shtunën do të nisin garat e play-offit të BKT-Superligës. Njohësit e basketbollit kosovar nuk besojnë se Trepça dhe Bambi do të mund t’i ndalin Sigal Prishtinën e Pejën në rrugën drejt finales. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 14 maj 2011 në ora 13:38

Të shtunën do të nisin garat e play-offit në BKT Superligën e Kosovës në basketboll, në të cilat Sigal Prishtina, Bambi, Peja dhe Trepça do të luftojnë për titull të kampionit.

Në gjysmëfinale, prishtinasit do të ballafaqohen me mitrovicasit, derisa ekipi serb nga veriu i Mitrovicës, kualifikimin në finale të play-offit do ta kërkojë në ballafaqim me Pejën, e cila para pak ditëve u stolis me Kupën e Kosovës.

Njohësit e basketbollit kosovar, pa dilema të mëdha, parashikojnë se Sigal Prishtina dhe Peja do të takohen në finalen e madhe, pasi këto dy skuadra i konsiderojnë si dukshëm më të forta sesa Trepçën, përkatësisht Bambin.

“Nga çifti i parë gjysmëfinal mes Sigal Prishtinës e Trepçës, prishtinasit janë favoritë absolutë për të depërtuar në finale. Më interesant është çifti Bambi-Peja. Me këto tri përforcime që i ka bërë Peja, këtë skuadër e favorizoj për të kaluar në finale. Në finale të Kupës, Peja dëshmoi se duhet respektuar. Edhe Bambi ka gjasa, sepse e ka edhe përparësinë e terrenit, por vështirë se do ta eliminojë Pejën”, thotë trajneri i njohur kosovar, Jeton Nixha.

Në anën tjetër, edhe ish-trajneri i Bashkimit, Naser Oskaçek është i bindur se Sigal Prishtina dhe Peja do të arrijnë të plasohen në finale.

“Jam i bindur se Sigal Prishtina pa problem do të kalojë në finale në duel me Trepçën. Kurse, finalen mendoj se do ta prekë edhe Peja, edhe pse do ta ketë mjaft vështirë në duel me Bambin, sepse ky ekip ka përparësinë e terrenit, por edhe disa lojtarë me përvojë që janë dëshmuar gjatë kampionatit të rregullt”, tha Oskaçek.

Të shtunën, në kryeqytet, Sigal Prishtina luan ndaj Trepçës në gjysmëfinale, derisa në Mitrovicë, Bambi ballafaqohet me Pejën. Skuadra që i fiton dy ndeshje, do të kalojë në finale.

Superliga - Ndeshjet e para gjysmëfinale të play-offit
E shtunë
S. Prishtina – Trepça19:00
Bambi – Peja18:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›