E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Beqirajn, Vaha më i miri

Nga Express më 14 maj 2011 në ora 12:37

Fitorja e së mërkurës ndaj Varteks Varazdinit (5:1), në ndeshjen e parë finale të Kupës së Kroacisë, ishte sfida e parë që Dinamo e Zagrebit - ku luan Fatos Beqiraj – e zhvilloi pa kryetrajnerin Vahid Halilhodzic, i cili para pak ditësh u largua nga ky klub.

Trajneri boshnjak kishte raporte të shkëlqyeshme me sulmuesin kosovar, i cili gjatë verës së kaluar i ishte bashkuar gjigantit kroat. Duket se Beqiraj është pikëlluar me faktin se Vahid Halilhodzic nuk është më trajner i ekipit të tij. Futbollisti pejan thotë se boshnjaku ishte trajneri më i mirë me të cilin kishte punuar deri më tani gjatë karrierës së tij.

“Ndeshja e kaluar pa trajnerin për mua ishte njësoj. Nuk e di për lojtarët e tjerë të ekipit. Por, dua të them se Vaha është trajneri më i mirë prej atyre me të cilët kam punuar deri më tani”, ka deklaruar Beqiraj për gazetën kroate, Vecernji.

Reprezentuesi i Malit të Zi në fitoren e thellë prej 5:1 të Dinamos ndaj Varteks Varazdinit, kontribuoi me dy gola. Beqiraj në sezonin e parë të tij me Dinamon fitoi titullin e kampionit kroat dhe është afër ta rrëmbejë edhe Kupën shtetërore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›