Stiven Xherard, golashënuesi më i mirë anglez në Europë
Trajneri i Liverpulit, Rafa Benitez, ka “përkëdhelur” kapitenin Stivën Xherard për golin në fitoren 3-1 që “Reds” arritën në fushën e Unirea Urzicenit. Ajo e së enjtes, ishte një natë speciale për 29-vjeçarin: mesfushori udhëhoqi skuadrën drejt kualifikimit në Europa League dhe me rrjetën e minutës së 57, ai vulosi golin numër 33 në arenën europiane, duke lënë pas ish-sulmuesin e Njukasëllit, Alan Shirer. Në këtë mënyrë Xherard është bërë golashënuesi më i mirë anglez në kupat e Europës. “Ky është një klub historik, me shumë rekorde dhe fakti që Stiven ka vendosur një primat individual është shumë i rëndësishëm për të dhe për Liverpulin”, deklaroi trajneri Benitez. Ndërkohë, Xherard deklaroi: “është gjithmonë një ndjesi e bukur kur thyen rekorde, por arritja më e madhe është kualifikimi në Europa League. Natyrisht që kalimi i turit ishte arritja më e madhe e mbrëmjes në Rumani. Kam punuar jashtëzakonisht shumë për t’i shënuar këto gola dhe ndihem mjaft i lumtur”.
#