Paralajmërimi i Bufon: Juve, kujdes nga sulmet e rivaleve
Juventusi është rikthyer në rrugën e duhur, megjithatë Xhixhi Bufon paralajmëron shokët e skuadrës që të ruajnë përqendrimin. Portieri bardhezi deklaroi: “Duke parë diferencat nga vendi i tretë në klasifikimin e Serisë A dhe nga e pesta, mendoj se duhet të tregojmë kujdes nga sulmet e rivaleve. Më tepër sesa përpara, duhet të shohim ekipet që janë mbrapa nesh”. “Zonja e Vjetër” ka shanse të mira që të fitojë një “biletë” për Champions në sezonin e ri, ndërsa gjashtë ndeshjet radhazi pa humbje kanë sjellë edhe kualifikimin në Europa League. “Ne ishim mësuar me një ecuri të tillë dhe me rezultate pozitive. Habia që po shfaqin media na ofendon…”. Aktualisht, numri 1 është i dëmtuar, por ai shprehet optimist për prezencën në Botërorin 2010. “A rrezikoj të humbas Kupën e Botës? Absolutisht jo! Për fatin tim të mirë jam dëmtuar në momentin e duhur”, deklaroi ai, ndërsa ka bërë edhe shaka rreth problemeve të shumta fizike: “Juve do të bënte mirë të shiste Bufonin dhe të blinte një portier më të ri”.
#