E Shtunë, 31 Tetor 2026

Favorizon Brazilin

Valon Behrami e ka favorizuar Brazilin për ta fituar kampionatin botëror Afrika e Jugut 2010. Futbollisti kosovar, për shkak të lëndimit, mungoi në ndeshjen hapëse të Zvicrës të mërkurën kundër Spanjës. Brazili ishte kampion 16 vjet më parë, kur 25 vjeçari kishte filluar ta përcillte futbollin, ndërsa beson se amerikano-jugorët mund ta përsërisin këtë sukses.

“Për mua, Brazili do ta fitojë këtë trofe”, theksoi përfaqësuesi zviceran për ueb faqen zyrtare të ekipit të tij, West Ham United. Mitrovicasi është rikthyer prapa, në vitin 1994, kur kishte filluar ta ndiqte futbollin. Atij i kujtohet shumë mirë ajo kohë.

“Unë fillova ta kuptoj se çka është futbolli për herë të parë në Kampionatin botëror 1994. Në atë kohë ishte shumë nxehtë dhe Zvicra ishte kualifikuar. Finalja Brazili-Italia ishte një finale e gjatë, një lojë e gjatë. Nuk ishte ndonjë ndeshje e mirë, por loja shkoi me penallti dhe ishte hera e parë që e desha me të vërtetë futbollin. Ishte e rëndësishme për mua që ta ndiqja atë Botëror”, vazhdoi ish futbollisti i Lazios.

Sipas Behramit, futbollisti më i mirë i Zvicrës aktualisht është Tranquillo Barnetta, por ai shton se edhe lojtari tjetër zviceran, Gokhan Inler mund të shkëlqejë në këtë Botëror.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›