E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani, Anxhela Merkel, kancelare për herë të dytë

 

Bundestagu gjerman (Parlamenti) zhvilloi dje takimin e parë që pas zgjedhjeve të përgjithshme të 4 tetorit, duke rizgjedhur Anxhela Merkelin kancelare me shumicën e votave pro, në mandatin e saj të dytë. Për herë të parë në historinë gjermane, një kancelar u konfirmua pas drejtimit të një qeverie të një koalicioni të ndryshëm me mandatin e mëparshëm. Parlamentarët gjermanë të partive CDU, CSU dhe FDP që përbëjnë koalicionin e Merkelit janë 332, por Merkel u zgjodh vetëm me 323 vota në favor nga 612 që ka i gjithë Bundestagu. Pra, 9 më pak nga koalicioni i saj. Rizgjedhja i lejon drejtimin e qeverisë për mandatin tjetër katërvjeçar. Koalicioni i mëparshëm quhej koalicioni i madh e formohej nga CDU e SPD, ndërsa maxhoranca e re e lideres kristiandemokrate të CDU-së është bashkim me CSU dhe FDP, Partinë Liberaldemokrate të Guido Westerwelle. Mbështetja e tij ishte themelore për Merkelin. Dy partitë e së djathtës e kanë nënshkruar marrëveshjen të hënën, pas tri javësh konsultime. Presidenti gjerman Horst Këhler i ka bërë thirrje qeverisë së re gjermane për një politikë të matur financiare. Ai e konsideroi të drejtë investimin për shtensionimin e ekonomisë dhe shtoi se qeveria gjermane nuk duhet të humbasë nga sytë qëllimin, që të pakësojë borxhet.
Fillimet e Merkelit
Angela Merkel ishte vajza e një prifti. Ajo mori doktoraturë në fizikë duke zgjedhur t’i qëndronte larg politikës, deri në vjeshtën e vitit 1989, kur filluan transformimet politike. Sipas “Deutche Welle”, “Kthesa Demokratike”, një nga grupimet e shumta opozitare të asaj kohe, kishte marrë si dhuratë një kompjuter dhe kërkonte dikë që dinte ta përdorte. Merkel u tregua e gatshme të ndihmonte dhe më pas u bë zëdhënëse e grupit të vogël. Kur në vitin 1990, “Kthesa Demokratike” u bë pjesë e koalicionit qeveritar me në krye politikanin e CDU-së, Lothar de Maiziere, ajo u bë zëdhënësja e dytë e qeverisë. Më pas “Kthesa Demokratike” u bë pjesë e CDU-së lindore dhe Anxhela Merkel përfundoi në CDU. Në zgjedhjet e para për Parlamentin Federal (Bundestag) të Gjermanisë së bashkuar, më 2 dhjetor 1990, Merkel do ta fitonte me shumë lehtësi mandatin e drejtpërdrejtë si deputete e një zone elektorale në landin Mecklenburg Vorpommern, në verilindje të Gjermanisë. “Deutche Welle” kujton se kur kancelari i asaj kohe, Helmut Kohl, po kërkonte një politikane gjermano-lindore për ta bërë ministre të grave dhe të rinjve, de Maiziere dhe politikanë të tjerë e këshilluan të merrte Anxhela Merkelin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›