E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazliç: Ina Rama të më kërkojë ndjesë publike

Biznesmeni serbo-boshnjak, Damir Fazliç, i ardhur para disa ditësh në Tiranë, ka akuzuar prokurorinë se ka hedhur baltë ndaj imazhit të tij. Në një konferencë për shtyp të mbajtur dje, Fazliç theksoi se bizneset e tij janë plotësisht të ligjshme dhe se akuzat e ngritura ndaj tij kanë qenë të motivuara politikisht.
"Jam veçanërisht i gëzuar se hetimet mbi aktivitetin tim në Shqipëri u rrëzuan nga prokuroria për arsye të mungesës së provave për çdo lloj akti kriminal ose fajësie nga ana ime apo kompanitë e mia", është shprehur Damir Fazliç në konferencën për shtyp. Më tej, ai shtoi se e kishte deklaruar që në fillim se gjithë akuzat kundër tij ishin falsifikime dhe sulme të montuara politikisht. "Më në fund, kjo është bërë e qartë për të gjithë. Ia di për nder zyrës së Prokurorisë së Tiranës, veçanërisht dy prokurorëve të çështjes, të cilët, pavarësisht se lëvizte shtriga politike, që të viheshin në skenë kundër meje, patën kurajën profesionale dhe integritetin për të qartësuar emrin tim dhe të bëjnë drejtësi", u shpreh biznesmeni.
Më tej, ai i është drejtuar Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, që t‘i kërkojë falje publike për shqetësimin e krijuar. "Sinqerisht, shpresoj që çështja ime do t‘i bëhet si një mësim në kujtesë Prokurores së Përgjithshme, e cila besoj se më ka borxh një ndjesë publike për dëmin e bërë ndaj meje dhe interesave të mia. Shpresoj që ajo të mësojë të mos konsumohet nga pushteti dhe të rrijë larg lojërave politike, duke respektuar të drejtat ligjore dhe humane të çdokujt, duke përfshirë investitorët e huaj dhe bizneset", është shprehur më tej.
Por, jo vetëm Kryeprokurorja ka qenë në vëmendjen e tij. Fazliç nuk ka lënë pa përmendur edhe botuesin e gazetës "Tema", Mero Bazen, për të cilin ka treguar se e kishte hedhur në gjyq dhe kishte fituar ndaj tij, duke e akuzuar për shpifje. "Fushata e shpifjes kundër meje është filluar nga drejtori i gazetës ‘Tema‘, Mero Baze, i cili, besoj se bënte kështu në emër të disa grupeve të interesit që donin të ndalonin investimet e mia në Shqipëri, dhe u përdor si një mjet për hakmarrje politike. E morëm disa herë në telefon, por ai nuk u përgjigj asnjëherë. Për këtë arsye, vendosa që ta padis zotin Mero Baze në Gjykatën e Lartë të Londrës", tha Damir Fazliç. Ai shpjegoi për mediat se pavarësisht një numri të shumtë njoftimesh për gjyqin, Baze ka refuzuar të përgjigjet. Gjithsesi, si një rezultat i vendimit të gjykatës, zoti Baze detyrohet t‘i paguajë 50 mijë paund për akuzat e tij të pabaza.
"Nuk do të ndaloj këtu, kjo është vetëm çështja e parë ndaj zotit Baze dhe disa të tjera janë në proces. Për të bërë diçka të qartë, nuk po e bëj këtë për ndonjë hakmarrje, as për përfitim personal, pasi të gjitha paratë e mbledhura nga zoti Baze do të shkojnë për bamirësi. Por duhet të besoj se rregulli i ligjit dhe i të drejtave njerëzore duhet të mbrohen nga gazetaria gangstere e politika e njerëzve të tillë si Mero Baze", u shpreh biznesmeni ndaj të cilit u rrëzuan akuzat.
"Pavarësisht telasheve ekonomike në shumë vendeve të botës, ekonomia e Shqipërisë vazhdon të jetë e fortë dhe ofron shumë vende investimi. Një fakt që është njohur nga shumë organizata ndërkombëtare me reputacion", shtoi Fazliç, duke sqaruar gazetarët se "paratë asnjëherë nuk janë transferuar nga Shqipëria, por ato janë sjellë nga llogaritë e mia në Shqipëri".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›