E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitje me armë në lojëra fati dhe në një firmë private

Dy grabitje me armë kanë ndodhur në Tiranë, ndërkohë që policia deklaron se ka identifikuar autorët. Një firmë private dhe një lokal lojërash fati kanë rënë pre e hajdutëve të dhunshëm, të cilët kanë marrë 380 mijë lekë.
Burimet policore shpjeguan se ngjarja e parë është regjistruar rreth orës 22:00 të së martës, në rrugën "Abdi Toptani". Policia është njoftuar nga Shyqo Shehaj, i cili ishte personi i vetëm në zyrë se rreth orës 22:00, dy persona të pajisur me një thikë, kanë hyrë brenda. Ata i kanë vënë thikën në fyt 69-vjeçarit Shehaj, duke i kërkuar paratë që kishte gjendje. I frikësuar, i moshuari ka hapur sirtarin, ku ndodheshin 130 mijë lekë. Më pas u ka dhënë paratë dy agresorëve, të cilët janë larguar me shpejtësi dhe kanë kërcënuar që të mos njoftohet policia. Sapo i moshuari është siguruar se ishin larguar agresorët, ka njoftuar pronarin e tij dhe më pas policinë. Uniformat blu kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, por nuk kanë mundur të kapin autorët.
Por, pas mesnate, ka ndodhur një tjetër grabitje, në një lokal lojërash fati. Policia është njoftuar nga një shtetas, se një person i armatosur me pistoletë kishte hyrë në lokalin e tij dhe nën kërcënimin e armës, ka vjedhur 250 mijë lekë. I dëmtuari ka treguar se grabitja ka ndodhur në Rrugën e Elbasanit, pranë parkut të lojërave "7 Xhuxhat". Policia shpjegoi se njoftimi u dha rreth orës 03:50 dhe menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr. 1, që më pas janë përforcuar edhe nga shërbimet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Është marrë kontakt me pronarin Ded Prenda, i cili dyshon se grabitësi, pavarësisht se ka qenë i maskuar, ishte një nga lojtarët që luajnë në lokalin e tij. Policia ka nisur hetimet për të dyja rastet e regjistruara dhe dje shpjegoi se është shumë pranë identifikimit dhe arrestimit të autorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›