E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja, fshatarët bllokojnë punimet në rrugë

Për më shumë se dy orë, mbi 50 banorë të fshatrave Panaja dhe Oshtimë kanë bllokuar automjetet e firmës që merret me ndërtimin e autostradës Levan-Vlorë. Shkak është bërë ndotja që shkaktohet nga rruga e paasfaltuar, si dhe nga kamionët që transportojë dhera, që sipas protestuesve dëmton vreshta dhe ullinjtë. Ata ankohen se smogu ka çuar në tharjen e luleve të ullinjve dhe hardhive të rrushit. Protesta ka nisur qysh në orën 08.00 të mëngjesit të djeshëm, ku banorët nuk kanë lejuar asnjë automjet, të cilët transportonin sasi dheu për në trasenë e autostradës, të lëvizin në dy drejtimet e rrugës. Fillimisht protestuesit janë konfrontuar verbalisht me shoferët, por pas gjysmë ore, situata është acaruar, duke kaluar edhe në përplasje fizike. Gjatë protestës, përfaqësues të firmës kanë sjellë një autobot me ujë për të lagur rrugën, por kjo gjë iu është dukur si tallje banorëve. Ata janë shprehur se do ta vijojnë protestën e tyre deri në zgjidhjen e situatës dhe nëse firma nuk merr masa, kanë kërcënuar në bllokimin total të rrugës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›