E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poni është optimist, edhe pse aplikimet janë të pakta

Poni është optimist, edhe

pse aplikimet janë të pakta

Vonesat nëpër stacionet e aplikimit për karta identiteti, si dhe në një farë mase neglizhenca e vetë shtetasve, ka bërë që afrimi i datës së skadencës për aplikim ta gjejë veriun dhe verilindjen e Shqipërisë mjaft mbrapa me procesin. Në Kukës, edhe pse kanë mbetur vetëm dy javë nga afati përfundimtar, përqindja e aplikimit arrin në më pak se 70%. Në një numër njësish vendore, kryesisht në komuna, ky shërbim është instaluar relativisht vonë, madje në një prej komunave të Kukësit ende nuk ka mbërritur. Kjo situatë ka bërë që në drejtim të këtyre zonave të udhëtojë zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Pas një ndalimi në Peshkopi ai ka fluturuar me helikopter në Kukës, ku ka vizituar stacionin e aplikimit për karta identiteti dhe ku ka dhënë edhe një prononcim për mediat. "Jam informuar që në shkallë qarku në Kukës procesi po ecën relativisht mirë dhe ne jemi të bindur se brenda afatit ky proces do të përfundojë plotësisht", tha Poni. Ai pranoi se në një prej njësive vendore ende nuk kishte shkuar ky shërbim, por shprehu angazhimin e qeverisë për të mbështetur procesin si një nga "detyrat e shtëpisë" para BE-së për liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë. Pranë zyrës së postës rajonale në Kukës, mësohet se janë shitur deri në ditën e djeshme (13.V.09) rreth 19 mijë kuponë për karta identiteti. Drejtori Azem Picari tha për gazetën "Shqip" se numri i kuponëve të shitur përbën rreth 70 për qind të numrit të përgjithshëm të personave pa pasaportë.

Vizita

Ambasadori Bosch, dy ditë në Kukës

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, R. Bosch, ka udhëtuar dje në Qarkun e Kukësit, ku do të qëndrojë edhe gjatë ditës së sotme, në përpjekje për të nxitur bazën për disa hapa të domosdoshëm në fushat prioritare, si politika, bashkëpunimi ndërkufitar, rendi etj. Bosch, gjatë ditës së djeshme është takuar me autoritetet vendore dhe rajonale të Qarkut të Kukësit, me eksponentë të shoqërisë civile, me përfaqësues të gjyqësorit etj., ku temë e diskutimit kanë qene rritja e pjesëmarrjes së grave në politikë, për të nxitur, siç mësohet nga burime të rezervuara, rritjen e numrit të grave në listat e kandidatëve për deputetë, për të nxitur raporte të reja dhe më liberale në marrëdhëniet ndërkufitare etj. Në një komunikatë për mediat, thuhet se Bosch do të prononcohet edhe për çështjet e qeverisjes vendore, të sigurisë, si dhe të zhvillimit të medias.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›