E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazliç nuk ka derdhur asnjë lek tek Tatim-Taksat

Nga Klodiana Lala
Tatim-Taksa i janë përgjigjur keshtu prokurorisë së Tiranës e cila po heton ndaj serbo-boshnjakut Fazliç, pasi dyshohet për pastrim parash në Shqipëri. Akuza do vërtetojë tani nëse kompanitë e tij kanë qenë ose jo aktive 

TIRANE-Damir Fazliç nuk ka derdhur asnjë qindarkë në arkën e shtetit. Zyrat e Tatim-Taksave i janë përgjigjur prokurorisë së Tiranës e cila po heton ndaj serbo-boshnjakut Fazliç, pasi dyshohet për pastrim parash në Shqipëri. Burime të konfirmuara pohojnë se nga përgjigjet që kanë mbërritur në duart e hetuesve rezulton se biznesmeni, i cili ka regjistruar të paktën tetë shoqëri në Shqipëri, nuk ka derdhur asnjë qindarkë tek Tatim-Taksat. Por për të vërtetuar nëse Fazliç u është shmangur detyrimeve tatimore, prokuroria ka kërkuar informacion nëse shoqëritë e serbo-boshnjakut kanë qenë apo jo aktive. Në bazë të ligjit, nëse një shoqëri tregtare është aktive, duhet të pasqyrojë aktivitetin e saj muaj pas muaji dhe t'i paguajë shtetit 10 për qind të fitimit vjetor. Në këto kushte, nëse kompanitë e Fazliç kanë kryer aktivitet dhe nuk kanë shlyer detyrimet tatimore, hetimi do të kalojë në pistën e evazionit fiskal.
Hetimet
Dy ditë pas nisjes së hetimeve ndaj serbo-boshnjakut Fazliç, prokuroria vendosi sekuestrimin e të gjitha pasurive në emër të tij. Hetuesit kërkuan informacion nga bankat për gjendjen e llogarive bankare dhe transaksionet e kryera nga biznesmeni, si dhe nga hipotekat, për të mësuar të gjitha pronat e regjistruara në emër të serbo-boshnjakut. Njësia e specializuar e Task-Force kërkoi informacion nga doganat, për të verifikuar nëse shoqëritë e Fazliç kanë kryer ndonjë import-eksport malli. Por doganat ende nuk i janë përgjigjur interesit të prokurorisë. Deri më tani në duart e hetuesve gjenden vetëm përgjigjet e bankave, ku rezulton se biznesmeni nuk ka vetëm disa "kacidhe" në llogaritë bankare. Por janë zbuluar disa transaksione, të cilat mund të jenë një provë e fortë për të vërtetuar dyshimet për pastrim parash.
Shit-blerja
Shitja e kompanisë "Croën Acquisitions sh.p.k", me një vlerë prej 1.7 milionë eurosh kompanisë "Altaria Research Limited" po në emër të Fazliç, përbën sipas prokurorisë provën më të fortë që serbo-boshnjaku ka bërë pastrim parash në Shqipëri. Por për të vërtetuar dyshimet, prokuroria po heton dhe kryen verifikime të shumta. Deri më tani prokuroria ka sekuestruar një sërë dokumentesh, të cilat po i shqyrton me qëllim që të nisë nga marrja në pyetje e personave që kanë bashkëpunuar me Fazliç. Erion Isufi, kunati i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, që ka qenë administrator i të paktën tri shoqërive të Fazliç, si dhe avokatja Flutura Kola, do të jenë dy personat e parë që do të japin shpjegime në organin e akuzës.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›