"Fazlliç", Kryeprokurorja: Përplasje me qeverinë, uroj të tejkalohet
Prokurorja e Përgjithshme e Republikës ka folur sot për BBC lidhur me konfliktin më të fundit Qeveri-Prokurori. Kreu i organit të akuzaës ka zgjedhur pikërisht Londrën për të dhënë versionin e saj mbi hetimin e biznesmenit serbo-kroat Damir Fallzic, i cili jeton në kryeqytetin britanik. Rama është shprehur në intervistën e saj të gjatë për BBC se “shpreson që përplasja institucionale me ekzekutivin të tejkalohet me angazhimin e të gjitha palëve”. Sipas saj, është qëndrim politik dhe jo pretendim ligjor kërkesa e maxhorancës për ngritjen e një komisioni parlamentar për hetimin e veprimtarisë së prokurorisë në trajtimin e çështjes Fazlliç.
BBC:Me çfarë misioni e vizitoni Londrën?
Rama: Vizita ime këtu ishte e organizuar me ftesë të drejtorit të Shërbimit të Prokurorisë Mbretërore në Londër, Sir Ken McDonald. Ishte një vizitë me qëllim vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta me homologët tanë këtu si dhe me qëllim marrjen dhe përfitimin e eksperiencave të homologëve britanikë në aspekte të punës sonë, të hetimit të çështjeve, të ushtrimit të ndjekjes penale.
BBC: A trajtuat ndonjë rast konkret gjatë qëndrimit tuaj në Londër?
Rama: Patëm edhe diskutime në nivel teknik për çështje të veçanta të cilat janë në proces si nga homologët britanikë, ashtu edhe nga ne, për të cilat gjithashtu ne po tentojmë të kemi një bashkëpunim.
BBC: A u trajtua çështja e Ilir Kumbaros?
Rama: Jo, kjo nuk ishte një nga çështjet që u trajtua. U trajtuan çështje të tjera të cilat janë në process e sipër, për të cilat ne kemi nevojë të shpejtojmë dhe të facilitojmë procedurat.
BBC: Një nga çështjet më të mprehta të kohëve të fundit për Prokurorinë ka qenë edhe çështja Fazlliç. A u trajtua ajo gjatë vizitës suaj në Britani, pasi ai është edhe shtetas britanik?
Rama: Jo, nuk ishte nga çështjet që ne trajtuam me kolegët britanikë.
BBC: Dhe ku qëndron, momentalisht, si status, çështja Fazlliç? Jo hollësi për hetimin, po ku ka mbetur?
Rama: Ajo ka mbetur në fillimet e saj, siç besoj se shtypi e di. Është një çështje e cila është regjistruar si e tillë, pra kemi një procedim penal të regjistruar në Prokurorinë e Tiranës. Zoti Fazlliç ka në këtë procedim cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet dhe besoj që Prokuroria e Tiranës është duke bërë veprimet hetimore që mund të konsiderohen fillestare sepse me të vërtetë që jemi në fillim të një procedimi penal. Mund t’ju kujtoj që procedimet penale në shumë raste të tjera zgjasin për mjaft kohë dhe ne edhe pasi kemi bërë hetime të vazhdueshme, përsëri do të rezervohemi për të dhënë konkluzione të mirëfillta. Aq më tepër për këtë procedim që është fazat e tij fillestare, nuk mund të themi asgjë. Mund të themi që po bëhen veprime hetimore për të pare nëse ekzistojnë apo jo dyshimet që organi i akuzës ka pasur se kemi vepra penale të kryera.
BBC: A pati një tentativë për t’i paraqitur atij një kërkesë për t’u paraqitur në prokurori?
Rama: Nuk pati një tentative, por Prokuroria paraqiti një kërkesë ose më mirë, në terma procedurialë, është një ftesë për ta pyetur zotin Fazlliç në ditën që ai ndodhej në Shqipëri, një ftesë e cila për shkak të rrethanave, për shkak se si u zhvilluan rrethanat nuk arriti dot të ekzekutohej. Ishte një ftesë për ta pyetur atë. Unë përfitoj nga rasti këtu për të sqaruar opinionin publik sepse me të vërtetë e kam ndjekur mediatikisht qëndrimin që është mbajtur, që ishte një urdhër ndalimi apo një urdhër arresti. Këto janë spekulime. Ka qenë një ftesë për ta pyetur. Është një e drejtë proceduriale e prokurorëve që zhvillojnë hetime. Sigurisht që zoti Fazlliç ka pasur edhe në momentin që mund t’i komunikohej ftesa të gjitha të drejtat për të mos iu përgjigjur, për të kërkuar një avokat, për të kërkuar kohë, të drejta proceduriale që i ka çdo shtetas ndaj të cilit zhvillohen hetime në Republikën e Shqipërisë.
BBC: Megjithatë ai nuk e mori këtë ftesë për këto arsye. A ia keni paraqitur ju zyrtarisht atij këtë ftesë, pas këtij incidenti?
Rama: Po di t’ju them se ai nuk e mori, nuk di t’ju them nëse më tej janë bërë tentativa të mëtejshme për ta rithirrur, për ta marrë për të dhënë shpjegimeose për t’u pyetur. Sigurisht që kjo është një procedure që do ta vlerësojnë prokurorët e çështjes dhe do të vlkerësojnë ata se kur do të jetë momenti dhe si do të zhvillohen procedurat.
BBC: A ka pasur ndonjë shkelje proceduriale nga prokurorët që u morën me këtë çështje, në ndonjë moment?
Rama: Nuk më rezulton që prokurorët të kenë vepruar në shkelje të ligjit në veprimet hetimore që janë kryer për çështjen Fazlliç. Nga dijenia që unë kam, ata kanë vepruar duke zbatuar normat e procedures penale në të gjitha veprimet hetimore që janë kryer deri tani.
BBC: Si e konsideroni atëherë përpjekjen e maxhorancës për krijimin e një komisioni parlamentar për hetimin e veprimtarisë së prokurorëve që u morën me këtë çështje, çështjen Fazlliç?
Rama: Sigurisht që unë mendoj se ky është një qëndrim politik, nuk është një pretendim ligjor, si të themi. Është një mënyrë e të parit të çështjes nga një pikëvështrim i ndryshëm, por e gjithë kjo nuk luhat pozicionin tim që e shpreha pak më pare. Unë mendoj se prokurorët kanë vepruar konform ligjit në të gjitha ato hallka, në të gjitha ata veprime që ata kanë ndërmarrë.
BBC: Megjithatë po t’i shtojmë kësaj edhe deklaratën e kryeministrit për një hetim ndërkombëtar, a nuk tregon kjo që marrëdhëniet e institucionit tuaj me ekzekutivin janë, le të themi, në një ngërç për momentin?
Rama: Në të vërtetë, paraprakisht, doja t’ju thoja që ne nuk kemi modele hetimesh ndërkombëtare në Shqipëri dhe që ky vullnet të merret e të konsiderohet seriozisht duhet të vishet me petkun e një norme ligjore. Ne kemi deri më sot modele asistencash të prokurorëve të huaj në hetime të veçanta në Shqipëri, por që sigurisht, keto kanë pasur një procedure të caktuar ligjore për t’u bërë. Por asnjëherë këta prokurorë që kanë marrë pjesë në hetimin e çështjeve shqiptare nuk kanë patur të drejtë të marrin vendime rreth hetimit. Ata kanë asistuar, kanë koordinuar punët dhe vetëm kaq. Unë mendoj se prokuroria shqiptare nuk ka përse të trembet një asistence të huaj, por gjithsesinuk mund të lë pa përmendur faktin që e gjithë kjo dëmton imazhin e institucionit të akuzës, sepse ul kredibilitetin e tij në publik.
BBC: Dhe a janë marrëdhëniet institucionale të Prokurorisë së Përgjithshme me ekzekutivin në një ngërç?
Rama: Duhet thënë që ne kaluam një moment të vështirë në këta raporte. Patëm një përplasje institucionale. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që ky moment të kapërcehet, për shkak se mendoj dhe dua të fokusohem fort në këtë moment. Mendoj që duhet që të gjitha institucionet t’i bashkërendojnë punët për të pasur një rezultat të mirë. As Prokuroria e vetme nuk mund të realizojë funksionet e saj, as instutucionet e tjera, po ashtu, sidomos në aspektin e ushtrimit të ndjekjes penale. Shpresoj fort që do të ketë një vullnet të përbashkët që kjo përplasje të kapërcehet. Është në të mirën e ne të gjithëve.
BBC: Sa ju kompromenton mbështetja e flaktë e opozitës për ju, për Prokuroren e
Përgjithshme të Republikës në këtë moment, e bërë qoftë për arsye parimore, qoftë për arsye pragmatike nga ana e opozitës?
Rama: Së pari, nuk më duket se është e flaktë, unë nuk konstatoj ndonjë gjë të tillë. Sigurisht, mendoj se opozita është duke bërë pjesën e saj politike në këtë situatë. Unë mendoj se e rëndësishme është që puna, imja ose e organit që unë drejtoj, të jetë e mbështetur në ligj. Në rast se ne do të veprojmë duke zbatuar ligjin, pak rëndësi ka pastaj se kush të mbron dhe kush të godet. E rëndësishme është që gjithë aktiviteti që organi i prokurorisë kryen, veçanërisht në raste specifike që janë sensitive për publikun, të jetë në mënyrë ekstreme i mbështetur në ligj.
BBC: Megjithatë është shumë e rëndësishme kur ju mbron ambasadori amerikan në Tiranë me deklarata që mund të lexohen shumë lehtë si ‘mos e prekni Prokuroren e Përgjithshme’!
Rama: Jo, unë nuk do ta lexoja kështu. Mund ta lexonim ndryshe. Mund ta lexonim që ‘lërini ata që zbatojnë ligjin ta zbatojnë ligjin’! Ndoshta konstatimi që, jo vetëm Ambasada Amerikane, por unë do të them se edhe ambasadorët e Bashkimit Europian kanë bërë në mbështetje të institucionit të prokurorisë për këtë rast lidhet me faktin që ata duhet të kenë konstatuar që ne kemi vepruar drejt, se prokuroria ka zbatuar ligjin në të gjitha hallkat, në të gjitha veprimet që ajo ka ndërmarrë në këtë çështje, në këtë situatë.
BBC: Zonja Rama, nga kush duan t’ju mbrojnë ndërkombëtarët?
Rama: Unë mendoj se ndërkombëtarët po mbështesin prokurorinë që ajo të vazhdojë të bëjë punën e saj, të vazhdojë të jetë e pavarur në vendimmarrjen e saj.
BBC: Zonja Rama, ju jeni e re në moshë, e re në detyrë. Keni të paktën tri çështje hetimore ku janë të përfshirë emrat e ministrave, ish-ministrave, pjesëtarëve të afërt të kryeministrit. Sa ndikon gjithë kjo trysni në aktivitetin tuaj dhe të institucionit që ju drejtoni?
Rama: Të gjitha këto çështje kanë peshën e tyre në mënyrën se si zhvillohen punët, se si ecin punët në sistemin e akuzës. Vetëm fakti që çdo vendimmarrje, çdo hap, çdo veprim hetimor që ndërmerret në këto çështje, është një veprim që monitorohet në të gjitha drejtimet, në të gjitha aspektet, të vendos në një farë trysnie. Unë do të preferoja që puna jonë të ishte në kushte më komode, sigurisht. Do të preferoja që ne të bënim punën tonë pa qenë e nevojshme që në çdo hap që hedhim të kemi komente nga njëri krah, apo nga krahu tjetër. Do të preferoja që prokurorët ta ndjenin veten të lirë dhe të qetë në gjithë aktivitetin e tyre, sepse kjo lloj trysnie edhe kur është pozitive, edhe kur është në mbështetje të fortë të prokurorisë, ndoshta-ndoshta prish ekuilibrin e një pune normale. Unë do të preferoja që puna e prokurorisë të ishte e saj, të mos ishte kaq publike, të mos merreshin të gjithë me të. Por, në fund fare, kjo është një situatë që nuk varet prej nesh, nuk varet prej meje, ne nuk mund ta kontrollojmë dot. Kështu që ajo që na bie si detyrë, është që ne të operojmë sikur nuk dëgjojmë asgjë, sikur nuk kemi asnjë lloj trysnie, sikur askush nuk na bezdis në punën tone dhe jemi të përqëndruar vetëm tek faktet që ne mbledhim nga hetimi. Është një ndërmarrje e vështirë, po kjo është sfida jonë.
BBC: Dhe një sfidë tjetër është hetimi për tragjedinë e Gërdecit, si dhe hetimi për tregtinë e paligjshme të municionit drejt Afganistanit. Në çfazë ndodhen hetimet për këto dy çështje?
Rama: Grupi hetimor, me sa kam unë dijeni, ka kryer pjesën më të madhe të hetimeve që mund të kryheshin prej grupit hetimor në Shqipëri dhe ne jemi në pritje të letër-porosive që u kemi dërguar homologëve tanë në SHBA, në Qipro dhe në Zvicër. Presim përgjigjet e tyre dhe mendoj që pas marrjes së këtyre përgjigjeve ndoshta do të kemi nevojë të bëjmë veprime të tjera hetimore. Gjithsesi, nuk mund të parashikojmë gjë, përsa kohë që përgjigjen nuk e kemi në dorë dhe nuk dime çfarë të dhënash do të na vijnë nga homologët tanë.
BBC: Jeni e kënaqur me ritmet e hetimeve gjatë këtyre më shumë se shtatë muajve që kanë kaluar nga tragjedia?
Rama: Unë mendoj që puna është bërë në kohë reale. Është një çështje shumë komplekse, shumë voluminoze, shumë e ngarkuar. Ndoshta mund të kishte edhe tempe më të mira, por, gjithsesi mund të them se po bëhet një punë e mirë.
BBC: Si e shihni ju rolin e medias? Ajo shpesh publikon skandale të ndryshme korrupsioni, trafiku, krimesh. A ju ndihmon ajo me këto botime apo thjesht ngrihet një tymnajë që e pengon më pas punën tuaj, apo në raste të veçanta edhe e dekonspiron hetimin që mund të ketë filluar?
Rama: Në fakt, për të folur për rolin e mediasnë punën që bëjmë ne ndoshta do të na duhej një emision i veçantë. Ndoshta një ditë të bukur mund të vendosim të ulemi e të flasim shtruar, sepse është me të vërtetë një pike delikate dhe e rëndësishme për t’u trajtuar. Sigurisht që informacionet reale që media hedh në shtyp për publikun, kur ato përbëjnë njoftime për vepra penale janë të vlefshme për ne, patjetër. Prokuroria duhet t’i vlerësojë seriozisht. E rëndësishme është të dallohet ajo që është skup mediatik dhe ai që është vërtetë lajm dhe për cilin nga këto duhet të vlerësojë dhe duhet të vihet në lëvizje organi i akuzës. Unë mendoj se media shumë herë ndihmon, sigurisht me informacionet që jep, por edhe shumë herë devijon punën e organit të akuzës, qoftë duke nxjerrë në shtyp informacione të panevojshme dhe që dëmtojnë hetimin, qoftë duke shprehur një lloj kuzioziteti ndoshta të tepruar për natyrën që ka hetimi, që ka procedimi penal.
BBC: Si vepron prokuroria, institucionalisht, në raste kur media dekonspiron ndonjë hetim?
Rama: Në fakt ajo që dekonspiron hetimin ndoshta në këtë rast është personi që përcjell lajmin tek media dhe, në zbatim të normave ligjore, duhet të nisë një procedim ndaj këtyre individëve. Problemi është që ne kemi një situatë jo shumë të normuar ligjërisht për rrjetin e personave që marrin një informacion të caktuar në çështje dhe bëhet shumë i vështirë përcaktimi i rrjetit të personave që kanë pasur dijeni për informacion për lajmin. Është një proces që, minimalisht, unë mendoj se duhet zgjidhur në aspektin disiplinor, në rast se do të kemi konstatime dhe pastaj për të kaluar edhe në aspektin e përgjegjësisë penale. Por i gjithë përcaktimi i rrethit të individëve, duke qenë se është i gjerë, është i pacaktuar, ndoshta e fut organin e akuzës nëpër tymnaja të tjera, nëpër punëra të cilat nuk do të arrijë dot t’i përfundojë, do ta shkëpusë nga vëmendja e hetimit thelbësor, që është primar.
BBC: Dhe kur jemi tek ligji, kuadri ligjor i sistemit të drejtësisë po ndryshon, po reformohet, ka disa drafte te cilat kanë ngjallë edhe shumë debat. Si e konsideroni draftin për prokurorinë?
Rama: Drafti për prokurorinë pësoi disa ndryshime në vazhdim të punës që bëri grupi i punës i ngritur nga Ministri i Drejtësisë bashkë me një urdhër të përbashkët që e kam nënshkruar edhe unë. Unë mendoj se drafti pati avancime shumë pozitive. Me ndonjë informacionin tim, di që ne jemi ndarë në disa pika me Ministrin e Drejtësisë dhe në variantin pothuajse përfundimtar që kemi hartuar. Sigurisht që mendoj se secila nga palët e interesit do të mbrojë qëndrimin e saj dhe, pastaj do të jetë vullneti politik i parlamentit që do të vendosë se cili do të jetë opsioni që do të marrë formën ligjore.
BBC: Nëse do të ishit deputete, do ta kishit votuar këtë draft, siç është?
Rama: Me variantin që propozon prokuroria do ta kisha votuar.
BBC: Paraardhësi juaj në këtë detyrë, zoti Theodhori Sollaku, u akuzua nga maxhoranca e tanishme se flinte mbi dosjet e korrupsionit dhe krimit. A keni gjetur ju dosje të fjetura, kur e morrët këtë post?
Rama: Unë mendoj se ky është term mediatik. Në prokurori ka dosje të pezulluara. Është një concept procedurial, një status procedurial. Prokuroria i vë këto dosje në lëvizje kur merr një informacion nga Policia e Shtetit që ka të dhëna të reja për të cilat duhet të prishen vendimet e pezullimit dhe duhet të rivihen në lëvizje dosjet. Kjo është situata për çështjet e pezulluara që janë të fjetura, që janë të heshtura. Unë di t’ju them që për çdo material kallëzues që vjen sot në prokurori, e gjithë fryma që unë kam përcjellë në organin e akuzës, është që ai të vlerësohet maksimalisht dhe askush të mos shpëtojë nga ndjekja penale. Ky term i përdorur, ndoshta do të ishte më i frutshëm pot ë ishte konkret. Cilat janë këto dosje të fjetura konkretisht? Kush është gabimi i prokurorisë? Cili është veprimi që prokuroria duhej të bënte dhe s’e ka bërë? E lançuar në këtë formë më duket se tenton të dëmtojë imazhin e institucionit të akuzës, por pa hyrë në detaje. Përgjegjësitë janë individuale dhe janë konkrete.
BBC: Megjithatë ka kritikë që thonë se p.sh., në rastet që përmendëm më sipër, përmenden emrat e ministrave dhe ish-ministrave të kësaj qeverie të lidhur me afera korruptive, ndërkohë që nuk ka asnjë rast të ndonjë ish-zyrtari të lartë të administratës të dikurshme, të paktën publikisht, në ndonjë process hetimor?
Rama: Unë do t’ju them që në aspektin procedurial prokuroria ka të drejtë të nisë hetime kryesisht dhe në pjesën më të madhe të marrë kallzime nga institucione shtetërore dhe nga shtetasit. Në rast se zërat që thonë se prokuroria nuk po heton për ish-zyrtarë të opozitës, janë në gjendje të paraqesin fakte konkrete para organit të akuzës, për të cilat duhen investiguar këta persona, atëherë ky është një diskutim tjetër. Unë mund t’ju them që aktualisht nuk ka kallzime të bëra rreth këtyre, nuk ka fakte konkrete të prezantuara pikërisht nga këta që thonë që këta persona nuk po investigohen. Ka një Polici Shteti e cila mbledh informacione dhe referon veprat penale, njoftimet për veprat penale në organin e akuzës, i cili më pas nis hetimin. Ose ka fakte të publikuara në media, siç ishte rasti i çështjes Fazlliç, të cilat të detyrojnë të nisësh një investigim, një precedim penal. D.m.th. prokuroria e ka rolin e vet proaktiv, por kryesisht vepron mbi bazën e informacioneve që vijnë.
BBC: Nëse jam një qytetar që po e dëgjoj këtë intervistë, me çfarë argumentash konkretë do të më bindnit ju se vërtetë dëshironi t’u shkoni deri në fund çështjeve që kanë mbetur pezull, pavarësisht nga kostoja politike?
Rama: Unë do t’ju thoja që ju duhet të prisni që ne të marrim vendimet e duhuara. E rëndësishme është që të jenë të duhura dhe të bazuara në ligj. Pastaj nëse ju do t’i çmoni në drejta apo jo – sepse mënyra se si e vlerëson një qytetar, një politikan një vendimmarrje të organit të akuzës është e ndryshme nga mënyra se si vlerëson vetë një prokuror. Prokurori duhet të vendosë mbi faktet që ka mbledhur nga hetimi dhe jo mbi akuzat publike apo diskutimet mediatike që bëhen. Ka një dallim shumë të madh. Në rast se ne do të marrim vendime të bazuara në ato që ne kemi mundur të mbledhim nga investigimi, ne rast se do të arrijmë t’i mbështesim këto vendime në gjithë provat e mbledhura, gjykimi pastaj është pastaj një vlerësim subjektiv dhe ne nuk mund të rendim gjithë kohës pas tij.
BBC: Zonja Rama, cili është ai aspekt me të cilin do të mburreni në këta muaj që keni qenë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme dhe a ka diçka me të cilën ju vërtetë do të dëshironit të krenoheshit në përfundim të mandatit tuaj në këtë detyrë?
Rama: Të mburresha sot do të ishte shumë shpejt. Nuk do të doja të nxitohesha. Ka një aspekt me të cilin unë do të krenohesha në rast se do të arrija ta realizoja në fund të mandatit tim. Në rast se nëpërmjet punës që organi i akuzës do të bënte gjatë këtij mandate do të arrinte të rriste besimin e publikut tek institucioni i akuzës, kjo do të ishte një gjë për të cilën unë do të isha shumë krenare, sadopak që unë të kisha influencuar në këtë.